Bujar Nishani takohet në Presidencë me njerëz të artit e kulturës

Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani mirëpriti sot në Institucionin e Presidentit shkrimtarë dhe botues, përkthyes, studiues e akademikë të librit në gjuhën shqipe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Diaspora si dhe nga trevat shqiptare e vende të ndryshme të botës kudo ku jetojnë e punojnë, pjesëmarrës në Panairin e Librit 2016.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti Nishani u shprehu të ftuarve kënaqësinë për këtë takim duke vlerësuar punën e të pranishmëve si dhe të kolegëve të tyre, nismat dhe frytet e mendjes, penës dhe kapaciteteve intelektuale të tyre, veçanërisht për edukimin e brezit të ri dhe afrimit me leximin dhe nxënien, si një investim i madh për ruajtjen dhe pasurimin e fondit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar duke u kërkuar që ta promovojmë më tej këtë kontribut të vyer.

“Botimet e çdo zhanri në përgjithësi, por libri i mirëfilltë letrar në veçanti janë investimi i madh për të mbajtur gjallë e pasuruar edhe më shumë njërën prej pasurive më të mëdha që kemi, atë që ka përcaktuar identitetin tonë si komb, atë që është shenja jonë dalluese në familjen e madhe të kombeve: gjuhën tonë të lashtë e amtare, gjuhën shqipe, ndër më të lashtat e më vitalet e njerëzimit. Njëri prej poetëve tanë më të vyer, At Gjergj Fishta, pati shkruar dikur postulatin e famshëm ‘Mallkuar qoftë ai bir shqiptar që në gjuhë të huaj flet pa qenë nevoja!’ Në ditët e sotme, kur bota globale nganjëherë sikur na merr përpara me ritmin e saj frenetik, duke na bërë që të mos kujdesemi edhe aq shumë për visarin tonë më të çmuar kombëtar – gjuhën shqipe, – vërej me shqetësim se gjuha që përdorim çdo ditë, gjuha që flasim e lexojmë e shkruajmë çdo ditë, gjuha që dëgjojmë përnatë në debate e diskutime, ka pësuar përçudnime dhe huazime të panevojshme”, – tha në vijim të fjalës së tij Presidenti Nishani duke i përgëzuar botuesit në emër të së sotmes dhe së ardhmes për faktin se veprat e tyre nuk janë prekur nga ky fenomen negativ i huazimeve të panevojshme.

 

“Bota e letrave shqipe është ajo pjesë e qenësishme e atyre fijeve të fuqishme që mbajnë të lidhur e të bashkuar kombin tonë, kulturën tonë, që ushqejnë fuqimisht dhe vazhdimisht konstelacionin shpirtëror të popullit shqiptar. Ky takim i thjeshtë e miqësor, por besoj shumë kuptimplotë me ju, përfaqësuesit e kulturës dhe letrave shqipe, është pikësëpari një moment falënderimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë, në emër të të cilëve kam përgjegjësinë dhe privilegjin t’jua adresoj”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje, Presidenti Nishani u shprehu të pranishmëve ndjesë për mungesën e vëmendjes dhe vlerësimit të duhur shtetëror ndaj vlerave të tyre nga ana e institucioneve përkatëse, duke e konsideruar si një anomali mungesën e politikave në këtë drejtim: “Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.” thoshte dikur Shën Tereza jonë. Ju keni qenë në gjendje të bëni vepra të mëdha dhe patjetër me dashuri të madhe, sepse keni ditur nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë, të prezantoni vlerat tuaja individuale dhe intelektuale dhe keni ruajtur të praprekur fondin tonë të vyer të kulturës.”

SHKARKO APP