Çudi me ty, nisesh për në Shqipëri i sëmurë dhe kthehesh prej atje i shëruar…!

Placeholder Image

 Nga Viron Kona/1.Njeriu krijues, që akumulon dije dhe përvoja të shumta në jetë, vjen një kohë që, figurativisht, shndërrohet në një “dritë” të fuqishme, që emeton pareshtur energji pozitive, ndihmon për ta bërë mendjen njerëzore më të kthjellët dhe më të orientuar, më të freskët, më të bukur  dhe të begatë. Drita e tij e dijes, ka atë efekt te njerëzit, që ka vërshimi pranveror te natyra dhe bota e gjallë.

viron-kona

Viron Kona

 

Nuk do të thotë se, duhet të jesh doemos i moshuar, që të japësh përvoja, këshilla dhe dituri, por njeriu për të cilin po flasim, Sadulla Zendeli-Daja, është nga ata krijues të veçantë që në çdo kohë e ka pozicionuar veten si një luftëtar i zjarrtë i jetës, i lirisë, përparimit dhe  dashurisë, ai është gjithnjë shembull i mirësisë dhe i vlerave më  të arrira të shoqërisë njerëzore. Është për t`u veçuar fakti se, personalitete me kapacitete të atillë, nuk janë si statujat e bukura, të ngrira dhe të pajeta në kopshtet mbretërore apo në rrugët e ndriçuara, por ata gjallërojnë, janë kurdoherë në veprim, kurdoherë aktivë që t`i ndihmojnë shoqërisë, ata sakrifikojnë për t`i hapur asaj rrugë e shtigje të reja dhe të ndriçuara. Sadulla Zendeli, që  në vendlindje, në Sërmnovë e Gostivar, tregoi se ishte i veçantë, i përparuar dhe i emancipuar, luftëtar i së drejtës dhe i së vërtetës.

Karakterin e tij përparimtar ai e tregoi në aftësinë dhe gatishmërinë  për t`u shërbyer me gjithë zemër qytetarëve të vendit të tij, duke ua lehtësuar vështirësitë e jetës, por dhe duke frymëzuar dhe nxitur tek ata ndjenjat e atdhedashurisë, të lirisë dhe të pavarësisë. Këtë njeri, që nisi të rritej si një përfaqësues i vlerave më të mira njerëzore, si një mbrojtës i të drejtave të vëllezërve shqiptarë në Maqedoni (atëherë ish Republika e Jugosllavisë), nuk mund ta pranonte regjimi serb–maqedonas, i cili nisi ta përndjekë e persekutojë nëpërmjet kurtheve e ligësive, derisa e detyruan  të merrte rrugët e mërgimit. Ishte Suedia që i hapi atij dritën jeshile. Sapo vuri këmbën në këtë vend me zhvillim të madh demokratik, Sadulla Zendeli tregoi se meritonte t`i ofroheshin mundësi, të ecte dhe të tregonte veten në jetë. Fillimisht studioi në universitetin Uppsala, më tej në atë të Borosit. Pikërisht për aftësitë e tij, për shpirtin praktik dhe krijues, ndonëse mërgimtar, suedezët e emëruan shef të bibliotekave të qytetit Nybro. Aty, duke kontaktuar me bashkatdhetarët,  Daja mori nismën dhe bëri të mundur hapjen në atë qytet të shkollës së parë shqipe me fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të cilët gjer atëherë ishin të detyruar që, në vend të gjuhës shqipe, të mësonin gjuhën serbe, pasi pasaportat e tyre ishin jugosllave.

Mësimin shqip, me mbështetjen e institucioneve shtetërore suedeze, Daja e zgjeroi më pastaj edhe në qytetet Emmaboda dhe Kalmar.

27 vjet mësues i dalluar dhe me një vlerësim të shkëlqyer, ndërkohë që, nga klasat e mësimit shqip ku ai dha mësim, sot kanë dalë në jetë  qindra kuadro me origjinë shqiptare, që punojnë dhe jetojnë në Suedi, në punë të nderuara dhe të respektuara, deri edhe intelektualë e kuadro të sektorëve të rëndësishëm e që, gjithnjë, ata  kujtojnë me mall e respekt mësuesin e tyre të parë, që u mësoi fillimisht abc-në shqipe, se si të shkruanin emrat e ndritur: Atdhe e Mëmëdhe.

