Caka: Ligji për Teatrin Kombëtar është një paçavure

Nga Silva Caka*

Nuk e di se çfarë është më hipokrite në këtë çështje: meraku i Kryeministrit dhe ministrave të tij për gjendjen e teatrit dhe jetët e artistëve dhe publikut, gjoja investimet e rëndësishme, të cilat Kryeministri i favorizon vetëm kur merr kaparin, gjoja respektimi i kornizës ligjore në rastet e këtyre projekteve, apo dëshira e mirë e këtij subjekti privat, i cili ofrohet të harxhojë disa milionë euro, për të ndërtuar Teatrin. Është kollaj të bësh altruistin me lekët e marra nga gjaku i fëmijëve, me lekët e shqiptarëve…

Kam vështirësi të kuptoj malinjitetin e këtij procesi, sepse nuk karakterizohet vetëm nga hipokrizia; ajo çfarë e bën të frikshëm këtë proces, është djallëzia pas çdo veprimi të kryer për këtë çështje, duke filluar nga delegimi i firmës për të institucionalizuar vjedhjen tek Zv. Kryeministrja e ministrat, e deri tek sjellja e ligjit në Parlament, si prova më e fortë e parimit: “nëse do të vjedhësh, bëje me letra”.

Projektligji i ardhur “Për projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të teatrit”, është një projektligj i cili pa frikë, mund të konsiderohet si një aferë gjigande korruptive dhe një krim, i cili nuk ka si qëllim të vetëm përfitimin financiar të atyre që e kanë iniciuar, por edhe çnderimin e trashëgimisë kulturore të një populli të tërë dhe disa breza artistësh, urrejtja ndaj të cilëve është e kuptueshme, kur vjen nga një aspirant për artist, që artist nuk u bë dot kurrë, por që ia doli me sukses të bëhet në Narcos.

Vetëm kur është dashur të bëhet krimi i radhës, ku ata që e kanë iniciuar kanë dashur të lajnë duart nga përgjegjësia në të ardhmen, kanë sjellë ligje të tilla për t’i miratuar Parlamenti, pasi siç e thashë edhe më parë, këta janë qeveria e legjitimimit dhe institucionalizimit të krimit.

Sigurisht, kjo qeveri ia ka marrë dorën shkeljeve të Kushtetutës dhe ligjeve dhe nuk i bën më asnjë përshtypje teksa shkel një tufë me ligje, vetëm e vetëm për t’i plotësuar qejfin oligarkut të radhës, financuesit të fushatës dhe klientit të preferuar të Qeverisë e të Bashkisë, i cili së fundmi do bëhet edhe i parapëlqyeri i Grupit Parlamentar të Rilindjes, mjafton që ligji i paligjshëm të hapë rrugën e bashkëpunimit.

Që në titullin e projektligjit, kuptohet qartë që prioriteti i tij është realizimi i në projekti privat, nga një kompani private e pastaj nga fundi flitet edhe për ndërtimin e Teatrit. Kjo është e qartë dhe e kuptueshme, për aq kohë sa asnjërit prej jush nuk i intereson Teatri, por vetëm të ndërtohet kulla e radhës, të pastrohen paratë e radhës dhe kaparit që ka marre Kryeministri, t’i shtohet edhe përqindja përfundimtare.

Në Komisionin e Ligjeve, Ministres së Kulturës i kam drejtuar pyetjen e drejtpërdrejtë se ku qëndron emergjenca e sjelljes së një ligji të posaçëm, për investimin e kryer nga një subjekt i veçantë privat. Ashtu siç bëri sot me kolegun tim Naço dhe me 40 pyetjet e tij jashtëzakonisht të përgjegjshme, Ministrja preferoi të anashkalonte përgjigjen e vërtetë të pyetjes, duke na treguar në vend të saj përrallën e zakonshme të emergjencës së rikonstruktimit të Teatrit.

Zonja Ministre, të jesh e sigurtë që edhe unë, brezi im, apo edhe ndonjë brez më i ri se unë, që jemi rritur me kinematografinë shqiptare e me aktorët tanë legjendare, që ky Magua guxon t’i quajë edhe Mohikani i Fundit, e kemi të qartë që Teatri Kombëtar e çdo teatër në Shqipëri, për aq sa kanë ngelur ende në këmbë, kanë nevojë për dorë e për investime.

Askush nga ne nuk do guxonte të kundershtonte asnjë shifër të investuar për teatrot nga buxheti i shtetit, por ju nuk keni lekë për të harxhuar për teatrot e për trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Ju harxhoni lekë për të hartuar ligjin për trashëgiminë kulturore, por asnjë lek për ruajtjen e trashëgimisë realisht. Ju harxhoni lekë për të gjithë ato miq e shokë që ju përmendi Znj. Vokshi në fjalën e saj, por asnjë lek për kulturën. Pra, ky ligj nuk vjen për një investim shtetëror, por është një ligj i veçantë në llojin e vet, i cili tenton të grabisë mijëra metra katrorë pronë publike e t’ia japë klientit të Kryeministrit.

