Çamëria, kulti estetik i popullit të ndaluar

Nga Dukagjin HATA/Shpirti çam, si një bekim i ardhur portës së shekujve të dhimbjes, trazuar endjeve biblike, hijes së legjendave e baladave të ngritura në himn, shenjave të lëna në kohë nga apostujt e fjalës poetike, ka lënë gjurmë në eterin e vijave të fatit kolektiv të shqiptarëve të Çamërisë e këto gjurmë na çojnë në një rrugëtim tjetër, rrugëtimi i lexuesit, që përcillet me busullën e të pathënave në lëkurën e fatit shqiptar. Në këto shenja, që nga hapësirat e shpirtit kolektiv deri tek individualitete krejt të përveçme të botës çame e jo vetëm të saj, gjallon lëkura e dashurisë dhe brengës, mallit dhe idilit romantik, ikjes dhe kthimit në kufijtë e pamundësisë, endja dhe shthurja e pëlhurës mitike në kontekstet e një Itake, që sa më shumë kohë kalon nga ndarja fizike me të, aq më shumë bëhet e pranishme, deri në ulërimë, dëshira e kthimit dhe përmbushjes së amanetit të gjenezës.

Këto përjetime të qasen si ndjesi kompleksive të unit teksa lexon poemthin “Udhë e përditshme” të poetit çam Hekuran Halili, një udhëtim metafizik në kohën e çakërdisur të një populli të ndaluar nga dhuna dhe spastrimi entik greko-zervist. Autor i një libri me tregime rrëqethëse dhe i disa përmbledhjeve poetike mbresëlënëse për fatin e shqiptarëve të Çamërisë, Halili në këtë poemth, me një gjuhë të kondesuar, ku metafora dhe simboli veshin me petkun e mesazheve të forta vargjet dhe strofat, përcjell tragjedinë e një toke të mohuar, drejt së cilës, për shkak të disa rrethanave, që kanë shkuar në të kundërt të kohës së shqiptarëve, udhëtimi duket i pamundur.

Analogjia, si pjesë e diskursit krahasues, ku seliten imtësitë dhe dalin në pah dallimet dhe përbashkësitë, na çon në shtegtime të tjera poetike, të atij soj, që tashmë kanë hyrë në analet e mendimit estetik e më gjerë, si bie fjala poezia epistolare “Baladë çame” e shtegtarit të vetmuar të Golgotës, Bilal Xhaferi. Por janë dhe dhjetëra përcjellje të tjera poetike, që poetët e të gjitha trevave të shqiptarisë i kanë bërë çështjes çame, e cila tani, më tepër kurrënjëherë më parë, po kthehet në një temë dite për shkrimtarët, poetët dhe letrat tona kombëtare në përgjithësi. Veçmas, me zërat e tyre origjinalë dhe plot kumte gjithëkohore, vijnë poetët e Edenit të braktisur, Namik Mane, Bedri Myftari, Abaz Veizi, Shefki Hysa etj, bardët çamë të dashurisë së kryqëzuar nën delirin apokaliptik të mizorisë. Hekuran Halili, njëri prej tyre, e ka përcjellë fatin dhe fatalitetin çam në poezinë dhe prozën e tij kualitative, me përmasat e saj reale dhe transfigurime të befta estetike.

Nëse tek “Baladë çame”, poeti ngre në kult dramatikën e ikjes,  klithmën e një braktisje tragjike, të pa fat, tek poemthi “UDHË E PËRDITSHME”,  tek Hekuran Halili, pasardhësi po çam i shkrimtarit të ndaluar, gjejmë glorifikimin e ankthit ekzistencial të mbërritjes, makthin e një pamundësie “në  udhën drejt një vendi që kurrë s’e mbërritëm”, siç shkruan poeti.

Kulti i mbërritjes, që poetët herë e quajnë herë “Itakë”, herë “Tokë e Premtuar” etj., ka kohë që udhëton në poezinë shqipe, qoftë në poezinë e traditës, qoftë në atë të re, që po krijohet në këtë kohë të çlirimit të madh të gjithçkaje e veçmas të letrave tona, ku muret e paradigmave të stisura jashtëestetike po bien një nga një.

Kjo pikëmbërritje, që në rastin e mesazhit të popullit çam merr trajtat e një destinacioni kolektiv, vjen tek poezia e Halilit si një klithje që sjell me vete një botë të trazuar ndjesish dhe emocionesh, rendjet dhe befjet e poetit në kërkim të rrënjëve të tij. Në këtë kërkim, mbi pirgje kockash e gjaku, gjenocidi dhe barbarie, poeti përzien e shkrin në një unin e tij ankthioz dhe kauzën e një populli të kalvarizuar.

Në rrugëtimin drejt rrënjëve, poeti ndesh muranat e përgjakura të një historie të keqkuptuar, mizorinë e atyre që, pasi ia vranë njerëzit e fisit dhe gjakut dhe ia bllokuan udhët e kthimit, tani po bëjnë çfarë është e mundur që t’ia kthejnë këtë kthim në një mision të pamundur.

Poeti e përcjell trazimin tragjik të popullit biblik çam me nota të forta dhimbjeje dhe denoncimi, duke na ftuar të bëhemi pjesë e mesazhit të tij, për të zgjuar kohën dhe bashkëkohësin e fjetur.

