Covid-19 dhe kërkimi i mrekullive nga Zoti, fetarë dhe jo fetarë ju dorëzohen kishave e tyrbeve

Shqiptarët po i rikthehen besimit te mbinatyra me shpresën se do mund ta kalojnë më shpirtërisht sëmundjen e Covidit-19. 

Kisha e Shna-Ndout në Laç është kthyer në vatrën e shpresës për të krishterë, myslimanë e ateistë shqiptarë të cilët luten për kurajë dhe për lirimin nga stresi në këtë vit pandemie.

Prej muajsh ata vërshojnë në faltoren françeskane, duke ndezur qirinj, duke lënë rroba e foto, e duke pritur një mrekulli nga Zoti, tregon famullitari Mirash Ivanaj.

Mirash Ivanaj: Kërkojnë shërime nga më të ndryshmet por edhe heqjen e një fare frike që pandemia u ka sjellë.

Vendi i shenjtë i teqesë së Valiasit, afër Tiranës, njihet për të njëjtat motive çudibërëse.

Përpos komunitetit bektashian, njerëz fetarë e jofetarë, drejtohen atje me besëtytni të caktuara me shpresën se do të mund ta shmangin virusin e ri korona.

Servete Mullai: Gjatë pandemisë ka pasur shumë besimtarë që kanë ardhur, kanë pasur njerëz të sëmurë në shtëpi apo spital, kanë sjellë rrobat dhe i kanë lënë 24 orë këtu.

Ka banorë që e kuptojnë koronavirusin si një sëmundje tersi, dhe kanë gjetur mënyra për të mos u marrë mësysh.

Ramazan Sefaj: Vendosim këto simbole të hershme, një hudhër, kokrra kafeje, kukulla, për ta prishur syrin e keq.

Ankthi dhe frika nga pandemia po i shtyn shqiptarët te besimi dhe kurat imagjinare pasi shumica kërkon paqen shpirtërore.

Kjo duket se është edhe pjesë e të kalurës shqiptare, sipas antropologut Alfred Halilaj.

Alfred Halilaj: Shqiptarët besojnë edhe te dielli, edhe te guri, edhe te mali, edhe te deti dhe te gjithë objektet e natyrës. Në thelbin e vet kultura jonë buron prej kësaj kulture të paganizmit.

Shqipëria numëron një total prej 40 mijë të infektuarish me kovidin-19 dhe mbi 850 jetë të humbura që nga muaji marsi, ndaj vetë titullarët fetarë dhe autoritetet shtetërore këmbëngulin se duhet ndjekur së pari këshillat e mjekëve kur flitet për këtë sëmundje infektive.

SHKARKO APP