Çfarë ndodhte në Byro pas rrëzimit të bustit të Enverit?

 

"Historia e njëvdekjeje te vonuar', romani pasqyron ngjarjet e qëshënuan rrëzimin e komunizmit

Nga Skifter Këlliçi

Shkrimtari Skifter Këlliçi vjen për botuesit me një tjetër roman që trajton ngjarje historike. "Historia e një vdekjeje te vonuar”është një vepër që risjell nga një këndvështrim i ri periudhën e rrëzimit të komunizmit. Gazeta boton pjesë të këtij romani. Në këtë fragment përshkruhet ankthi që mbështjell byroistët nëmbledhjen e Komitetit Qendror te PPSH-së gjatë kohës që është duke u rrëzuar përmendorja e Enver Hoxhës qëvazhdon mëpas nëpër vilat e tyre.

***

Kur Ali Rama lexoi raportin e ministrit të Brendshëm mbi rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës dhe entuziazmin e pashembullt të manifestuesve, (këto fjalë ishin nënvizuar nga vetë ministri), salla u mbështoll nga një heshtje mortore.

“Mirë që ndoshi kështu”, – tha me vete Hiqmet Terka. Ai ishte i bindur se po kështu mendonin thuajse të tërë në sallë.

“Vërtet u rrëzua përmendorja e shokut Enver, por, ama,ne shpëtuam nga çdo mënxyrë. Vdiq një i vdekur, i mbetur gjallë në bronz, për të mbetur të gjallë ne, të gjallët”. Ky gjykim vetëtiu me shpejtësi marramendëse se dhe në trurin e ndezur të Teli Nuçit.

Por, siç dukej, nuk qe i këtij mendimi ministri i Mbrojtjes. Duke përplasur me inat e sipër nofullat e poshtme që i kërciti me tërsëllim, ai u ngrit vrikthi.

“Turp, turp, që lejuam të rrëzohet përmendorja e shokut Enver!  Si  e lamë ta përlyenim veten me këtë mëkat që nuk do ta lajnë as ujërat e tërë rruzullit tokësor?!….”.

 U ngrit dhe anëtari i Byrosë Politike, dragoi i maleve, Hamid Lezha. Duke tundur gishtin, ndërsa mustaqet e thinjura të prera shkurt i ngriheshin drizë, me sy të prushitur ai iu drejtua shokut Ali:

 -Po t’i ç’bërë, shoku Sekretar i Parë, ti që ke qënë nxënësi i Enver Hoxhës, ti që premtove pas vdekjes se do të vazhdoje veprën e tij të pavdekshme! Përse nuk dhe urdhër që policët që ruanin përmendoren të qëllonin mbi rrebelët, banditët, mbi ata që përdhosën përmendoren e komandantit tonë të pavdekshëm?!

Pak a shumë këto fjalë thanë edhe dy sekretarë partie të rretheve të cilët morën zemër nga këto sulme që i bëheshin hapur shokut Ali Rama.

Ai i priste dhe këto sulme, siç priste që nesër pasnesër do ta ftonin në Ministrinë e Mbrojtjes e Ministrinë e Brendshme dhe do t’i kërkonin llogari, siç priste që edhe në rrethe të ndodhnin trazira nga turma të tjera të yshtura që do të kërkonin të vinin në Tiranë për të vënë në vend nderin dhe prestigjin e Partisë që ishte njollosur pas rrëzimin të përmendores të Enver Hoxhës.

Ai kishte dhënë urdhër të qëllohej mbi njerëzit. Ose, më saktë, ai i kishte thënë ministrit të Brendshëm të pohonte së Sekretari i Parë i kishte dhënë këtë urdhër dhe ai nuk e kishte zbatuar. Pra, faji i binte mbi shpatullat e ministrit të Brendshëm. Ai ishte treguar shiprtdobët, frikacak, (më pas do të arsyetonin se ishte treguar i logjikshëm, njerëzor, që nuk kishte urdhëruar të qëllohej mbi turmat e popullit). Gjithçka do të zgjidhej më pas.

Megjithatë zallamahia vazhdonte. E do të kishtë vazhduar sikur dikush nga salla të mos ngrihej e thërriste:

“ Po sikur manifestuesit, pas rrëzimin të përmendores t’i drejtohen Komitetit Qendror, pra…neve këtu në këtë sallë?… “

        Pyetja qëndroi e tendosur kërcënueshëm mbi kokat e pjesëmarrësve në sallë duke i bërë të përshkoheshin nga mornica të ftohta. Por u  qetësuan, kur nga goja e Ali Ramës dëgjuan fjalët:

      “Turma pas rrëzimit të përmendores po shpërndahen paqësisht duke spastruar sheshin “Skënderbej”. Sidoqoftë, për çdo të papritur tanket mbrojnë godinën e Komitetit Qendror ”.

