“COVID 19 = Chernobyl 1986″, historia e trishtë dejavu??
Duken të largëta ditët e muajit mars, kur në çdo outlet mediatik kombëtar dhe ndërkombëtar, u bë jehonë për “ndihmën e madhe” dhe” bujarinë e jashtëzakonshme” të Moskës ndaj shteteve të prekura nga pandemia e koronavirusit. Të gjithë e mbajnë mend dhe shfaqjen më pompoze të të gjitha këtyre akrobacive dhe piruetave përpara spektatorëve perëndimor, që rivalizojnë edhe skenarë të filmave më të bukur dramatik të Hollywood, kur në Itali u dërguan ndihma dhe rreth 100 mjek nga Rusia, për t’i ardhur në ndihmë njërit prej vendeve më të prekur nga pandemia.
Efekti pamor shumëfishohet nga fakti se vendi i ndihmuar është një ndër shtetet më të rëndësishëm të BE-së dhe NATO-s. Makineria propagandistike e Kremlinit u kujdes shumë që kjo të vihej në dukje bashkë me “gatishmërinë” e Rusisë për t’i ardhur në ndihmë këtij vendi, duke kritikuar nga ana tjetër mungesën e reagimit fillestar të aleatëve të tij. Mesazhi i fshehur që mundoheshin të propagandonin, dhe i përhapur nga disa komentues në Perëndim, është se “vendeve demokratiko-liberale, u mungon vendosmëria e homologëve të saj autoritarë në një kohë krize. Demokracitë janë të ngadalta dhe kaotike. Autokracitë janë të shpejta dhe të koordinuara”.
Fakti që rastet e të infektuarve të shpallura nga Moska ishin shumë të ulëta e bënin të dukej edhe më të madh hendekun ndërmjet menaxhimit të krizës nga vendet liberale dhe atyre autoritare si Rusia. Shifrat minimale të të prekurve që raportoheshin zyrtarisht kritikoheshin dhe viheshin në pikëpyetje edhe nga vetë ekspertët e fushës në Rusi, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të Putin për të treguar efikasitetin e masave të regjimit për parandalimin e përhapjes së pandemisë në vend. Oponentët e Putin filluan të denonconin hapur qeverinë për fshehje të të dhënave të infektimeve që në krye të herës, ndërkohë që në pikëpyetje u vendos edhe vlefshmëria e testimeve që autoritetet ruse raportonin se kryheshin pa kursim. Sikurse pritej dhe është e zakonshme për një regjim totalitar, “denoncuesit” u vendosën në qendër të investigimeve.
Zyrtarisht, Rusia raportoi 9000 te prekur vetëm gjatë 12 orëve të fundit (dt.08.06.2020) ndërsa mbi 300 mijë infektime vetëm gjatë muajit maj, ndërkohë që javë më parë drejtuesi i Bashkisë së Moskës kishte vënë alarmin se, vetëm në këtë njësi kishte një numër shumë herë më të lartë të prekurish sesa raportohej në rang kombëtar. Në fakt Rusia sot është shndërruar në një nga vatrat më të nxehta të përhapjes së koronavirusit, me mbi 350 mijë të infektuar dhe numër vdekjesh që rriten nga dita në ditë. Virusi nuk ka kursyer as figurat më të larta politike, si kryeministrin e vendit dhe zëdhënësin e vetë presidentit rus.
Nuk është hera e parë që Rusia bën përpjekje për të fshehur të dhënat për fenomene me pasoja të frikshme, brenda territorit. Gjatë historisë së vet, Rusia ka patur raste të panumërta të fshehjes të problemeve dhe tragjedive nga ana e zyrtarëve të saj, sepse kur ekziston vetëm një udhëheqës i përhershëm – parti ose individ – dështimi nuk mund të pranohet, dhe gabimet duhet të fshihen. Shembulli më eklatant i këtij lloj mentaliteti ishte fshehja e aksidentit bërthamor më të rëndë në histori, Çernobili i 26 prillit 1986. Autoritetet sovjetike u munduan ta mbanin të fshehtë aksidentit katastrofik dhe vetëm kur nivelet e larta të radioaktivitet filluan të përhapeshin në gjithë Europën, kaluan nga mohimi total tek pranimi i një mini-incidenti, por ndërkohë kishin filluar evakuimin e mijëra njerëzve.
A po përballet sot Rusia me një Chernobyl të 2?? Pasi COVID 19 po shkakton më shumë vdekje se sa deklarohet zyrtarisht?
Përpjekjet për të mbuluar katastrofën e 1986-ës, ishin edhe një ndër arsyet e rrëzimit të BSS, 5 vite më vonë, si rezultat i humbjes së besimit të popullsisë tek regjimi dhe liderët sovjetikë, të cilët stimuluan katastrofën përmes neglizhencës dhe nuk bënë përpjekje për të nxjerrë vendin nga recesioni ekonomik.
