Cili është Taulant Muka?

Nga Martin Lasku –

 Ditët e fundit është bërë gjithnjë e më shumë publik emri i Taulant Mukës me pjesëmarrjen e tij në protestën e studentëve apo me prezëncën e tij në emisione të ndryshme televizive apo me denoncimet e tij në rrjetet sociale. Kujtdo i ngacmohet kureshtja se cili është ky individ dhe çfarë përfaqëson ai. Taulanti ka shpërndarë një përmbledhje të CV-së së tij në disa nga fakultetet shtetërore dhe shumë nga publiku e njohin për sa ai thotë dhe për sa ai shkruan në CV-në e tij. Duhet t’i besojmë Taulantit se e thotë ai që akuzon këdo për gënjeshtra? Të gjithë gënjejnë dhe vetëm Taulanti është goja e së vërtetës (siç kërkon të shfaqet)?

“I shari të shan” thotë populli. Dhe Taulanti nuk ka lënë njeri pa sharë këto ditë: pozitë, opozitë, politikë, jopolitikë, akademikë, joakademikë. Kjo të ngacmon që të kërkosh të dish më shumë se kush është Taulanti.

Hetuam pak në lidhje me sa përmban CV-ja e tij dhe konstatuam se në informacionet e dhëna prej tij ka mashtrime të servirura si të vërteta nga Taulant-“goja e së vërtetës”. Faktet e gjetura flasin vetë, mjafton t’i rendisësh ato, ndaj thjesht do të rendisim disa konstatime e do të bëjmë disa sqarime, sepse komentet janë të tepërta e kushdo mund t’i bëjë vetë, pa “ndihmën” e Taulantit.

 

Në vitin akademik 2011-2012 Taulant Muka ka qenë student në vitin e gjashtë në Fakultetin e Mjeksisë.

Në CV-në e tij ai thotë se në këtë vit ka fituar 2 bursa studimi EU-SEE dhe Erasmus Program në Bolonja, Itali.

Në parantezë, duhet theksuar se bursat e programit Erasmus ofrohen nga Universiteti dhe rregullohen me terma ligjorë Ndërkombëtarë. Ky program nuk lejon që një student të përfitojë 2 bursa në një vit akademik. Të studiosh në një program Erasmusi duhet që përpara se të nisesh të lidhësh një marrëveshje ku të përcaktosh se sa lëndë do të ndjekësh nga ato që bëhen në universitetin pritës. Lëndët e ndjekura në universitetin pritës që janë të njëjta me kurikulën e universitetit dërgues, i njihen studentit kur ai kthehet në përfundim të afatit të marrëveshjes.

Taulanti niset për të ndjekur një program Erasmus në semestrin e parë dhe qëndrimi i tij në Bolonja zgjati deri në dhjetor 2011. Pas kësaj periudhe Taulanti ndodhet në Shqipëri deri në muajin qershor. Pra, Taulanti ka mashtruar në CV duke theksuar se ka realizuar 2 bursa në 3 muaj.

Nëse do t’i referohesh kurikulës së universitetit të mjeksisë të Bolonjës, ku ai ka kryer një semestër studimesh, do të shohësh se aty zhvillohen vetëm 4 lëndë të detyrueshme në atë semestër ….

Taulanti është kthyer në Shqipëri në përfundim të semestrit të parë dhe, pikërisht, në fillim të dhjetorit, në momentin e kthimit të tij, i janë njohur nga  Fakulteti i Mjeksisë 7 provime (gjoja) të dhëna në Itali dhe është vlerësuar me notën 10 në secilin prej tyre.

Duhet theksuar se një semestër, sipas Kartës së Bolonjës, ka normalisht 30 kredite (ECTS). Si rrjedhim, nëse Taulanti do të ndiqte 7 lëndë, ato duhet të kishin mesatarisht 4 kredite (ECTS) secila. Që një lëndë të njihet nga një fakultet në një tjetër apo nga një program studimi në një tjetër, duhet që lëndët të kenë përputhje në përmbajtje dhe kredite jo më pak se 75%, meqenëse ligji ynë (aktuali dhe i mëparshmi) për arsimin e lartë kërkon një frekuentim jo më pak se 75% të lëndës.

Nga sa më sipër, natyrshëm lindin pyetjet:

Sa programe studimi ka ndjekuar në Itali Taulanti?

Vërtetë Taulanti ka ndjekur në 3 muaj 7 lëndë dhe ka dhënë 7 provime?

Nga sa kredite kanë pasur lëndët që ka ndjekur?

Sa % ka qenë ngjashmëria e programeve të lëndëve Italiane me programet e lëndëve Shqiptare?

A kanë qenë maksimale vlerësimet e provimeve në Itali, të cilat janë njohur me notën 10 në Shqipëri?

 

Një konstatim tjetër: Viti i gjashtë i mjeksisë ka pasur në kurikulën e tij 10 provime, 7 prej të cilave Taulantit ia njohën si të dhëna në Itali. Pra, atij i mbeteshin 3 lëndë të tjera dhe tema e diplomës që duhet t’i realizonte në sezonin e verës, i cili fillonte në muajin qershor dhe mbaronte në korrik, ku data 25 Korrik 2012 është data e diplomimit (siç del nga diploma e Taulantit). Sipas një informacioni, Taulanti të paktën prej qershorit 2012 deri më shkurt 2013 nuk ka qenë fare në Shqipëri. Pra, ai fizikisht nuk ka qenë në provimet e sezonit të verës dhe as në datën e mbrojtjes së Diplomës.

Kur dhe si i ka dhënë Taulanti këto provime?

Si është diplomuar Taulanti pa qenë fare në Shqipëri?

A është e vlefshme diploma e Taulantit?

Taulanti duhet të jetë në shesh të protestës dhe në televizione të ndryshme për të denoncuar gënjeshtrat e të tjerëve, apo në prokurori për të dhënë llogari bashkë me ata që e kanë ndihmuar gjatë gjithë vitit të gjashtë të studimeve në mjeksi të marrë diplomën që i hapi rrugën për në shkollat europiane?

 

Gjykoni vetë në Taulant Muka është Goja e së vërtetës apo Muka (Mucca) Pazza.

SHKARKO APP