Çfarë mungoi në Festivalin e Gjirokastrës?

 

KRITIKA

Nga Vlash Prendi

Më në fund edhe evenimenti më i rëndësishëm folklorik mbarëkombëtarë përfundoi. Përfundoi aktiviteti më i madh që promovon ritmikisht në çdo 5-vjet kërkimet dhe vlerat e këngës dhe valles burimore mbarëkombëtare shqiptare, për të cilin pak u interesuam, pak kontribuam dhe akoma më pak punuam. Ishte një festival vlerash, gjetjesh, përsëritjesh, mungesash dhe prapaskenash, për të cilin organet përkatëse sidomos Ministria e Kulturës, apo Instituti i Antropologjisë duhej të ishin menduar më mirë.

Mirë duheshin programuar edhe paraqitjet dhe komisionet përzgjedhëse në rrethe, pasi për të organizuar një festival si ky yni që e ka zanafillën që nga periudha e hershme e postkomunizmit në vitin 1968, mbetur në trashëgiminë tonë popullore si atavizëm i asaj kohe, kërkonte më shumë vlerësim, seriozitet, organizim dhe mobilizim të gjithë strukturave të fushave të kërkimit folklorik, sidomos bartësve, krijuesve, interpretuesve dhe specialistëve të folklorit dhe ajo çka është më e rëndësishme ti bashkëngjitej kësaj pune përgatitore… një faturë financiare.  

Duhet thënë që në fillim se festivali pati vlera, askush nuk ka të drejtë të mohojë vlerat e tij sado modeste qofshin ato, por nga ana tjetër duhet theksuar se puna për përgatitjen dhe organizimin e tij mund të ishte bërë më e kujdesshme, më me seriozitet dhe përkushtim nga forcat krijuese. E them këtë sepse e kam ndjekur punën për përgatitjen e tij për disa ditë me radhë, madje si njohës dhe mbledhës folklori kam qenë edhe në një grup pune për përgatitjen e tij. Më duhet ta them se puna çaloi që në mbledhjen e materialit në terren. Munguan ekspeditat e kërkimeve folklorike, mbledhjet e kualifikuara të materialeve, këngë dhe valle, interpretimi real dhe autokton i riteve etj. Për disa arsye në disa qarqe u shfrytëzuan materiale ekzistuese dhe u kontrolluan dosje të arkivuara vite më parë, duke penalizuar në një farë mënyrë, kërkimet dhe zbulimet e reja folklorike. Kjo u pa qartazi edhe në interpretimin e 12 qarqeve, ku shumica e këngëve ishin të njohura, disa prej tyre të interpretuara më parë, aq më keq kishte edhe këngë të krijuara nga dora e folkloristëve, ose tekste të përshtatura. Ministria e Kulturës, kohë më parë pati nxjerrë një udhëzim, ku shpreheshin qartazi kriteret e mbledhjes, përzgjedhjes, konkurrimit dhe interpretimit të këngëve dhe valleve, por që në fakt nga specialistët e qarqeve, pak u patën parasysh. U vu re që në fazën përzgjedhëse në qarqe, tendenca e eliminimit, madje e bartësve më në zë të folklorit tonë, të vetmes pasuri kombëtare folklorike që na ka mbetur sot në ditët tona.

Tradita jonë folklorike, bartësit e saj, krijuesit dhe interpretuesit e kanë të pamundur të promovojnë vlerat e tyre në skena të tjera. I vetmi ka mbetur Azgan Haklaj që herë pas here organizon veprimtari të tilla folklorike, pa harruar edhe Shoqatën e Miqësisë “Shqipëri-Itali” me qendër në Kurbin, që përpiqet të japë maksimumin në një front të tillë. Vite më parë pati nisur një iniciativë mjaft frutdhënëse siç ishte organizimi i Sofrave Folklorike në disa treva të ndryshme sidomos në zonat e veriut, dhe Shqipërisë së Mesme. Për pak kohë u dalluan rrethe si Tropoja, Dibra, Mati dhe Tirana, por edhe kjo iniciativë shpejt u shua. Me iniciativën e të mirënjohurit Esat Ruka, rapsod i njohur, qe organizuar festivali i rapsodëve në Lezhë më pjesëmarrje nga shumë treva të Shqipërisë, por edhe ky aktivitet i pati ditët e numëruara. Kështu që mbeti vetëm Festivali Kombëtar i Gjirokastrës vendi i parashtrimit të vlerave folklorike të kombit tonë. Parë në këtë këndvështrim, ky Festival duhej vlerësuar në nivelin e duhur nga autoritetet përkatëse. Është e pafalshme që grupet e rretheve të mblidheshin për herë të parë në fillim të muajit prill, për të konkurruar nëpër qarqe në fillim të prillit dhe për të interpretuar në Gjirokastër nga data 10-16 maj. Në fakt grupet u mblodhën, pa menduar për pagesat, pa infrastrukturën e duhur, vetëm me mjetet e aktorëve. Komisionet organizatore të festivalit u vunë në shumë vështirësi, pasi nuk mund të kërkonin asgjë nga artistët pa u plotësuar atyre kushtet, të paktën minimale. Nga ana tjetër, shumë bartës të kulturës sonë folklorike, nuk u aktivizuan as në mbledhje materialesh dhe as në përpunimin apo interpretimin e tyre.  

