Boyhood, një nga filmat më të mëdhenj të dekadës

Në ceremoninë e 72-të Golden Globes, filmi i regjisorit Richard Linklater u vlerësua me tri çmime. “Boyhood” është një epos 12-vjeçar që rrëfen rritjen e një djali, një bildungsroman i kinemasë moderne amerikane

 

Si jezuit legjendash, Richard Linklater ka marrë djalin dhe na ka dhënë burrin. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një film, i cili realizon gjënë më fisnike që mund të arrijë një film: të yshtë dashuri.

Ky film i bukur, i mistershëm, është një studim kohor i Mason-it, që rritet nga mosha 5 deri në 18 vjeç, nga shkolla fillore te ditët e tij të para në kolegj. Është një epos i brendshëm: në harkun kohor të 12 viteve, Linklater punoi me aktorin e ri, Ellar Coltrane, duke xhiruar skena çdo vit me të dhe me aktorët e tjerë të kastës, të cilët rriteshin në mënyrë të dukshme dhe të pandalshme përreth tij. Filmi është xhiruar në një periudhë 12-vjeçare nga maji i vitit 2002 deri në tetor 2013. E bija e regjisorit, Lorelei Linklater, luan motrën e madhe të Mason-it, Samantha-n, Patricia Arquette, e nderuar me një çmim “Golden Globes” është mahnitëse si mamaja e divorcuar e dy fëmijëve, punëtore dhe me aspirata, por e dënuar të dalë me pijanecë dhe u jep fëmijëve njerkë abuzues. Ethan Hawke – fytyra e tij e mprehtë, e daltuar, që zbutet ndërsa vitet kalojnë – luan babain e dyshimtë e të kotë, por me shumë sharm, të fëmijëve, i cili shfaqet çdo disa javë me makinën e tij të hatashme. Edhe fytyra e vetë Mason-it ndryshon, nga ajo prej një fëmije të çiltër e të hapur, te një më e mbyllur e një të rrituri simpatik. Është fytyra që ai do të mësojë t’ia paraqitë botës. Në disa mënyra, filmi na fton të shohim Mason–in nga këndvështrimi i një babai të larguar, i vëmendshëm për ndryshimet e vogla të papritura dhe kërcimet në gjatësi. Por çështja është që të gjithë prindërit janë të tëhuajësuar, duke u zgjuar papritur dhe vazhdimisht përpara mënyrës sesi fëmijët po rriten, duke hamendësuar gjithnjë e më shumë veçantinë dhe privatësinë e moshës madhore. Pjesë e triumfit të këtij filmi është mënyra sesi e përshkruan enigmën se çfarë mendon dhe ndjen Mason-i. Boyhood është aq ambicioz dhe pasionant sa nuk mund të imagjinoj askënd të realizojë një tjetër tablo tradicionale të të ardhurit në moshë. Ky zhanër tani duket se është i dalëmode. Është për t’u thënë se ky film është kryekëput roman. Ndoshta krahasimi më i afërt për Ellar Coltrane dhe Mason është aktori Daniel Radcliffe dhe Harry Potter – një lidhje që Linklater e aludon lehtë. Por asnjë rast nuk i afrohet substancës dhe plotësisë të këtij filmi drithërues. Angazhimi afatgjatë i kërkuar është aq sa vlerësimet tradicionale të performancës janë thuajse jashtë diskutimit.

Regjisori i filmit, gdhend në kohë, ka thënë Tarkovsky, dhe Linklater, pa asnjë garanci sesi materiali i tij bruto do të dilte, ka gdhendur këtë studim monumental të një djali. Ose ndoshta

ai dhe koha kanë bashkëpunuar në gdhendje, ose në të vërtetë koha ka gdhendur Coltrane-nin dhe Linklater-in. Është një lloj Bildungsroman – romani që rrëfen rritjen- për kinemanë moderne amerikane, i kryer në një nivel modest, tejet inteligjent. Të gjitha ritet e njohura të kalimit janë këtu, po të paraqitura mbrëmjeve, pa rrahjet narrative klishe, pjesërisht në funksion të fundit që mbetet i  hapur, i nevojshëm për projektin.

Mason rrallë, për të mos thënë kurrë, mërzitet, megjithëse shkon shumë pranë lotëve në një debat me të atin për makinën e shpejtë ndërsa nget kamionçinën e vogël e të mërzitshme të babait. Prindërit e moshuar të gruas së dytë të të atit, shfaqen si të krishterë konservatorë, që i japin këtij fëmije liberal një Bibël dhe një armë për ditëlindje. Në ndonjë film tjetër, ky do të ishte rast për argumente të tymta dhe rezoluta të shpëlara. Këtu, Mason-i pranon dhuratat me një natyrë fjalëpake dhe diplomatike. Tamam si ç’do të kishte ndodhur në jetën e vërtetë.

Boyhood është në kontakt me një të vërtetë të thjeshtë dhe urgjente; jeta është tmerrësisht e shkurtër. Ndërsa fëmijëria jonë në progres duket si një amshim për prindërit tanë, ajo e shkrep të shkuarën në një çast ëndrrash. Pastaj për ne, ndryshon nga një narrativë e  fortë, e supozuar, drejt një yjësie të pështjelluar të momenteve të mbajtura mend dhe gjysmë të mbajtura mend, që lëvizin brenda dhe jashtë arritjes. Teknika kohore e regjisorit mund të aplikohet lehtë ndaj çdo karakteri tjetër në film. Fëmijët dhe të rriturit nuk janë specie të ndara. Ndoshta Linklater dhe Ellar Coltrane do të kthehen për vazhdimin e këtij filmi: “Manhood”, “Middle Age” e kështu me radhë. Një pjesë e imja lutet ta shohë Mason-in sërish. Dhe një pjesë mendon se është një përulësi e përsosur mënyra sesi filmi butësisht e lë atë me miqtë e rinj në kolegj. Në çdo mënyrë, është një nga filmat më të mëdhenj të dekadës.

*Nga Peter Bradshow

SHKARKO APP