Çfarë ndodh në mëndjen tonë kur përballemi me tërmetin dhe si mund të rehabilitohemi psikoemocionalisht prej pasojave të shkaktuara?
Nga Besmir Guri-
Tërmeti është një ngjarje traumatike, përballja me të shkakton tek njerëzit një tronditje shumë të madhe emocionale, duke u shoqëruar me stres, ankth, frikë dhe sulme paniku. Përjetimet sa më lart, në një situatë tërmeti, mund të kenë pasoja të dyanshme pozitive edhe negative: nga njëra anë mund ta mobilizojnë personin duke e shtyrë atë të japë maksimumin e tij për të shpëtuar nga rreziku që i kanoset, nga ana tjetër këto reagime nervore, fiziologjike, sjellore dhe kognitive, nëse zgjasin në intensitet dhe kohë, mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj manifestimeve të çrregullimeve psikologjike si: depresioni apo stresi post traumatik (PTSD).
Situata pas tërmetit…
A po ju ndodh të përjetoni ndjesinë e lëkundjes pas çdo levizjeje të vogël që bëni në vendin ku jeni? A po ju ndodh të keni frikë pas çdo zhurme që dëgjoni në mjedisin ku gjendeni? A po ju ndodh të dyshoni vazhdimisht se ngjarja po ndodh apo do të përsëritet prap nga momenti në moment? A po ju ndodh të keni mendime të përsëritura dhe ne mënyrë të vazhdueshme rreth tërmetit? A po ju ndodh të keni vështirësi për të fletur ose zgjime të shpeshta nga gjumi? A po ju ndodh të përjetoni vazhdimisht stres, ankth, dhimbje, mungesë fuqie? A po ju ndodh të ndjeni dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, përshtjellim në stomak, mungesë oreksi apo shtim te tij, dhimbje gjymtyrësh, shtim të rrahjeve së zemrës, ndjesi lodhjeje të vazhdueshme?
Mos u panikoni për shkak të këtyre sa më lart. Duke marr në konsideratë gjendjen kaq traumatike që ende nuk ka perfunduar, të gjitha keto reagime te trupit dhe mendjes sonë, psikologjikisht konsiderohen reagime normale bazuar në një situatë të tillë të jashtëzakonshme, të paktën edhe për disa ditë pasi ka ndodhur ngjarja e vështirë dhe traumatike.
Lajmi i mirë është se me kalimin e kohës, intensiteti i tyre do fillojë të bjerë, për të shkuar gradualisht drejt normalizimit të gjendjes suaj psiko – emocionale. Kini parasysh se përgjatë një ngjarje shumë traumatike, është normale që personi të përjetojë simptoma karakteristike të një depresivi ( depresion normal në këtë rast ), por ajo që bën ndarjen nga normalja në patologji, është kryesisht kohëzgjatja dhe intensiteti i simptomave në ditët në vazhdim. Ajo që ju duhet të bëni, është të gjeni mënyra që lehtësojnë, përshpejtojnë dhe reabilitojnë gjendjen tuaj psiko – emocionale, për të mos lejuar që nga simptoma të justifikuara/normale, të kthehen në crregullim.
Këshilla për fëmijët dhe të rriturit
Për fëmijët:
• Flisni me fëmijën se si ai po ndihet, cfarë ka përjetuar apo po përjeton, frikrave të tij. Por kujdes, para se të flisni me të, duhet të jeni vetë të qetësuar, për të mos i përcjellë atij frikën dhe panikun tuaj.
• Shikoni me kujdes nëse fëmija po përjeton ndjenja fajsimi për veten. Kryesisht fëmijët e moshës parashkollore, mund të vetëfajsohen si shkaku i ndodhjes së ngjarjes. Nëse vini re tendenca të tilla vetëfajsimi, bëjani të qartë se nuk janë ata fajtorët e situatës së krijuar, por njëkohësisht duhet të bëni një shpjegim se përse ngjarja ka ndodhur.
• Tregoni mirëkuptim, mbështetje dhe dashuri pa ndërprerje për fëmijën, duke i rrezatuar qetësi dhe siguri situate pas situate, duke mos humbur durimin për asnjë moment në lidhje me dyshimet, pyetjet, pasiguritë që fëmija mund të shfaqë në mënyrë të përsëritur.