Atëherë sallën e mbuloi një heshtje  paqëtimi dhe thuajse të tërë u panë sy më sy dhe ishin gati të putheshin e qurraviteshin dashurisht me njeri-tjetrin. Megjithatë të tërë aprovuan njëzëri vendimin se në rast se turmat që u quajtën huliganë, rrugaçë, kriminelë, do të sulmonin varrin e shokut Enver, varrin e Komandantit, varrin ku prehen eshtrat e burrit më të madh që kishte nxjerrë kombi shqiptar, atëherë forcat e policisë do të qëllonin pa mëshirë mbi këdo, edhe sikur të binin qindra e mijëra të vrarë. U vendos gjithashtu, që Universiteti që ndahej në katër të tillë që do të kishin administrata të veçanta, secili pa emër.Dhe më këtë vendim, mbledhja mori fund.

Të tërë nisën të largoheshin nga salla, ku kishin kaluar orë kaq të tensionuara. Asnjëri nuk kishte vënë re se nga salla përpara tyre ishte larguar një grua e veshur me të zeza e cila nuk kishte mundur t’i mbante lotët. Ishte burrëvdekura e Enver Hoxhës.

 

Shpresës i kujtohej një dramë me titull, “Nata e pafundme”, që rrëfente për ankthin që kishin kaluar në bodrumet e vilës së një tregtari dy familje borgjezë një natë para çlirimit të Tiranës. Gra e burra, strukur pranë e pranë njëri-tjetrit, me fytyra të terratisura, sy të zgavruar, që flisnin me zë të ulët si të kishin frikë nga vetja, që merrnin guximin të shihnin përmes perdeve të trasha lëvizjet e partizanëve të cilët luftonin qoshe më qoshe të rrugëve e shtëpive për zbrapsur forcat gjermane,pastaj klithmat e lebetitjet e grave kur kishin parë që në bodrum ishin futur partizanët të cilët kishin çliruar lagjen ku banonin familjet aristokrate të qytetit…. Këto mbante mend.

Çuditërisht e njëjta gjë iu duk se po ndodhte dhe atë mesditë në vilën e familjes së saj. Në sallonin e pritjes, prej më shumë se një ore ndodheshin e ëma, e shoqja e ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes e Hamid Lezhës, anëtarit më të moçëm të Byrosë Politike dhe ajo vetë. I vetmi dallim ishte se, ndryshe nga ngjarjet e dramës që zhvilloheshin në bodrum, në këtë sallon mungonin burrat, Hiqmet Terka, ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm dhe Hamid Lezha, i gjatë e trupmadh, të cilit po t’i vije mbi kokë një qeleshe, do të dukej tamam si malësor i pagdhendur.

Kur e shoqja e ministrit të Mbrojtjes kishte hyrë e para në vilë leshragafryer e çehrevrarë dhe duke përplasur duart si të jepte një lajm vdekjeje e kishte thënë: “Korba, po kaluan Radiotelevizionin, turmat do t’ia behin mu këtu ku jemi”, së shoqes ministrit të Brendshëm i kishtë rënë nga dora filxhani i kafes, kurse e shoqja e Hamid Lezhës kishte thënë: “Ç’e humbe, moj e zezë! Po të jetë kështu, ç’ministër e Mbrojtjes është yt shoq që nuk jep urdhër që t’u dalin përpara tanket?” “Po këtë urdhër duhet ta japë shoku Ali Rama, se atë e kemi Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura” – i ishte kanosur ajo.” “Po të të shoq, ku ma ke? – i ishte përveshur e shoqja e Hiqmet  Terkës, pra, mamaja e Shpresës, si me shpoti së shoqes së Ministrit të Brendshëm”. “Atë e kanë ngarkuar të ndjekë lëvizjen e manifestuesve” i ishte përgjigjur ajo me krenari, si të thoshte: “E di ai sa do t’ua punojë, po  t’ia bëjnë borxh”. Mirëpo këtu ishte fjala për një sulm të mundshëm drejt Bllokut, drejt tyre nga turmat që nuk ndodheshin më shumë se 200 – 300 metra larg.

Shpresa  nuk bëzante. Dhe as që kishte dëshirë. Ajo përfytyronte sulmin e turmave të papërmbajtura të qytetarëve të Bukureshtit që kishin sulmuar pallatin presidentor ku banonte Çaushesku e vilat e anëtarëve të Byrosë Politike e përpiqej të trajtësonte ato skena, me siguri të llahtarshme, të arrestimit të tij dhe të bashkëpunëtorëve, luftimet e ashpra nëpër rrugë midis rebelëve dhe forcave të Sekuritates që kishin bërë ç’kishin mundur për t’i mbrojtur.

Ajo kishte dashur atë çast ta këlthiste: “Ku janë forcat e Sigurimit, përse nuk vinë këtu ku jemi ne?!.”. Por nuk kishte qenë nevoja, se një nga oficerët që ruanin Bllokun, kishte njoftuar se manifestuesit ishin mënjanuar dhe tani po drejtoheshin nga rruga e Elbasanit.