Edhe po të hapnit procedurat për një prokurim publik, duke zbatuar parashikimet e këtij ligji për konkurrimin e drejtë e të paanshëm, nuk do kundërshtonte askush nga ne. Por kjo nuk ndodh, pasi nuk iu pelqen as gara dhe mbi të gjitha, doni që edhe specifikimet teknike të investimit, t’i përcaktojë subjekti privat. Pra ky ligj, nuk vjen as konform rregullave që parashikon ligji për prokurimet publike, por është një ligj i veçantë në llojin e vet, që tenton të minojë çdo rregull të vendosur mbi konkurrimin e ndershëm, mbi përzgjedhjen e më të mirit dhe që zgjedh kë iu do qejfi e siç iu do qejfi, siç tha edhe Ministri Ahmetaj.

Historia jonë ka treguar se kur shteti nuk e përballon dot me fonde dhe investime një sektor, atëherë e ka dhënë atë për privatizim, madje duke respektuar një kriter konkurrimi, për aq kohë sa sektori që privatizohet ofron shërbime publike. Por ky ligj as këtë kornizë nuk e respekton, por është një ligj i veçantë në llojin e vet, i cili na tregon që do të investojë privati, por nuk tregon se si do të investojë mbi pronën publike, sa përfiton nga ky investim i pakërkuar në pronën publike, a ngelet më prone publike pas këtij investimi apo a përfiton diçka shteti nga ky investim?! Zero qartësi dhe zero transparencë mbi këtë marrëveshje negociimi që kërkohet të bëhet me ligj dhe me votat e Kuvendit.

Në projektligjin e sjellë, njëkohësisht edhe në raportin e Komisionit përgjegjës, jo vetëm nuk është e qartë se çfarë perfiton shteti e qytetarët e çfarë privati, por thuhet se shteti, menjëherë me përfundimin e projektit, bëhet pronar i godinës së Teatrit. Po me territorin rreth e rrotull Teatrit çfarë do të ndodhë? Sigurisht, do t’i hiqet Teatrit, do t’i hiqet artistëve, do t’i hiqet shqiptarëve e tinëz do t’i jepet në pronësi investitorit, i cili më pas do bëjë ç’të dojë me ato metra.

Nje tjetër ligj që shkelet duke sjellë këtë projektligj, është ligji i Vetëqeverisjes Vendore, i cili obligon angazhimin e Këshillit Bashkiak, me një shumicë prej 3/5, në rastet kur tentohet tjetërsimi i territorit nën administrimin e një Bashkie. Meqënëse këta nuk e kanë këtë shumicë në Këshillin Bashkiak, atëherë nuk e kanë për gjë të shkelin edhe një ligj tjetër e të vendosin që tjetërsimi i territorit të Teatrit të bëhet me gjysmën e anëtarëve prezentë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Në fund, ciklimin e Këshillit Bashkiak, e zëvendëson Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që respektivisht bëjnë miratimin dhe firmosjen e kontratës. Edhe me të drejtë, se subjekti privat duhet t’a dijë se kujt duhet t’ia dijë për faleminderit për gjithë këtë nder që po i bëhet dhe se ku duhet të dorëzojë pjesën e mbetur të lekëve.

Na sollët këtu shembujt e Parkut të Liqenit apo të Stadiumit, si shembujt e suksesit tuaj, që ne i paskemi anatemuar në fillim e më pas jemi krenuar, madje ka nga ata kolegë këtu që na thanë se tani për tani po e anatemojmë, por më pas do krenohemi me kryeveprat që do të luhen në atë Teatër… Deliri i madhështisë ju ka zënë sytë deri në atë pikë sa mendoni që edhe kryeveprat botërore e shqiptare që luhen në Teatër, i keni krijuar ju. Ju po, me këtë projektligj që keni sjellë, keni krijuar kryeveprën më të madhe korruptive që mund të kenë parë sytë e shqiptarëve, madje jam 100% e sigurtë dhe e bindur që me mënyrën se si e keni mbrojtur sot këtë paçavure që keni krijuar, ua keni kaluar nga profesionalizmi edhe atyre aktorëve të shkëlqyer që po protestojnë jashtë.

Kjo paçavure me të cilën kërkoni të legjitimoni vjedhjen e 200 e kusur milionë €-ve, nuk është ligj, përkundrazi, është antiligj, që institucionalizon djallëzine dhe pazaret e Kryeministrit.

Kjo paçavure, nuk perputhet me asnjë ligj në Republikën e Shqipërisë, pasi shinat në të cilat ecën ky Kryeministër e kjo Qeveri, nuk janë ato ligjore e Kushtetuese, por shinat e shtruara nga kriminelët, oligarkët, narkot e mafia, që e kanë kapur Kryeministrin e Qeverinë e tij prej fyti e që nuk do t’a lëshojnë deri sa t’a largojnë artistët, kuksianët, mësuesit, policët e ndershëm, gjyqtarët e prokurorët e ndershëm që ky i shantazhon, administratorët e bizneseve që po mbyllen çdo ditë, emigrantët, azilantët e madje edhe sirianët kur të vijnë dhe çdo shqiptar që është vënë nën thundrën e kësaj qeverie të korruptuar dhe të kriminalizuar.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, me shpresën që mes jush ka ende socialistë të vërtetë, të cilët do t’a dënonin në çdo rast praktikën e sjelljes së një ligji nga emra të përveçëm, ju bëj thirrje edhe një herë për reflektim, e Ju ftoj të mos e votoni këtë paçavure që tenton të përlyejë çdo ndërgjegje e të mos bëheni bashkëpunëtorë në këtë krim të shëmtuar të orkestruar pa mëshirë nga Kryeministri.

*Fjala e deputetes së LSI, në emër të grupit parlamentar për çështjen e Tearit Kombëtar 

SHKARKO APP