• Angazhoje fëmijën në lojra psikosociale, lojrat psikosociale janë një nga mënyrat më të mira për të filluar clirimin nga tensioni i traumës së pësuar, dhe vec kësaj loja mund të ju ndihmojë të kuptoni më tepër rreth efekteve që trauma ka pasur tek fëmija. Lojra të tilla e shtyn fëmijën të mos qëndrojë me traumën dhe pasojat e saj por të përfshihet në ndërveprim me të tjerët dhe clirim prej efekteve të krijuara nga ngjarja e përjetuar.
• Angazhoje fëmijën në aktivitete relaksuese që sjellin kënaqësi të vogla, por të mbledhura të gjitha së bashku na sigurojnë qetësi të përditshme si përshembull: të lexojë një libër dhe të diskutoni rreth tij, të dëgjojë muzikë, të kërcejë, të shëtisë në natyrë, të gatuani së bashku ushqimin e tij të preferuar etj.
• Kontaktoni me psikologun e shkollës ku ndodhet fëmija juaj. Psikologu i shkollës është gjithmonë një mundësi shumë e mirë për të referuar problematikën që mund të shoqërojë fëmijën tuaj. Ky shërbim i gjendur në cdo shkollë të Shqipërisë, është një mundësi e pazëvendësueshme për ti ardhur në ndihmë fëmijës suaj edhe ju njëkohësisht.
Për të rriturit:
• Mos hezitoni të flisni… të shprehurit çliron. Flisni për ndjesitë, përjetimet dhe emocionet që patët apo vazhdoni të keni përshkak të tërmetit. Në këtë pikë, bëni kujdes që të mos transmetoni panikun tuaj tek fëmijët. Nuk mund ti kërkoni fëmijës suaj të mos ketë frikë, ndërkohë që ju vetë po rrezatoni panik.
• Shoqërohuni me njerëz të dashur për ju, të cilët ju ofrojnë siguri, përkujdesje, mbështetje dhe dashuri, duke ju bërë të ndiheni mirë.
• Merrni vazhdimisht frymë në mënyrë diafragmatike dhe të thellë, që t’ia dilni të ulni nivelet e adrenalinës, të cilat truri ynë i prodhon me nivele të larta menjëherë në rast se percepton një rrezik.
• Evitoni ekspozimin e vazhdueshëm të vetes ndaj imazheve që shfaqin pamje të rënda rreth ngjarjes. Mund të jetë e nevojshme për ju që të njiheni me ngjarjen, por kërkimi i pandërprerë për informacion, mund t’iu rrisë ankthin.
• Provoni të përqendroheni te një ngjarje e bukur e jetës suaj, ose të sillni ndërmend njeriun më të shtrejtë që ju keni dhe merrni të gjithë energjinë pozitive prej këtij fokusimi.
• Filloni gradualisht ti riktheni përditshmërisë së mëparshme. Eshtë e rëndësishme të rifokusoheni në punë dhe në aktivitetet e përditshe që keni bërë gjatë gjithë kohës para se të ndodhte tërmeti.
• Përfshihu në aktivitete fizike, mundësisht në aktivitete sportive në grup ku kërkojnë ndërveprim social me të tjerë, përshembull organizoni ndeshje futbolli, basketbolli, volebolli apo të ngjashme me to.
• Relaksohuni duke medituar. Meditimi është një teknikë shumë e mirë për të relaksuar mendjen dhe trupin nga tensioni emocional edhe fizik që mund të krijohet në rast të një tërmeti. Nëse nuk dini se si të meditoni, ndër të tjera mund të shikoni video në youtube që udhëzojnë se si realizohet meditimi.
• Ndërmerrni një udhëtim. Angazhimi për një udhëtim të ri, të pa planifikuar më parë, larg zonës së tërmetit do të ju krijojë relaks mendor dhe do të ju garantojë ndjesinë e sigurisë fizike për rrjedhojë do të ndiheni më të qetë.
Ndër shumë këshilla të tjera, takohuni me një psikolog nëse vini re se gjendja juaj vazhdon të mbetet e njëjtë edhe me kalimin e ditëve. Takimi me psikologun është gjithmonë një zgjidhje e duhur në raste të tilla, madje në shume raste është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm për rikuperimin e pasojave të traumës nga tërmeti.
Punoi: Psikologu i shkollës së Rubikut, Besmir Guri