Mamaja e saj kishte marrë frymë e lehtësuar, e vetëm atëherë e shoqja e ministrit të Mbrojtjes ishte kujtuar të ngrinte nga tapeti filxhanin e kafes që çuditërisht nuk ishin thyer, siç duket si ogur i mirë. Kurse e shoqja e ministrit të Brendshëm dhe e Hamid Lezhës nuk kishin mundur të përmbanin një buzëqeshje që nuriste fytyrat e tyre.

“Si është e mundur, – kishte thënë me vete Shpresa. – Me ne ngjet si me personazhet e dramës “Nata e pafundme” që një grimë ishin gëzuar kur kishin parë nga dritaret e bodrumit se partizanët  nuk ishin futur në vilën e tyre”.

Po tani kishte ndodhur diçka e paparashikuar. Manifestuesit kishin rrëzuar përmendoren e Enver Hoxhës. Këtë ia kishte thënë asaj dhe mamasë Hqmet  Terka që sapo ishte kthyer nga mbledhja. Ato tani ndodheshin vetëm në sallonin e pritjes. Gratë e tjera ishin larguar me të marrë vesh këtë lajm. Kishin përplasur duart me dhembje dhe sytë gati sa nuk u ishin mbushur me lot.

“Qajnë, apo shtiren sikur qajnë”, – kishte thënë me vete Shpresa, ndërsa ato largoheshin.

Të tre nuk pipëtinin. Asnjë nuk kishte dëshirë të fliste. “Po sikur ata, – tha si nëpër dhëmbë e shoqja e Hiqmet Terkës, – të sulen këtu?

“E çuditshme, – tha me vete i shoqi, duke ndërmendur se këtë pyetje e kishin bërë jo më shumë se disa minuta më parë shumë nga ata që merrnin pjesë në mbledhjen e Komitetit Qendror.

– Mos u shqetëso, – i tha pastaj si të mos u vinte rëndësi fjalëve të saj. – Ata janë shpërndarë përfundimisht. Edhe po të vinë, do të hasin para tyre tanket.

– Kush janë “ata” baba, – deshi ta pyeste Shpresa, dhjetë njëzet, dyqind? Jo, jo mund të jenë 300 mijë, tërë Tirana, mund të jetë, tëra Shqipëria. Në qoftë se tanket na ruajnë sot, si do të na ruajnë në rast se ata do të largoheshin përfundimisht nga Blloku, siç thuhej në gazetën “Demokracia” dhe gazeta të tjera?

Të largoheshin nga Blloku, nga kjo vilë luksoze ku ajo ishte lindur dhe rritur, nga ky luks! Shpresa  ndjeu të gremisej brenda qënies së saj, tek e mendonte të ndodhte kjo. E, pra, vite e vite më parë nuk i kishte pëlqyer kur shumë djem që e shihnin me sy të përndezur, (e asaj i vinte mirë kur mbështillej nga vështrimet e tyre), i pëshpërisnin pas shpine “Kjo është nga ato të Bllokut”). Blloku, lagjja, a më mirë të themi ky kuartier i izoluar, perceptohej si parajsa e ndaluar nga populli, që ruhej natë e ditë nga roja, siç ruheshin kështjellat e Mesjetës, ose më mirë një qytet brenda qytetit. Veçse në Bllok mungonin muret me bedana. Blloku ishte aq i lakmuar, sa një oaz në shkretëtirën e pamatë.

 “Kjo është nga ato të Bllokut”, i silleshin sërishmi në mendje pëshpëritjet e djelmoshave. Si shumë bija të tjera të anëtarëve të Byrosë Politike i ati kishte dashur ta martonte me të birin e Hamid Lezhës, pra, brenda Bllokut si dikur martesat në radhët e aristokratëve, ose në rrethet ku duhej të kishte gjak princor e mbretëror.

Kurse ajo këtë kishte urryer, aq më tepër që nuk i pëlqente asnjë nga djemtë e Bllokut e midis tyre dhe i biri i Hamid Lezhës. Atëherë kishte pëlqyer Vaso Tolkën, 18 vjet të shkuara, gazetar i thjeshtë, bile i rëndomtë …. Kështu ishte martuar. Kishte kërkuar që atëherë të jetonte në një shtëpi të hijshme, komode,  jashtë Bllokut. Por as babai e as mamaja nuk kishin dashur. Dhe ajo nuk kishte kundërshtuar. Ishte ambjentuar. Kështu për vite e vite.

Po të ishte larguar atëherë nga Blloku, mbase nuk do t’i bënte përshtypje. Po tani mund ta largonin atë dhe familjen e saj?… Duke kundruar rrëshqitazi fytyrat e vrerosura të babait dhe mamasë së saj, iu duk se edhe ata këto pyetje i bënin vetes. 

SHKARKO APP