COVID-19 në celuloid, Tonin Gega fikson imazhet e Shkodrës nën shterrethim: Historia duhet fiksuar!

Tonin Gega ka mbi 5 dekada që aparatin fotografik e ka mikun e pandarë dhe imazhet që ka shkrepur në Shkodër janë të shumta, nga datat historike, tek ngjarje të ralla, që fati i sjell të të përplasin edhe një herë të vetme në jetë.

“Historia duhet fiksuar”.

E tillë për të është edhe kjo periudhë që po kalojmë nga koronavirusi, kur Shkodrën e sheh në një situatë të pazakontë.

Kjo ka bërë që ai të mos ngurojë të dalë në rrugë për të shkrepur imazhe, edhe pse mbi supe ka afro 80 vite, e rreziku i COVID 19 është i lartë.

“Thashë po fiksoj dhe këto momente që të mbeten mbrapa për brezin e ri”.

Termeti i vitit 1979, ardhja e demokracisë dhe zhvillimet e forta që kaloi vendi, apo viti i mbrapshtë 1997, janë vetëm disa nga ngjarjet që Tonini i kujton, ndërsa i ka fiksuar me aparatin e tij.

Por ai nuk harron të theksojë se Shkodrën kështu se kishte parë asnjëherë, pasi tashmë të gjithë jemi përballë një armiku të padukshëm.

“Shqiptarët gjithë jetën e kanë kaluar me plumba, në pjesën më të madhe armiku është parë”.

Qytetarëve u kërkon të binden e të mos thyejnë vendimin e qeverisë për të kufizuar lëvizjet, që të gjithë të mund t’i kthehemi sa më parë jetes normale.

Imazhet që ai ka fiksuar në këto ditë të Shkodres me dhe pa njerez në rrugë, me biznese të mbyllura, apo momente nga më të ndryshmet, le ti shërbejnë brezave dhe historisë thotë fotografi Gega, i cili është i bindur se kjo është një prej ngjarjeve që bota do ta shënojë si ndër të radhat që ka përjetuar në këto dekada.

Ora News - Shkodra përballë armikut të padukshëm, fotografi dokumenton historinë e COVID 19

/Ora News

SHKARKO APP