Certifikohen 100 gra dhe vajza në Elbasan, një model i ri për punësim dhe kujdes social

Në Elbasan u zhvillua ceremonia e mbylljes së projektit 6-mujor të Shoqatës “Tjetër Vizion”, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, CIES Onlus, AKPA dhe me mbështetjen e PNUD Albania, ku u certifikuan gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në programe aftësimi profesional.
Në takimin përmbyllës të projektit “Menaxhimi i Integruar i Rasteve për punëkërkuesit në nevojë” mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili theksoi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë të bashkisë për fuqizimin e grave dhe vajzave në nevojë. “Ky është një projekt ku në fund të gjithë jemi fitimtarë, përfituese janë gratë kryefamiljare, viktimat e dhunës dhe ato që kanë qenë në ndihmë ekonomike, të cilat tashmë janë të afta të kontribuojnë në ekonominë e qytetit. Përveç kësaj, Bashkia Elbasan ka hartuar edhe një program të posaçëm për asistencën e të moshuarve të vetmuar, si edhe për institucionet rezidenciale (Azil) ku kërkohet punësim dhe shërbim i specializuar. Ky është një model që jo vetëm ofron mbështetje sociale, por krijon edhe mundësi reale punësimi për qytetarët tanë”, u shpreh Llatja.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Tjetër Vizion”, Arjan Cala, nënvizoi se projekti shënon fundin e një rrugëtimi trajnimi dhe fillimin e një etape të re, punësimin dhe integrimin në jetën e përditshme. Ai falënderoi Bashkinë Elbasan për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me institucionet vendore dhe qendrore për realizimin e objektivave sociale.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e PNUD Albania, Edlira Papavangjeli, vlerësoi modelin e Bashkisë Elbasan, duke e cilësuar si një qasje inovative që kombinon kujdesin social me punësimin e qëndrueshëm. “Ky është një nga rastet e rralla ku një bashki ka treguar qasje proaktive, duke vendosur në qendër jo vetëm punësimin, por edhe asistencën për të moshuarit e vetmuar. Ky model është shembull i shkëlqyer dhe duhet të transferohet edhe në bashkitë e tjera të vendit”, u shpreh Papavangjeli.
Në aktivitet u prezantuan edhe histori suksesi nga gratë pjesëmarrëse në kurs. Zamira Nergjoni, 33 vjeçe, falë kursit të rrobaqepësisë ka siguruar punësim të qëndrueshëm, ndërsa Kristiana, 25 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe e mbijetuar nga dhuna në familje, synon të hapë një biznes të saj. Një grup tjetër grash të dala nga dhuna familjare u pajisën me certifikata, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e punës.
Ky projekt synon fuqizimin ekonomik të 100 grave dhe vajzave në nevojë, duke i nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike dhe duke i aftësuar për punësim të qëndrueshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?