Ceremoni në Shkodër, për të vrarët në kufi në 1989-ën

Shoqata e të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politik të Shkodrës dhe Departamenti përkatës i Partisë Demokratike, organizatorë të aktivitetit

Nga Dedë Marku/Ditën e shtunë më dt. 25 qershor, Shoqata e të ish-Persekutuarve Politik Shkodër, në bashkëpunim me Departamentin e të Përndjekurve dhe të Persekutuarve Politik pranë Partisë Demokratike, ka organizuar një ceremoni përkujtimore mbi dy të rinjtë, Gjon Mark Kumbullaku dhe Dodë Fran Gjekaj, të cilët u vranë në kufi në fund të regjimit komunist, atëherë dhe kur ligji e kish çliruar shkeljen e kufirit nga dënimi me vdekje. Ketë ceremoni e hapi kreu i shoqatës së ish tw Përndjekurve me qendër në Shkodër, Zenel Dragu dhe me pas Drejtori i Institutit të të Përndjekurve ne Tiranë, Bilal Kola.

Pas ceremonisë së tubimit në kujtim të kesaj ngjarje në kinema “Milenium” në Shkodër u mbajt një konferencë ku u shfaq njw video-film me emrat dhe moshën përkatëse të të vrarëve në kufi gjatw regjimit komunist nw tw gjithë territorin shqiptar. Më pas disa nga të pranishmit mbajtën fjalët përshëndetëse. Me këtë rast u mbajt dhe një referim mbi librin e historianit Kastriot Dervishi “Vrasjet nw kufi”.

“Ka qenë gushti i vitit 1989, isha fëmijë, ushtarët e Armatës Popullore të Jugosllavisë na merrnin shpesh që tek posta kufitare në Fraskanjel të luanim futboll. Nuk e mbaj mend saktë, por e di se ishte një festë dhe ushtarakët e banorët vendas po festonin, kishte edhe muzikë. Unë duke qenë se e dija mirë serbo-kroatishten, u shoqërova me një ushtarë i quajtur Tomo dhe ai më mori e së bashku me të u ngjitem sipër në kullën e vrojtimit. Një dylbi e madhe me të cilën më jepej mundësia të shihja çdo gjë. Në një moment shoh që diçka nuk shkon, një grup njerëzish po afroheshin pranë bregut të lumit Buna në fshatin Belaj dhe në aty në moment edhe muzika u ndalua. Tomo ishte i fiksuar duke parë me një dylbi dore se çfarë po ndodhte. Kur toga e pushkatimit po bëhej gati për të të shtënë, Tomo më hoqi me vrull nga dora dylbinë dhe më ktheu me shpinë nga Shqipëria. U dëgjua krisma e automatikut! Pak minuta më vonë në kamion u afrua dhe pashë që i lidhen në spontat e kamionit dhe nisën xhiron nëpër fushën e Dajçit, ku njerëzit ishin duke punuar. Kjo ngjarje më erdhi në mend në momentin që në Sheshin “2 Prilli” të Shkodrës, pashë dy fotografitë në vendosura në rimorkion e një kamioni IFA të Gjon Mark Kumbullakut dhe të Dodë Fran Gjekaj, të vrarë me 26 gusht të vitit 1989 në përpjekje për të kaluar kufirin”, kujton gazetari Simon Shkreli.

“I kanë vrarë në postën e Rrushkullit dhe i kanë varrosur në Kalldrun të Malësisë së Madhe. I kanë lidhur me tela me gjemba, vetëm në mbathje dhe i kanë shëtitur nëpër fshatrat e Nënshkodrës dhe në qytetin e Shkodrës”, shprehet Ndoc Çulaj i afërm i tyre. Vetëm në vitin 1993 u bë e mundur që të gjenden eshtrat e tyre dhe të varrosen nga familjarët.

Marshimi nisi nga vendi simbol i demokracisë, për të vijuar në disa rrugë kryesore të Shkodrës, ashtu si në gushtin e vitit 1989 kur IFA ushtarake, me dy të rinj të lidhur në spondë, përhapte tmerr, sot pas 27 vitesh të sjell në kujtesë ato ditë.

“Kanë qenë të rinj, 20- vjeçar, të cilët refuzuan punën në aksion në  Milot dhe u larguan me qëllim për një jetë më të mirë. Zgjodhen zonën që e njihnin më së miri, por siç duket, armiqtë i kishin  bërë llogaritë më parë. Pak momente para se të hidheshin në lumin Buna për ta kaluar kufirin për në Mal të Zi, arrestohen nga ushtarët dhe vriten në vend. Lidhen me tela me gjemba dhe dërgohen në të gjithë fshatrat e Shkodrës. Ne nuk duhet të harrojmë në asnjë moment, të kaluarën tonë komuniste, brezave duhet t’ua mësojmë. Vrasjet në kufi janë ngjarjet më të dhimbshëm dhe më të freskëta në memorien tonë”- shprehet kështu Zenel Drangu, ish i burgosur politik dhe Kryetar i Shoqatës në Shkodër.

Një moment reflektimi për këtë të kaluar por edhe për këtë 25 vjeçar të lirisë, e kanë quajtur të pranishmit. Bep Kolombi ka kërkuar llogari se pse këto vite pluralizmi në vend që të dënohen kriminelet komunist ata janë graduar me poste edhe ofiqe.  “Një vajzë 11 vjeçe e vrarë në kufi, pasi i kemi zhvarrosur trupin, fustani i saj ka qenë i pa prekur! Trupi ka qenë i bërë shoshë. Kjo tregon makabritetin e atyre njerëzve. Pse një ish- sigurims, i cili ka qenë shef i Zhdukjes së Krimeve në Shkodër, të shpërblehet me një post në Bankën Kombëtare, siç është ai i drejtorit juridik. E sa e sa të tjerë”.

Ndërsa Simon Mirakaj u shpreh se: “Dy kryetar parlamenti kemi pasur nga shtresa jonë, njëri 28 vite burg dhe tjetra, me axhën në burg, një nga familjet më të mira të Shkodrës. Enver Hoxha ende i mbanë gradat! Ramiz Alija është varrosu në shtrat të topit me flamurin kombëtar, jo me atë me yll, sepse atë e shpiku vetë. Është bërë mjaft për shtresën e persekutuarve por ajo që nuk është bërë është de-komunistizimi i shoqërisë shqiptare”. Banda e qytetit të Shkodrës me muzikën mortore e përcolli marshimin-homazh deri tek ish-Dega e Brendshme. Vendi ku trupat e të ekzekutuarëve u lanë për disa orë më pas u transportuan për në zonën e Malësisë së Madhe, ku edhe u varrosen. Në fund të ceremonisë përkujtimore, nga ana e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, u ndanë edhe disa diploma mirënjohjeje për gazetaret Monika Stafa, Genta Popa etj., për kontributin e dhënë në media për respektimin e këtij komuniteti me të gjitha të drejtat juridike dhe sociale në ndihmë të kësaj shtrese, me dokumentarë televiziv, studime, libra, shkrime etj.

SHKARKO APP