“Brekët”

Një palë të brendshme femrash, bëjnë lëmsh një qytet të tërë. Gjatë një mitingu, një gruaje të re, të bukur, por të nënvlerësuar nga i shoqi, i bien të mbathurat. Incident ky që shkakton sa të qeshura aq edhe intriga tek meshkujt përreth. Por, ky fakt bëhet shqetësues për bashëshortin e saj, i cili e çon situatën deri në skandal.

“Brekët” është një komedi gjermane, që edhe pse e shkruar në 1911, nga shkrimtari Carl Steirnheim është koherente dhe shumë e përshtatshme për realitetin shqiptar. Ajo demaskon patriarkalitetin tek meshkujt në çfarëdolloj kohe e vendi.

Komedia, e cila  vjen në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori Kastriot Çipi do të ketë premierën në datën 27 shkurt 2015, në Teatrin Metropol, salla “Cehov” ora 19:00.  

Komedia e Sternheim në vënien e saj të parë në skenë në 15 shkurt 1911 pasoi me një skandal të vërtetë, e cila u ndalua për njëfarë kohe nga policia vendase pasi titulli i kësaj vepre quhej “fyes” dhe mjaft “banal”.

“Historia nis në një miting, ku një gruaje të re me emrin Luiza, i bien të mbathurat. Kjo situtatë shtyn dy personazhet qendrore në vepër Franko dhe Benjamin, të hyjnë si qeramarrës në shtëpinë e Luizës, me shpresë se do të mund të kenë një aventure erotike me të”, shpjegon regjisori pak nga vepra. Sipas tij, komedia nuk mbetet në kuadrin e një intrige të thjeshtë erotike, mes dy rivalësh për të njëjtën grua, sepse në situatat e krijuara shpalosin të tjera nivele konflikli, ku ndërthuren maskilizmi, demagogjia dhe hipokrizia e burrave në një shoqëri, ku gruaja është ende qytetare e dorës së dytë.

“Vepra origjinale është e shkruar në stilin e farsës, por në shfaqjen tonë, kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për të sjell një lojë sa më realiste. Ato që ndodhin nuk janë aspak të pabesueshme për realitetin shqiptar, ndaj nuk kanë pse luhen si të tilla nga aktorët.  Sidoqoftë në momente të caktuara qëllimisht janë ruajtur doza teatraliteti të dukshëm, deklamacioni dhe emfaze, për ti shërbyer më mirë, vizatimit të personazheve”, shpjegon regjisori. Vepra do të jetë në skenën e Teatrit Metropol gjatë fundjvave, çdo të premte, të shtunë, e të djelë.  

 

Titulli:“Brekët”

Autori:Carl Sternheim

Regjia:Kastriot Çipi

Interpretojnë:Gentian Zeneli, Alesia Xhemalaj, Laert Vasili, Valina Muçolli, Dorjan Ramaliu, Apostol Kaçi

Skena:Hysni Loka

Kostume:Ina Elezi

Premiera:27.02.2015

Salla:Cehov

Ora19:00

 

 

Personazhet

 

Kristo, (Gentian Zenelaj), është nënpunës në profesion, prototipi i një burri tipik shqiptar patriarkal. Përpiqet me ç’të mundet për të nënshtruar gruan e tij.  Për të ruajtur pozitën e tij dominuese, ai përdor shantazhin dhe demagogjinë.  Por me zhvillimin e ngjarjeve zbulohet, se është një materialist i paskrupullt dhe i pamoralshëm.

 

Luiza (Alesia Xhemalaj), është një shtëpiake e thjeshtë, e eduakuar, e bukur, femër e nënshtruar dhe e pajtuar me këtë rol në familje dhe në shoqëri. Ajo sfidohet nga rrethanat, të cilat e bëjnë të ndryshojnë këndvështrimin për familjen dhe vendin e saj në të cilin jeton.

 

Franko (Dorjan Ramaliu), është poet delirant, i përkedhelur nga fati. Është mjaftueshëm i pasur, sa për të mos pasur nevojë të punojë. E kalon kohën në kërkim të aventurave, duke shpresuar se në to, do të gjejë frymëzimin poetik për kryeveprën, të cilën nuk e shkruajti asnjëherë.

 

Benjamini (Laert Vasili), është një mizantrop, i dështuar në marrëdhënie me gratë. I motivuar nga xhelozia, më shumë se sa nga pasioni i tij.

 

 

Frida (Valina Muçolli), është një vejushë, ana e kundërt e Benjaminit. Një shtëpiake e vënë përfund nga hallet  e jetës, e cila përpiqet që të gjejë, stimuj për jetën e saj. 

 

Ademi (Apostol Kaçi), është shkenctar, i huaj për rrethanat dhe motivet e personazheve të tjerë, i cili gjendet gjithmonë në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. 

 

 

 

 

SHKARKO APP