Çfarë po kërkon Thaçi, gjeografi apo histori?

Alfred Lela

Ideja e Hashim Thaçit për ‘korrigjim të kufijve’, një term i përpunuar prej Presidentit të Kosovës pas togfjalëshit të fillimit ‘ndryshim të kufijve’, nuk është e re. Asnjëherë nuk është folur për të kaq lart në hierarkinë e shtetit të ri të Kosovës, por pandehma e shkëmbimeve territoriale  me Serbinë është imagjinuar disa herë në nivelin e bisedave private apo publike. Sa herë Mitrovica e ka furnizuar me gjak dhe barut kronikën e ditës ‘lëshimi i pjesës veriore’ është artikuluar, qoftë edhe si lehtësim barre, për qytetin që vazhdon ta mbajë të pandërprerë konfliktin serbo-shqiptar.

Nxitimi i Thaçit për të ‘shtetëzuar’ një ide të tillë, duke e bërë atë të duket si e tija dhe e ‘qarqeve okulte’ pas tij është ndeshur me një reagim transversal, ndoshta edhe prej vetë mënyrës së zgjedhur prej Presidentit. Njëanësisë.

Një idé e tillë e forte, sa ç’mund të rrezikojë kufijtë e brishtë të Kosovës, kërcënon gjithashtu kufijtë po aq efemerë të egove politike dhe patriotike të personazheve të Prishtinës dhe Tiranës. I pyetur disa ditë pas deklaratës, Hashim Thaçi tha se nuk ka folur me Tiranën zyrtare për idenë e ‘korrigjimit’, duke lënë të kuptohet se ekziston nevoja e një konsultimi të tillë. Sigurisht, Thaçi ka paketuar te kjo përgjigje edhe një dozë hakmarrjeje, sepse në kushte normaliteti politik, institucional, shoqëror dhe historik, lideri i Kosovës do duhej të kuvendonte me të gjithë përfaqësuesit relevantë të politikës së Tiranës, përfshirë këtu ish-Presidentët, ish-ministrat e Jashtëm, ish-Kryeministrat e me radhë. Duke përmendur vetëm ‘Tiranën zyrtare’ ai, me një lëvizje taktike ka përfituar për të lënë jashtë ish-Presidentin Berisha me të cilin pati edhe fërkimin e madh në distancë, por edhe kryetarin e opozitës Basha, njëheri ish-ministër i Jashtëm dhe një personazh që ka lidhjet e veta me Kosovën.

Ajo që ka rëndësi edhe më shumë në konsultë, në rend të gjërave dhe në bonsens politik, megjithatë duket se është ‘ndeja’ me aktorët relevantë të politikës në Prishtinë. Një konsultë me ish-shokët e armëve, kryetarët e partive aleate, parlamentare e të tjerë, do të kishte qenë një lëvizje e matur. Ndryshe nga sa beson z. Thaçi për veten, ai nuk është një lider me përfaqësim të gjerë në Kosovë. Atij dhe PDK-së i është mundësuar pushteti pas një aleance me formacione të tjera politike. Harresa apo padijenia e këtij fakti i shtohen një tjetri, që lidhet me atë që vetë Thaçi duke iu adresuar Berishës, e ka quajtur dëbim me votë massive të ish-Kryeministrit. Paradoksalisht për Thaçin, Berisha në ditën më të keqe politike duket se ka arritur të grumbullojë vota sa Thaçi në ditët më të mira. Nga zgjedhja në zgjedhje PDK e Thaçit nuk ka mundur të sfidojë atë që duket ‘tavani’ i saj elektoral, 30 përqindëshi. Një kuotë me të cilën Berisha e ka mbyllur karrierën politike aktive.

Bash te ky të vetëndjerë i Presidentit të Kosovës duhet kërkuar një pjesë e shpjegimit për nxitimin për të dalë kufijve të Ballkanit si shelbues i plagëve të histories. Historia e vetes më shumë se gjeografia e Kosovës, është ajo që Thaçi ka imagjinuar kur e ka sajdisur opinionin me idenë e ndryshimit të kufijve. Padyshim, që do hynte në histori një lëvizje e tillë e shkallës së lartë ku, dy popuj në gjak qindra vjeçar me njëri-tjetrin, ridefinojnë kufijtë në paqe, njohin njëri-tjetrin dhe vazhdojnë përpara drejt integrimit. Imagjinarja e kësaj lëvizjeje i duhet atribuar Thaçit, por jo pa pyetjen me ç’kosto? dhe sipas të cilave kushte?

Thaçi nuk është i përgatitur për të folur sot për to, sepse ai nuk ka qenë gati as dje, kohë kur duhej ta kishte bërë këtë bisedë. Ai është shmangur, për arsye që vetëm ai i di, dhe ne vetëm mund t’i marrim me mend.

Nëse ka patur historinë në sy, ajo le ta gjykojë edhe për këtë verbëri politike. Politiko.al

SHKARKO APP