Çfarë përfshinin në Mesjetë nocionet, Alban-Albani dhe Arbër-Arbëri!

Nga Jahja Drancolli – 

Përgjithësishtë është pranuar se nocioni Albanon (Άλβανών), që doli nga emri i fisit ilir Άλβανοι, të përmendur nga gjeografi aleksandrin, Ptolomeu (shek. II), ka vazhduar të ekzistonte si emër vendi dhe si emër etnik gjatë gjithë mesjetës. Arbëria ose Arbënia është emër mesjetar që i referohet Shqipërisë. Ndërsa, etnonimët mesjetare: arbër, arban ose arbresh, pas pushtimit osman janë përdorur për shqiptarët e diasporës më Itali, Dalmaci dhe Greqi.
Deri vonë ka dominuar mendimi se ç’prej Prolomeut deri në shek. XI, kur është menduar për “rishfaqjen” e vëndemrit Arbanon, Albanon, ekziston një heshtje 9 – shekullore e burimeve historike. Sot ka prova solide sipas analeve dhe kronikave raguzane (Albania, Arbania), si dhe të atyre bizantine (Άλβαnia), të cilat dëshmojnë se vëndemri dhe etnonimi janë përdorur pa ndërprerje, që nga shek. II deri në shek. XI. Një tjetër argument i rëndësishëm për kontinuitetin e vëndemrit dhe etnonimit mesjetar, shpjegohet nga veprimet fonetike, respektivisht nga ligji i metatezës ose i rirenditjes së bashkëtinglloreve së paku nga shek. VIII. Këtej, emri i ujdhesës Arba/e quhet Rab, nga Albona del Labin. Në burime mesjetare rasiane (serbe) nga Arbanon i Ataliatit dhe i Ana Komnenës del vëndemri Raban, dhe mbiemri rabanski.
Pjesa e madhe e historiografisë ballkanike arealin gjeografik dhe poltik të Arbërisë mesjetare, në mungesë të burimeve të kohës e kanë përkufizuar në një zonë të vogël malore ndërmjet lumenjve Mat dhe Drin, ose në katërkëndshin hipotetik Tivar – Prizren dhe Vlorë – Ohër. Së këtejmi, këtu, nga kapërcyelli i shek. XI, der në fillimet e shek. XIII ishte themeluar principata e Arbërit me seli në Krujë. Nga viti 1272, mbreti Karli I Anzhuin kishte themeluar “Regnum Albaniae”. Ndërsa, mbreti Milutin dhe Dushani vetën e quanin edhe për mbretër të Arbërisë. Pas rënies së shtetit të Dushanit, Arbëria udhëhiqej nga familjet bujare arbërore: Arianiti, Balshaj, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Muzakaj, Shpataj, Zenebishi, e ndonjë tjetër. Me dorëzimin e Durrësit (1501), Tivarit dhe Ulqinit (1571), Arbëria pasi që kishte rënë përfundimisht nën osmanët, është shoqëruar edhe më një sërë ndryshimesh si në strukturën e vëndemrit ashtu dhe të etnonimit.
Duke u ngjitur në shekujt e mesjetës, të kushtëzuar nga hapsira etnike dhe kompakte dhe fatkori politik, emërtimet gjeografike e politike, si: Arbanon, Arbëri ose Epir e Dardani, përfshinin trevat e sotme të Kosovës, Serbisë, M. të Zi, Maqedonisë e të Greqisë. Të tilla njoftime datojnë që nga mesjeta e herëshme, si bie fjala, Lapiam (Lab), i referohet Lab-it (Llapit). Si pjesë të Arbërisë, Kosovën e shohim te kronisiti francez i shek. XIV, Filip de Meziere, i cili provonte të dëshmon se Beteja e Kosovës (1389) ishte zhvilluar në Arbëri. Mendime paksa identike ndeshim te Bertrandon de la Broquière, sipas të cilit, pjesa e madhe e Kosovës së sotme ishte përfshirë në kuadër të Arbërisë. Njoftime të këtilla ndeshim edhe në dokumentacionin austriak, osman e italian të shek. XV-XVIII: “perandori austriak, Leopoldi theksonte se ushtritë e tij luftonin në Arbëri (kur hynë në Kosovë)”, “Peja qytet në Arbëri”, “Prizreni, kryeqytet i Arbërisë”, “Prishtina në Arbëri”, Në mënyrë ekuivalnete me konceptin Kosova pjesë e Arbërisë, dokumentacioni i kohës dëshmon edhe për Kosovën në kuadër të konceptit Epir. Të tilla janë njoftimet: “ Hasi, jo fort larg Prizrenit, provincë në Epir”, “Prishtinë në Epir” “Peja në Epir”, “Prizreni në Epir”, e ndonjë tjetër. Përveç apelativave, Kosova si pjesë e Arbërisë dhe e Epirit, Kosovën e sotme e ndeshim edhe si pjesë të Dardanisë!

SHKARKO APP