Çibanizmi

Nga Ilir Levonja  –

Sa herë që ndodh diçka mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka një vërshim vulgar argumentash dhe kundër argumentash. Në fakt e gjitha është pjesë e një kulture si ajo lëkura e mbushur me çibanë të qelbosur. Futen midis me mijra argumenta, histori, ngjarje etj. Madje edhe ata që quhen njerëz të perëndisë, profesorë, shtetar…, pa e kuptuar asnjëherë se radhisin veten me të ashtuquajturit të indinjuar kokëmbushurit histerikët a patriotët e kufijve. Sillen fakte e kundër fakte papushim. Aq sa e vërteta apo drejta humane mbetet një relike muzeu të izoluar, qoftë kjo në anën matanë a këtej telave me gjemba. Kështu edhe këtë radhë me këtë ngjarjen e Bularatit.

Unë nuk do i futem shumë asaj mendësie çibaniste që djegin flamuj a thërrasin për gjak në sheshet e Athinës. Por kësaj tonës, indinjatës, a vulgaritetit karshi fqinjit. Përpjekjes për të përdhosur gjithçka me po të nëjta pretendime. Eshtë është e gjitha një përqindje e vogël, një 5% social do thosha. Si këtej, si andej. Dhe fatet e dy popujve tanë prej ekzistencës tonë hallakaten në këtë vulgaritet çibanistët. Megjithëse i kemi hapur dyert njëri-tjetrit, ky 5% çibanistësh na ka mundur si shoqëri. Na kanë mundur si këtej si andej. Kjo ka sjellur deri reprezalje e gjenocide, shkëmbime popullatash a territoresh duke vdekur për shekuj vlerat dhe cilësitë e ndërsjella. Ky 5% çibanësh na i ka varrosur ato mbrëmjet tona me këngë e ndonjë gotë përpara, na i ka varrosur dashuritë, megjithëse janë me qindra familjet me gjak të bashkuar, me qindra djemtë që veshin uniforma a i shërbejnë prosperitetit të të dy vendeve. Megjithatë, prapë ky çibanizmi 5% vlon e përmbys gjithçka njësoj si ato katrahurat e Tsunameve në ishujt e Indokinës. Po e lë menjanë çibanizmin në Athinë. Po i mëshoj këtij tonit…, këtij vrulli patriotësh që asesi nuk e gjen të tillë, me kaq pasion e vulgaritet karshi politikës. Nuk e kuptuam asnjëherë se të zgjidhin hallet tona, të forcohemi ekonomikisht, është rruga e duhur, rruga e domoshme. Dhe jo pallitjet me ta vrasim, ta djegim qenin. Nuk jemi nga ata. Po të ishim kishim djegur me kohë qentë tanë. Këta që janë më të këqij se neonazistët e Agimit të ashtuquajtur i artë ai i Greqisë. Aktualisht Shqipëria është e izoluar nga politika klanore e qenve të qeverisë. Një luftë frontale klanesh e kapur nga grupet e drogës, krimi. Një qeveri totalisht e dështuar. Sa tenderon një rrugë prej 44 klm me vlerën e një autostrade 600 klm.

Kjo është një rrjepje e gjallë e klaneve. Një qeveri që detyron një xhuxh se kë të heqi e kë të vëj. Një qeveri e tredhur. Megjithatë çibanizmi, 5% vulgar merret me Greqinë. Aktualisht Shqipëria vuan se është e marrë peng nga rubrika e denoncuesit dixhital. Aq sa çibanizmi 5% hokoritej pas statutit të fundit të S Berishës, një gorillë e halloween-it me portretin E Ramës. Pra një opozitë pa alternativë. Një opozitë që bën sikur dhe aq. Të një babagjyshi dixhital në moshën e djemve të rrugës në lagjet e qytetit a fshatit. Një lojë gagarelësh që kanë akumuluar miliona në resorset of shore të botës. Kurse ju, kungujt e halloween-it, çibanizmin e patriotit karshi atij çibanizmit matanë, Agimit të Artë.

Jemi thjesht dy popuj me plot të përbashkëta. Dhe e dimë mirë që kënga e dashurisë është më e bukur se ajo luftës. Jemi popuj të qejfit e haresë. Mjaft e bluajtëm njëri-tjetrin. Mjaft me urrejtje. Askush nuk i ka kënduar dashurisë më bukur se ne. Por na ka mbytur çibanizmi. Na ka vënë përtokë. Sikur të ishim kaq të ashpër edhe me ata që lëvrojnë ligjet e fondet, do kishim punë me shumicë. E për rrjedhoj aspak kohë të lirë. Se me që ra fjala, kur nuk ke kohë të lirë, kohë me shumicë, merresh me llogje. Të mbyt ai 5%, çibanizmi. Suksesi i pa punësisë.

SHKARKO APP