Burgoset mashtruesja që “të linte shtatzanë”

Një grua në Guinea, e cila shiste “barëra” tek gratë sterile, duke i thënë se do të mund të mbeteshin shtatzanë u burgos me 5 vjet burg.

N’na Fanta Camara realizonte “përzierje” që bënte të fryheshin barqet. “Kuruesja” thuhet të ketë mashtruar më shumë se 700 gra, duke u zhvatur shuma të mëdha parash për trajtimet e saj.

BBC raporton se viktimat e saj që ndodheshin në gjyq u mërzitën pse kundër saj nuk u dha një dënim më i ashpër. Camara, e cila u shpall fajtore për mashtrim me figurën e mjekut duke i dhënë grave substanca të dëmshme duke vënë në rrezik jetët e tyre. Ajo u urdhërua gjithashtu t’i paguajë viktimave të saj edhe 165.000 dollarë.

Dy bashkëpunëtorë të tjerë u dënuan për akuza të ngjashme dhe morën 3 dhe 4 vjet burg dënim. Një viktimë tha për BBC: “Ajo na jepte disa përzierje barërash dhe gjethesh të cilat na bënin të villnim dhe na siguronte se kjo do të na bënte mirë.”

“Në një vizitë të dytë, ajo na jepte më shumë barëra dhe gjethe të cilat ne i zienim dhe i pinim. Sapo e bëje një gjë të tillë, stomaku niste të fryhej pak.

“Pas ca kohësh ne vizitoheshim sërish dhe ajo na ‘ekzaminonte’ vetëm duke na prekur barkun dhe deklaronte se ishim shtatzanë. Gjithsesi na jepte një porosi strikte : të mos shkonim në spital”.

“Ne e kishim të rregullt ciklin menstrual gjatë kësaj periudhe. Një herë që i tha një gruaje se ishte shtatzanë, kjo e fundit duhet t’i jepte si parapagim një pëlhurë dhe një pulë”.

Për shërbimet e saj, gratë nga 17 në 45 vjeç e paguanin 33 dollarë, në një vend ku, rroga mujore është rreth 48 dollarë.

Disa nga gratë raportuan se dukeshin shtatzanë për 12 muaj 18 muaj.

Policia beson se Camara ka fituar mijëra dollarë në muaj.

Avokati i viktimave,  Seny Kamano, tha se Camara ka marrë maksimumin e dënimit, por shtoi se shuma që duhet të paguante ishte e pamjaftueshme për 700 gra të dëmtuara nga mashtruesja.

Një mjek policor, i cili ekzaminoi 47 gra të mashtruara, tha se ato rrezikonin komplikacione si pasojë e përzierjes që u kishte dhënë mashtruesja.

Camara mbrojti veten duke thënë” Unë punoj shumë të bëj që gratë të realizojnë ëndrrën e tyre, por pjesa tjetër është në dorë të Zotit”

Në 2006-n, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se 80% e afrikaneve përdorin mjekime popullore.

SHKARKO APP