Ç’duhet Presidenti, ta shkrijmë!?
Nga Leonard Karaj –
President pa veto ndaj ekzekutivit. Që nuk ndalon dot Kuvendin, as për nisma ligjore dhe ca më pak që ta shpërndajë për arsye të qenësishme formalo-juridike. Nuk ka fuqi të refuzojë dekretimin e një datë zgjedhje, të një anëtari të qeverisë, apo gjyqësorit. Nuk duhet të japë dekorata pa pyetur indirekt edhe kryeministrin. Nuk firmos shtetësi, pa aprovimin e një ministri. Nuk ka fuqi detyruese në politikën e jashtme, as kur cënohen rëndë interesat e vendit. Është vetëm formalisht kreu i forcave të armatosura, në një vend, pjesë e NATO-s, ku paradoksalisht edhe liritë, thelbësisht dhe qartësisht e kemi të siguruar nga aleanca euro-atlantike. Në pak fjalë, me “Rilindjen” në pushtet, ia kemi arritur denjësisht qëllimit: presidenti nuk na duhet fare!.
Me ndryshimet që pritet të kalojnë së shpejti në paralament, më shumë fuqi ka një noter sesa kreu i shtetit. Këtë kërkon të bëjë sot Rama dhe me një shtet totalisht të uzurpuar, nuk është çudi që ta realizojë. Kësisoj, të bëhesh sot president do të thotë të jesh një person që edhe pse në majën e hireakisë shtetërore; edhe pse teorikisht përfaqëson kombin në gjithë qenësinë e vet, institucionalo-morale; edhe pse fjala jote duhet të zërë vend, jo vetëm kur flet por edhe ku hesht; gjithsesi mbetesh/je një rrogëtar në prag pleqërie, të paktën kjo parë sipas optikës së mazhorancës. Dhe më e pamoralshmja në gjithë këtë stisje institucionale dhe gjoja zgjidhje për ngërçe të hamendësuara nuk është se ka të bëjë me presidencën, më shumë sesa me presidentin si emër. Zor të mendosh të kundërtën nëse në krye të atij institucioni nuk do të ishte Ilir Meta, një politikan hiperaktiv, që dyshoj fort se do ta kishte pranuar atë post nëse do ti ishte ofruar sot.
I inatosur përpara opozitarizimit të Metës; i dorëzuar edhe pas fakteve juridike të dhëna nga “Venecia”, Rama ka gjetur mënyrën më tinzare për të thuajse shkrirë Metën bashkë me presidencën si institucion. Me miratimin e projektligjit të ri, presidenti do të jetë posti më honorifik i mundshëm. Aq shumë “zhvishet” nga kompetencat sa është moralisht në një nivel me një president nderi të një federate sporti. Asgjë më shumë sesa kaq nuk ka. Nuk ka më asnjë shans që të pengojë dekretimin e gjyqtarëve në gjykata si atë Kushtetuese, apo të Lartë, pasi mënyra e zhbllokimit të nëj situate të tillë, parashikuar nga mazhoranca e nxjerr teorikisht jashtëloje veton e kreyt të shtetit. I hiqet e drejta të mosdekretojë ministra, apo qoftë edhe të kërkojë informacione për ta, pasi nëse nuk e bën (si në rastin e Gent Cakës), nuk është fare problem, pasi me projektligjin e ri, ministri hyn në zyrë edhe me vullnetin e mazhorancës së thjeshtë në kuvend. Nuk do ketë kurrëfarë “të drejte” mbi ekzekutivin dhe legjistativin dhe ca më pak mbi Kryeministrin. Madje neni 10 i këtij drafti është një “perlë” juridike, e denjë për monarki të trashëgueshme. Në pikën 6 të këtij neni thuhet: “Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend”.
Pra, Rama ka parashikuar me këtë nen edhe krijimin e një mekanizmi zhbllokues, që mund të krijohet sipas “Rilindjes” në një situatë ku asnjë forcë politike nuk arrin të krijojë shumicën në parlament. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm (kupto Ramën), atëherë Presidenti emëron Kryeministër (me hir apo me pahir) dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend. Kësisoj, duke besuar fort se Partia Socialiste do të marrë më shumë deputetë se forcat e tjera politike, por duke pasur gjithsesi frikën e mosarritjes së një mazhorance qoftë edhe minimale (71 deputetë), Rama i është imponuar me ligj, që Meta ta dekretojë si kryeministër pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Kështu, pas zhveshjes nga kompetencat për mënyrën e zgjedhjes bërë nga Berisha, me bekimin e Ramës në 2008-ën (kujtojmë se deri në atë kohë, duhej të kishte dakordësi mes partive politike në kuvend pasi presidenti zgjidhjej me mazhorancë të cilësuar); pas krasitjeve të tjera bërë në ndryshimet kushtetuese të 2016-ës në kuadër gjoja edhe të reformës në drejtësi, projektligji i ri, duket si “funerali” i institucionit të presidentit.