Ky model i të vepruarit gjatë një krize duket se është trashëguar nga udhëheqësi aktual i Kremlinit dhe i mëkëmbësve të tij. Manovrat censuruese e konspirative të Kremlinit vazhdojnë akoma, sikurse flet vetë edhe situata e lidhur me koronavirusin. Përveç fshehjes së numrave, përpjekje të shumta janë bërë edhe për të eliminuar zërat mbi mungesat e pajisjeve mbrojtëse apo për të mos bërë të ditur dorëheqjet e shumta në radhët e stafeve mjekësore në spitalet e Covid-19.
Ditët e fundit të muajit prill 2020, kur ende statistikat e raportuara nuk kishin arritur kulmin duke rezultuar me rreth 87 mijë të infektuar në total, filluan njoftimet e para për dorëheqjet masive të stafit të spitalit të Covid-19 në Kommunarka, Moskë, si rezultat i mungesave të pajisjeve mbrojtëse, uljes së rrogave, si dhe kërcënimeve për të mos folur hapur për problemet idhur me përballimin e krizës në Rusi.
Muaji maj ndërkohë, filloi me njoftime për numra gjithnjë e më të lartë të të prekurve në radhët e punonjësve të shëndetësisë, ndërkohë që pati edhe vetëvrasje të dyshimta të stafit mjekësor. Alexander Shulepov, Yelena Nepomnyashchaya dhe Natalya Levedeva raportohej të ishin hedhur nga dritaret, në kushtet e depresionit për shkak të situatës. Interesante është se të tre të përmendurit kishin denoncuar më herët mungesa të pajisjeve mbrojtëse, infektimin e lartë në radhët e stafit të shëndetësisë, detyrimin për të përfunduar turnet e punës në spitale e seksione të emergjencave pavarësisht se ishin diagnostikuar me koronavirus.
Interesante është se pas çdo fushate që demaskon përpjekjet e Rusisë për të fshehur të vërtetën e përhapjes së pandemisë brenda territorit, autoritetet ruse rrisin numrat e raportimeve mbi të infektuarit. Kështu ndodhi edhe në fund të muajit mars, ku duke u gjendur përballë presioneve, Rusia filloi të shtonte statistikat e infektimeve. Ndërkohë, në fundit të majit 2020, autoritetet e Bashkisë Moskë kanë dyfishuar edhe numrin e vdekjeve për muajin prill duke e raportuar atë në 1561, nga 639 që ishte referuar më herët. Siç duket, presioni se kriza e pandemisë mund të rrëzojë qeverinë ruse njësoj sikurse ndikoi shpërthimi i Cernobilit në përshpejtimin e rrëzimit të regjimit sovjetik, e tremb Putin.
Përqendrimi i Presidentit Putin në rikuperimin e pozitës së Rusisë si një fuqi e madhe ka qenë në kurriz të investimeve socio-ekonomike, duke e lënë sistemin shëndetësor të vendit në një situatë katastrofike dhe po bëhet e dukshme në vështirësitë që po has në menaxhimin e krizës. Popullariteti i tij ka rënë në nivelin më të ulët që kur u bë president në vitin 2000. Kriza ekonomike që po pason atë shëndetësore po nxjerr në pah akoma dhe më shumë keqadministrimin e të ardhurave financiare buxhetore. Rreth 60% të buxhetit rus varet nga të ardhurat e eksportit të naftës dhe gazit. Në vitet 2000, kur çmimi i këtyre dy produkteve ishte i lartë, në vend që të ardhurat e majme të investoheshin në modernizimin e ekonomisë dhe avancimin e zhvillimit social, duke përfshirë dhe modernizimin e sistemit shëndetësor, Kremlini vendosi t’i investojë këto të ardhura në armatime dhe aventura gjeopolitike në Ukrainë, Siri dhe së fundmi edhe ne Libi.
Por pandemia dhe rënia e çmimit të naftës në nivele historike e kanë vendosur në një cep Kremlinin, pa i dhënë shumë mundësi manovrimi për të rimëkëmbur një ekonomi në rënie të lirë dhe mbështetur qindra mijëra qytetarë që po shohin përfitimet e fituara gjatë këtyre viteve, të zhduken para syve të tyre.
Kjo është periudha më e vështirë, gjatë 20 viteve “mbretërim”, që presidenti Putin po kalon dhe prandaj, ndryshe nga homologët e tij në vendet demokratike që janë transparent në vështirësitë që po hasin me krizën, reagimi i tij i parë, në mënyrë instiktive, ishte mohimi i ekzistencës së një krize.
Siç deklaron Shlomo Ben-Ami, një ish-ministër i jashtëm izraelit, dhe tani nënkryetar i Toledo International Center for Peace: “Në demokraci, një krizë është provë politike: një lider duhet të ruajë ose forcojë besimin e publikut, ose të rrezikojë që të mos votohet në zgjedhjet e ardhshme. Por në një autokraci, një krizë është një kërcënim për legjitimitetin e regjimit, kjo është arsyeja pse përgjigja zyrtare është aq shpesh mohuese”.