Burri: Gruaja më tradhtonte, vajzën e ka çuar në rugë të keqe. Ish-vjehrra: Të kesh turp, s’je kujdesur kurrë për fëmijët!

Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur sot historia e 45-vjeçarit nga Elbasani, Gentian Agolli. Pas 23 vitesh martesë, bashkëshortja kërkoi të divorcohet duke shkaktuar presion psikologjik në familje. Gentiani thotë se divorci vjen për arsye ekonomike, pasi ish-gruaja është e dhënë pas lekut dhe për këtë ka siguruar mbështetjen e familjes së saj.

Por Gentiani nuk ka qenë dakord për t’u divorcuar, shpesh herë i lutej me lot në sy bashkëshortes që ta ndalonte këtë veprim. Ata që po e vuajnë më shumë janë fëmijët, djali 10-vjeçar dhe vajza 21 vjeçe.

Djali ka kërkuar që të qëndrojë me babain, por nëna e kërcënon këtë të fundit përmes familjes së saj. Ata përdorin fëmijët, thotë Gentiani vetëm që t’i marrin shtëpinë, të vetmen pasuri që mbante të bashkuar familjen. Një problem tjetër që vjen pas divorcit është siguria e vajzës. Ajo ka marrë një rrugë të gabuar, konsumon duhan dhe shoqërohet me një djalë për të cilin thotë se e dashuron. Po ashtu, Gentiani shpreh dyshimet se ish-gruaja e tradhtonte.

Ajo qëndronte në “Facebook” në orët e vona të natës, teksa ishte në krevat me të. Tashmë çështja e divorcit është dërguar në gjykatën e Apelit për t’u shqyrtuar. Babai i dëshpëruar iu drejtua emisionit për të apeluar, pasi ka frikë se bashkëshortja do t’i marrë fëmijët me forcë.

“Ne u morëm me dashuri, erdhi me vetëdije në shtëpi, bëmë edhe dasmë pastaj. Hodha prindërit e mi dhe familjen time për të, dëgjojë vetëm atë. MË vdiqën prindërit, shita shtëpinë dhe bleva shtëpinë e re që të ishte ajo afër prindërve të saj. Iku në Itali gjeti një punë atje, dëshirë s’kisha që ajo të ikte, por e dija që do të ikte. Unë vetë kam punuar marangoz pastaj bojaxhi, kam shumë vite që punoj si polic privat me siguracione të rregullta, gjithçka shkonte shumë mirë mes nesh.
Ajo ndoshta është mësuar nga të tjerët dhe pretendon se do marri çunin e do marri gjysmën e shtëpisë, por unë shita shtëpinë e prindërve dhe bleva këtë shtëpinë e re. Bleva një shtëpi më të vogël, pjesa e lekëve që mbeten shkoi për nevojat e familjes. Certifikata e shtëpisë është në emrin tim. Ajo më tha që nuk lëviz nga shtëpia, po të marri fëmijën do të marri edhe gjysmën e shtëpisë.
Një ditë të bukur më tha ‘do të ndaj’, sipas saj nuk jam burrë për të, nuk i bëj detyrat e shtëpisë, ajo rri deri në dy të natës në telefon se me kë se di, me tre veta në krevat nuk flihet. Unë di që detyrat e shtëpisë me të i kam bërë, punoja 16 orë në ditë me stres shumë të madh.

Dy herë më ka thyer telefonin se e kam filmuar kur rrihte djalin. Atëherë nuk e denoncoja dot sepse kisha frikë, më kanë ardhur presione, djalit në telefon të vet. Kanë ardhur presione nga njerëzit e zonjës. Për të ëmën e zonjës kam respekt sepse më ka ndihmuar. por tani do flas se skam më frikë njeri përvec Zotit, s’kam cfarë të humbas më.
Djali ka shkuar në komisariat të Elbasanit ka denoncuar, unë e kam shoqëruar se s’mund të lë një 11-vjeçar të shkojë në polici vetëm. Zonjën e kanë marrë në telefon pastaj dhe ajo ka filluar të kujdeset e sillet mirë duke i dhënë një 500 leksh në mëngjes ndërkohë që unë kujdesem për të për gjithçka.
Unë po mbaj çunin ndërkohë që gjykata më kërkon 80 mijë lekë në muaj, pse duhet të paguaj unë ndërkohë që po e mbaj djalin vetë.

Unë do shoh hallet e mia por, nëse jetojmë në një shtëpi, secili të paguajë detyrimet e veta, unë paguaj të gjitha ndërsa ajo rrogën e saj sdi ku e shpenzon, dritat dhe ujin do t’i ndajmë bashkë”, deklaroi Gentiani.

Ish-vjehrra e tij në një lidhje ‘live’ mohoi akuzat dhe tha se vajza e saj shkoi në Itali për të punuar dhe larë borxhet.
“Unë jam gjyshja ne e mbajmë në pëllëmbë të dorës, e ëma e do jashtëzakonisht shumë. Ai të ketë turp e faqen e zezë që del aty, ai si ka mbajtur asnjëherë ata fëmijë. Gruaja shkoi në Itali lau borxhet ndërsa fëmijët i mbajta unë. Kur e pyeti burri im ai i tha ‘s’kam fëmijë unë’. Tani çfarë kërkon? Unë e kam mbajtur e respektuar si djalin tim po të dalë ai të thotë që e ëma e dhunon djalin turp të ketë. Ai e manipulon fëmijën, nuk e lë të fëmijë tek unë. Ai nuk ka paguar kurrë dritat, del aty pa pikën e turpit. Ai i ka prerë linjën e dritave, ç’të paguajë vajza ime. Ata në fillim u deshën vetë, vazhduan normalisht, por ky nuk punonte ishte dembel. Ai nuk mbante shtëpinë, vajzën e ofendonte në mes të shoqeve, t’i vijë turp. E ëma çfarë nuk i ka sjellë djalit nga Italia.
Unë ia kam blerë të gjitha plaçkat, çfarë pasurie kërkon ai? Të marrtë dreqi më gjithë shtëpi, 1 dhomë e 1 kuzhinë që ke. Kur ai i ka prerë dritat dhe vajza ime lahet tek unë, çfarë t’i paguajë atij?
Me atë që tha ai në TV s’ka për t’u bashkuar kurrë me vajzën time. Unë do bëj punën time, por derisa arriti deri aty s’di ç’të themi, unë kam ndikuar gjithmonë që ata të mos ndaheshin. Djali i vogël ka dhunë nga i ati, jo nga e ëma, nuk e lejon nënën ai që t’i falë dashuri djalit”, deklaroi ish-vjehrra.

SHKARKO APP