Ndoshta kjo ishte arsyeja që festivali nuk u ngjit dot në lartësinë e vlerave që ka folklori ynë kombëtar. Duke qenë shpirti i kombit, folklori duhet vlerësuar shumë, sepse dihet fakti se përmes folklorit është ndërtuar historia e vendit, historia e kombit. Parë në këtë këndvështrim, në evenimente të tilla duhen evidentuar, aktivizuar, përzgjedhur dhe angazhuar specialistët, njohësit, krijuesit dhe interpretuesit më të mirë nëpër qarqe dhe jo ti lihet rastësisë organizimi i kësaj ngjarje me shumë vlera, sidomos për trevat tona shqipfolëse. I munguan festivalit shumë krijues, mbledhës të folklorit, interpretues me vlera kombëtare, artistë të njohur, instrumentistë, mjeshtër të këngës etj. Thuhet se shumë prej tyre u eliminuan nga konkurrimet në qarqe, pasi në përgjithësi nga informacionet që kam edhe konkurrimet në bazë qarqesh nuk u zhvilluan me seriozitetin e duhur. Thënë ndryshe, këngët u përzgjodhën sipas influencës, pasi pati qarqe me tre rrethe ku nga njëri rreth u përzgjodhën dy numra, tjetri tre dhe rrethi qendër pesë apo gjashtë .Në një farë mënyre, kjo formë vlerësimi imponoi klasifikimin për në festival edhe të disa materialeve me vlera të munguara. Si njohës i folklorit dhe mbledhës për shumë vite me radhë, madje edhe si krijues i materialeve folklorike besoj se ruaj tagrin të jap mendime të lira, pa paragjykuar askënd, vetëm me qëllimin e mirë për të përmirësuar punën në këtë fushë, në të ardhmen. Më ka bërë përshtypje puna me tekstet, pasi disa prej tyre dalin jashtë kornizës së udhëzimit të Ministrisë së Kulturës dhe dyshoj se janë thjesht krijime të autorëve të ndryshëm, jo mbledhje nga goja e popullit. Lënë për të dëshiruar për mungesë të vlerave folklorike tekste të tilla si: “Vene dorën n’at flamur” -Dukagjin, “Për liri e për flamur” –Dibër, “Katër vilajete, shpejt do t’jenë nji shtet” –Kukës, “Për mejdan asht shqiptaria” apo kënga “Djali e plaku kan shti short” një variant i përpunuar i këngës së njohur folklorike “Del syzeza n’arë me korrë”. Përpunime dhe ndërhyrje të tilla nuk munguan në tekstet e këngëve të këtij festivali. Madje për disa këngë të interpretuara në festival u zbulua edhe autorësia. Rast unik mbeti momenti kur u falënderua poeti i ndjerë Gjok Beci, një nga krijuesit më brilantë në fushën e folklorit, si krijues dhe jo si mbledhës folklori, mendoj se fakte të tilla bien ndesh me udhëzimet e institucioneve përkatëse.  Askush nuk dyshon në zbulimin dhe autenticitetin e këngëve të mbledhura nga goja e popullit që për hir të së vërtetës ishin të pakta. Burimin në popull mendoj se e patën këngët: “Binin brirët e argjendta”, “O çoban”, “Kanga e drithit”, “Kesh në një kodër, rash në një vnesht”, “Mjeri unë nji gjel i shqeptë”, “Llazoret”, -rit pagan etj, apo ritet e festave dhe të dasmave që ishin të shumta dhe që flasin për zbulime të reja të mënyrës së festimit në të kaluarën. Tërhoqën vëmendjen ritet pak të njohura sidomos nga masa e të rinjve, “Endja e pëlhurës”, “Përgatitja e dhëndrit për dasëm” –Dibër, “O Zot na jep bukë, ujë, djathë” –Tropojë, “Kënga e drithit”, “Riti i dasmës mirditore”, “Llazoret”, “Bluj mulli, bluj” etj, por në shumë prej tyre këta rite nuk u zbatuan plotësisht.

