Coronavirusi, karma që po godet rendin botëror!

Gjen gjithëfarëlloj teorish konspirative sot në internet. Prirem mos të merrem shumë me to se më duket sikur do humbas trullosur në vorbullën e tyre, pa arritur të gjej kufirin mes të vërtetës dhe intrigës.

Teori konspirative që koronavirusi është armë biologjike, gjepura!

Është fakt që mamalët më të sofistikuar në planet, nga të katër anët e tij, shpenzojnë miliarda euro e dollarë, në laboratore te sofistikuara gjenetike, për të krijuar një vrasës të heshtur, një vrasës për ushtritë armike.

Qëllimin e kanë ogurmirë e të justifikuar, e bëjnë të mbrojnë djemtë e tyre nga lufta, nga lufta për territore, nga lufta për pushtet, nga lufta për dominim, nga lufta e të fortëve mbi të dobtit.

Përdorimi i agjentëve infektivë dhe helmeve kundër personelit armik është një praktikë e lashtë në luftë, e lashtë sa vetë ligësia brenda njeriut. Që me kultivimin e dredhisë si dhuratë nga djalli, njëriu gjeti forma për të fituar e dominuar mbi konfliktet qe krijoi vete.

Në shumë konflikte botërore, sëmundjet kanë qenë përgjegjëse për më shumë vdekje sesa të gjithë armët luftarake të kombinuara bashkë edhe kur ato nuk janë përdorur me vetëdije si armë.

Që nga viti 2013, gjithsej 180 shtete dhe Tajvani nënshkruan konventën e Armëve Biologjike (BWC) dhe 170 prej këtyre shteteve dhe Tajvani e nënshkruan dhe ratifikuan traktatin, i cili u hap për nënshkrim fillimisht në vitin 1972. Sipas kushteve të BWC, vendet anëtare u ndalohet përdorimi i armëve biologjike në luftë dhe nga zhvillimi, testimi, prodhimi, deponimi ose vendosja e tyre. Sidoqoftë, një numër i shteteve kanë vazhduar të ndjekin aftësitë e luftës biologjike, duke kërkuar një armë strategjike më të lirë por ende vdekjeprurëse sesa të ndjekin rrugën më të vështirë dhe të shtrenjtë për armët bërthamore.

Po pra, ka armë biologjike!

Për sa më lartë, nuk po hulumtoj fare se si u përhap koronavirusi, nga laboratori a nga lakuriqi. Nuk ka pikë rëndësie për sa kohë askush nuk ka për tu marr me përgjegjësit.

Po them qe Koronavirusi, ështe karma që po i bie popujve në kokë si përgjigje e mënxyrave të njëriut.

Koronavirusi po rithekson rendin botëror (aspak të ri), ku të pasurit do të pasurohen më shumë dhe të varfërit do bëhen më të varfër!

Do pasurohen, ata të pasurit me trupat e tyre obezë që me gjithëfarëlloj dietash përpiqen të duken elegantë. S’po flas për obezitetin e të varfërve se ai më kujton gjyshet tona që ngopeshin me lugën bosh dhe ishin topolake, të lezetshme me gjithë hallet e tyre që i fshihnin poshtë buzëqeshjes.

Rendi i Koronavirusit do rreshtojë nga të pamposhturit ata kokëcepa e barkëmëdhenj që sot po qahen se nuk po shesin dot betonin e tyre me tonelata, që është derdhur mbi këtë qyetet, mbi ketë tokë që grabitën me manovra halabake.

Kromi dhe nafta do të kuotohen në bursë edhe pas virusit, sunduesit e tyre do të mbushin xhepat kurse minatorët e naftëtarët do çojnë në familje gjysëm page.

Këta gjobaxhinj e vampiraxhinj që nuk po shesin dot sot asgjë përveç farmakut të ilaçeve dhe bukës së përditshmë në supermarkete, koronavirusi do t’i bejë edhe më të pasur seç ishin.

Do të turren ata drejt tenderave edhe më egër se më përpara.

Do kreditohen ata me shumë lehtësi e dashuri nga bankat për bizneset e tyre tenderuese, që ushqehen me gjakun dhe djersën e taksave të një populli fukara nën kufijtë e mbijetesës.

Do kenë ata damkën e shëmtuar të Kapitalistëve në erën e Koronavirusit!

Lexoni edhe…

13 raste të reja në 24 orët e fundit. Arrin në 89 numri i personave me koronavirus

Mjeku Tritan Kalo: Rrini në shtëpi që të mos kemi skenarin e Italisë

SHKARKO APP