Cilët na u dhimbsën më shumë, turistët spanjollë apo punëtorët e skelës?

Në rubrikën “25 rreshtat e Mirës” në Tiranapost.al, gazetarja Mira Kazhani bën një paralelizëm midis ngjarjes së dhunës së ushtruar ndaj turistëve spanjollë në Porto Palermo dhe asaj ku dy punëtorë në Tiranë, 31 dhe 36 vjeç, humbën jetën pasi skela ku punonin u shemb, ndërkohë që 3 të tjerë u plagosën.

Artikulli me titull “Cilët na u dhimbsën më shumë, turistët spanjollë apo punëtorët e skelës?” nis kështu: “Prej gati një jave, rrjeti, portalet, televizionet, madje edhe krerët e politikës kanë folur për ngjarjen tragji-komike me pronarin e restorantit në Porto-Palermo dhe turistët milionerë spanjollë. Ngjarja ishte e turpshme, e rrezikshme por jo e paimagjinueshme. E para, të çmendur ka kudo dhe sjellje anormale mund të hasësh në çdo cep të botës. Kuptohet, në Shqipëri turizmi nuk është assesi në nivele dinjitoze sepse të fortët e bashkive, apo ata që quajmë shpesh me termin oligarkë, që janë biznesmenët e fuqishqm, kanë zaptuar jugun si në hotele dhe restorante. Ka disa përjashtime, por edhe ajo janë si parajsa të vetmuara dhe që mbahen në këmbë me shumë sforco. Boll të dish që në bregdet s’punon njeri e domatet duhet t’i marrësh nga Lushnja.”

Më tej, ajo thotë se “paralel me turistët spanjollë, dy punëtorë humbën jetën pasi skela i zuri përposhtë në Tiranë”. “Pra, dy punëtorë shqiptarë, që ndërtojnë pallate e punojnë me djersë, që nuk janë as milionerë dhe as pronarë, vdiqën duke fituar bukën e gojës. U fol për ta, por jo sa u takonte. U hesht për ta më shumë sesa imagjinon a mban rëndesë ndërgjegjja?”

Në përfundim, Kazhani thekson se “ka një hendek të dukshëm midis jetëve të humbura dhe merakut për imazhin e turizmit. “A janë më të rëndësishëm dy punëtorë që vdesin apo disa turistë që kërcënohen? Mendoj që të parët! Jo se turistët nuk merituan solidariet, përkundrazi. Por hendeku mes jetës së humbur të njerëzve tanë që vdesin për bukën e gojës dhe meraku i imazhit për turizmin, ishte domethënës dhe dalëngadalë duhet të ndezim brenda vetes dritat për humanen brenda nesh,” shton ajo. “Të shohim jo si dukemi, por si jemi! Jo sa jemi po kush jemi? Të duam atë që e pëson dhe njëri-tjetrin, ne këtu jemi gjithë bota. Dikujt që u nxeh se nuk i erdhi peshku është ku e ku me njerëzit që vdesin në punë, por ah kjo imazheria!” përfundon Kazhani.

SHKARKO APP