 E nderoi festivalin pjesëmarrja e veteranëve Myfterim Kupa, Nikollë Preçi, Qerim Sula, Terezina Shtjefni, Azgan Haklaj, Mjeshtrit e Polifonisë së Jugut, Muharrem Mezani, Sadik Zeqiri, Pal Dedgjonaj, Gjovalin Ndreca, por nuk ishte në nderin e festivalit apo të jurive përzgjedhëse përjashtimi ose mospjesëmarrja në festival e bartësve viganë të folklorit tonë, artistëve që kanë ngritur dhe transmetuar vlerat e tij si Roland Cenka dhe grupi i tij, Gjok Nonaj, lahutari 105 vjeçar, usta Josif Shakollari nga Përmeti, mungoi zëri brilant i lahutarit Pjetër Matusha, grupi polifonik i fëmijëve të Gjirokastrës, rapsodi tashmë i njohur Kurt Lika, grupi i njohur “Argjiro”, si dhe emblema e trashëgimisë sonë kulturore i mirënjohuri Mark Gjoka.Qe skualifikuar edhe mjeshtri i instrumenteve frymore Pal Dedgjonaj, por më pas u thirr urgjent nga juria…dhe mirë u bë, sepse në kontekstin artistik ai është vlerë e shtuar e këtij festivali Vlerë e këtij festivali ishin të ftuarit nga trevat shqiptare, sidomos grupi “Drita e Dervenit” dhe “Trojani” të cilët sollën rite dhe vallë me vlera tërësisht burimore dhe autoktone. Unë mendoj se organizimi i festivalit sipas kësaj skeme nuk funksionon.Është tërësisht e pamundur që një rreth të pasqyrojë në skenë vlerat e tij folklorike për dhjetë minuta, ose një qark për 30 minuta.Është tërësisht e padrejtë që përzgjedhjen e materialeve folklorike ta komandojnë të ardhurit nga qendra, kur nëpër rreth ka forca kërkuese, krijuese, organizuese dhe interpretuese të mirëfillta të veprimtarive të tilla.Pra, për të ardhmen duhet të mendohet më mirë, të diskutohet më shtruar, dhe të aktivizohen njerëzit më të përshtatshëm të cilët as Ministria e Kulturës dhe as Instituti i Trashëgimisë nuk i njeh ose nuk don ti njohë.Kjo është totalisht e papranueshme, pasi janë ata që sjellin gjithnjë në aktivitete të tilla frymë të re, vlera të reja e të mos ndodhë si me disa qytete të njohura që nuk kërkojnë dhe as gjejnë dot trashëgimi folklorike, prandaj paraqiten në festival me këngë të njohura si “Moj e vogla si florini’, “Marshalla bukurisë sate”, “Valizakja”, “Të çezmja e Sharrës” etj, madje këto këngë kanë vlera të padiskutueshme sepse i përkasin fondit të artë të këngës sonë, por jo për festivale të këtij niveli. Për të mos diskutuar për dhënien e çmimeve apo vlerësimet e rretheve, e sidomos vlerësimet e disa prej artistëve të veçantë, duhet theksuar se festivale të tilla janë tribuna të promovimit të vlerave kulturore dhe folklorike, prandaj duhen vlerësuar, përgatitur dhe organizuar në mënyrë perfekte, madje edhe vlerësimet duhen dhënë në menyrë perfekte.E them këtë sespse kam vënë re se interesimi masës ka qenë i pakët, aq më shumë i medias, e cila nuk dënjoi ti ndiqte dhe pasqyronte vlerat e këtij festivali në lartësinë dhe hapësirën e duhur.Mandej edhe puna per pergatitjen e një festivali të tillë të permasave mbarëkombëtare duhet të fillohet dhe vlerësohet me kohë.Mendoj se aktivitete të tilla folklorike kombëtare mund dhe duhet të organizohen më shpesh edhe në kuadrin e trevave shqipfolëse, pasi  nuk është e mjaftueshme shpalosja e vlerave folklorike të një treve të lashtë si Shqipëria, vetëm një herë në pesë vjet.

 

SHKARKO APP