Hekuran Halili e rimerr dramën e rëndë të popullit të ndaluar çam dhe e përcjell me ngarkesa emocionale në vargje të veshur me këmishën e dhimbjes dhe shpresës, të atij dyzimi dhe ankthi substancial, që përbëjnë shtratin historik dhe të përditshëm të një realiteti makthioz, ku vërtitet kërkimi i Edenit të mohuar shqiptar, duke lypur: “udhën e dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë,/udhën e eshtrave mbi udhë mbetur,/udhën ku rënkon një shpirt e qan një Nënë…”

Nëse Bilal Xhaferi tek “Baladë çame” rikrijoi brengën kolektive në kohën kur atdheu ishte më pak atdhe se kurrë dhe më shumë demon se kurrë, për shkak të demonëve që e manipulonin, Hekuran Halili, në një kohë tjetër,  ndërton një urë drejt të pamundurës, e cila, për sa kohë që ekziston shpresa e kthimit, duket se kjo e pamundur i ka humbur të gjitha justifikimet dhe alibitë.

Tek poemthi i Halilit, udhëtimi drejt Çamërisë është një udhëtim fizik e mental, psikik e shpirtëror, real dhe virtual, qartësisht i prekshëm dhe flu e trashendent në të njëjtën kohë, pasi në kuptimin e etjes për të arritur në tokën e të parëve, tentativa e poetit shkon drejt një apoteoze mistike.

Ka çaste makthi, udha bëhet kufomë,/kufoma bëhet udhë nën një qiell të trishtuar,/i trishtuar si unë, – gur i rëndë./Ka çaste që mezi çaj stivat e kujtimeve,/të rënda më shumë se plumbi,/se me plumb janë zënë…

 Udha e përditshme, e për çdo çastshme, e gjithë kohëshme e poetit, është një udhë që shkon drejt thelbit ekzistencial të kohës dhe historisë, drejt udhës së “dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë,/udhës së eshtrave mbi udhë mbetur”, për t’u takuar me vetveten e tij autentike, me atë çfarë përbën gjenezën dhe të ardhmen e tij,  në përballjen me “mundimin e dhimbjeve buzëplasura”.

Përditshmëria drejt Çamërisë për poetin, së pari, është një qasje e mendimit-“Përditë, të gjitha mendimet më marrin përdore,/e bashkë bëjmë të njëjtën udhë”; më pas, një udhëtim fizik i pamundur: “Unë eci pa u frikësuar se do humb udhën e nisur/duke përtypur mundimin e dhimbjeve buzëplasura”, për të vazhduar më tej me ballafaqimin me historinë, me kauzat e përgjakura dhe mitologjinë antishqiptare të kthyer në sindromë veprimi, që ende sot mëkon helmin e zi të shpifjes dhe makthit për popullin shqiptar të Çamërisë.

Imazhi dantesk që të përfton leximi i “Baladës çame” të mbetet në mendje për një kohë të gjatë; të duket sikur po vështron një prag-apokalips, që si një gjëmë e rëndë vërtitet në trojet epiriote, duke lënë prapa rënkim dhe shkretim:

“Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë. /Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë/nëpër bregore. /Dhe kudo toka çame, /mbuluar nga retë, /rënkon e mbytur në gjak e lot, /e mbetur shkretë, /pa zot. /Na e tregojne drejtimin plumbat, /na e ndriçojnë rrugën flakë, që gjithë /tokën kanë përpirë”…

Në poezinë e Halilit distanca më e madhe në kohë duket se i ka shuar flakët, por ankthi dhe vuajtja është akoma më e madhe, më klthëse; dhimbja ulëritëse sjell me vete tragjizmin e një udhëtimi të mohuar “në tise të muzgëta pastrimesh etnike”, udhëtim që, sipas poetit, “rrit zemrën, shkund ëndrrat nëpër erë,/i nis para vetes, për t’i bërë lajmëtare biblike”…

Lirizmi dhe tragjizmi pleksen fort në shtjellën e modernitetit poetik, magjia e fjalës plekset me freskinë e figurës dhe konkretësinë e imazhit, ritmit të brendshëm dhe strukturës poetike i përgjigjen gjendje dehëse e trallisëse, që të shkundin fort e të bëjnë të mendosh për fatin e tokës çame dhe të popullit martir çam, sot në këtë epokë të globalizmit dhe integrimit global.

Për poetin, Çamëria është dashuria e kryqëzuar nga barbaria, po aq sa nga barbaria e vjetër, nga një barbari e re, moderne, e veshur me petkun festiv të BE-së e rishtas ajo, dashuri e dheut mëmë të humbur, nuk rresht asnjëherë së kërkuari bijtë e saj të ikur, varret e saj të shpërngulur. Është dhimbja e shpirtrave të trazuar që shtegtojnë në kohë, që e çon poetin çdo ditë nëpër të njëjtën udhë, nëpër të njëjtat imazhe, nëpër të njëjtin makth kalvari, por çdo ditë me një shpresë të re se mbërritja, dikur do të jetë e mundur. Është kredoja shpirtërore e birit për nënën, që e nis poetin drejt zbulimit të kultit të vendlindjes, kultit të një dashurie të lënduar, por që vazhdon të ushqejë me nektarin e saj rrënjët e jetës, gjenezës dhe vazhdimësinë.

SHKARKO APP