Buxheti i Shëndetësisë/ Kontroll mjekësor falas, zgjeron programet e parandalimit
Buxheti i vitit 2020 për shëndetësinë konsolidon dhe zgjeron programet e parandalimit falas, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 parashikohet të jetë 77.7 miliardë lekë. Buxheti i vitit që vjen ka pësuar rritje prej 4% krahasuar me 2019-ën me synim vazhdimin e mbështetjes së programeve në shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Gjatë vitit 2020 llogaritet të investohen rreth 26 milionë dollarë vetëm për investimet në shëndetësi.
Ai mbështet politikat e reja shëndetësore. Buxheti 2020 garanton kontrollin mjekësor falas për 475 mijë qytetarë, vaksinat falas për 240 mijë fëmijë, testimin HPV falas për 17 mijë gra, si dhe ekzaminimin e mamografisë falas për 40 mijë gra. Për herë të parë me buxhetin e ri financohet transplanti i palcës së kockës, hapet shërbimi i ri i kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe nis për herë të parë programin kombëtar të kancerit të gjirit me vendosjen e mamografisë së detyrueshme.
Me buxhetin 2020, rindërtohen 120 qendra shëndetësore, rehabilitohet dhe zgjerohet materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, vijon puna për ndërtimin e maternitetet të Beratit, Lezhës dhe Kukësit, pediatrisë së Durrësit, vijon modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me ndërtimin e spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme me vlerë 14.28 milionë euro, si dhe për spitalin e ri të pediatrisë me vlerë 9,1 milionë euro.
Kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës janë prioritet i qeverisë shqiptare. Buxheti i vitit 2020 mbështet financimin në vlerën 2 miliardë lekë për bonusin e bebes, si një politikë pro natalitetit dhe që shkon direkt për mbështetjen e familjeve të reja. Buxheti i vitit 2020 do të financojë pagesat e personave me aftësi të kufizuar për rreth 166 mijë përfitues dhe me reformën e re të aftësisë së kufizuar do të përfshihen të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i sigurimeve shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit. Gjithashtu buxheti i ri do të mbulojë pagesat për rreth 66 familje në ndihmë ekonomike.