Ndërkaq, veprimtaritë intelektuale dhe atdhetare, Daja, si për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit shqiptar në Suedi,  i shoqëroi me botime të suksesshme fjalorësh shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, me vepra të spikatura poetike dhe në prozë. Edhe kur ia arriti të hapte një restorant në ujdhesën Ëland të Suedisë, në hyrje të atij lokali, ai vendosi flamurin shqiptar, më pas, edhe atë të Kosovës, teksa mbi të dy emrat gdhendi me shkronja të mëdha emrin SHQIPONJA… Kështu, me vepra atdhetare e letrare-artistike e publicistike, vazhdoi dhe vazhdon jeta e Sadulla Zendeli-Dajës, e këtij njeriu që, gjatë gjithë kohës, që kur shkoi në Suedi, duke ndjekur traditën e rilindësve tanë të mëdhenj, krijoi pareshtur si një dijetar i shquar, organizoi shoqata kulturore dhe atdhetare, u shndërrua në një lider dhe gojëtar i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave të vëllezërve shqiptarë, luftoi e punoi së bashku me djemtë, gjithnjë në ballë të demonstratave në qytete të Europës për  lirinë dhe pavarësinë  e Kosovës…Sot, “Qytetar Nderi” i Gostivarit, orator dhe personalitet i ftuar dhe i nderuar në hapësirën mbarë shqiptare kudo: në Suedi, në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni, në  të gjitha trojet shqiptare.

sadulla-zeneli-daja

Sadulla Zendeli Daja

Janë të shumtë ata që kanë shkruar artikuj dhe libra për Dajën, kanë krijuar poezi, këngë, filma dhe dokumentarë, i kanë kushtuar atij vlerësime dhe mirënjohje, të gjitha, shpërblim për punën, vetëmohimin dhe sakrificat në shërbim të njerëzve, të punës dhe të jetës, të atdhedashurisë dhe lirisë. Mes atyre, që janë përpjekur të bëjnë vlerësime për Dajën, jam edhe unë, autori i këtyre radhëve, që, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, i kam kushtuar Sadulla Zendeli-Dajës, librin e  titulluar “Ju dua më shumë se veten!” Ndihem krenar për këtë libër të përkushtuar, e, ndërkohë, mendoj se emri dhe vepra e Dajës meriton sot dhe do të meritojë edhe në të ardhmen vlerësime të shumta, jo vetëm nga individë, njerëz të thjeshtë e intelektualë, por edhe nga institucione kulturore, akademike, shkencore e shtetërore. Mbi të gjitha, vepra e Dajës do të mbetet në kujtesën e kombit shqiptar si një pishtar i pashuar atdhetarie e kulture, ajo do të edukojë brezat me ndjenjat e lirisë dhe të pavarësisë.

2.

I lumtur që m`u besua hyrja  e librit  “Kur kam atdheun, kam gjithçka”, dëshiroj të informoj lexuesin se ai do të gjej në pjesën e parë të tij poezi për jetën, poezi të ndjera dhe të përjetuara, poezi që  kanë ardhur si rrjedhojë e  dhimbjeve dhe ndjenjave të fuqishme atdhetare, dashurisë për kombin dhe vëllezërit shqiptarë. Ka një këndvështrim interesant poezia “Vardari i moçëm”, e cila i kushtohet lumit të Vardarit, më i madhi dhe më i gjati i Maqedonisë. Ai buron pranë fshatit Vërtok afër Gostivarit,  në 430 kilometra gjatësi, përshkon tërë  Maqedoninë vërshon  në territorin grek, derisa derdhet në Detin Egje në perëndim të Selanikut.

Autori e trajton Vardarin si një “banor” të moçëm të Gostivarit, me  uji  “të pastër si loti”, por që pakujdesitë dhe hedhjet e mbeturinave ia prishin bukurinë, i dëmtojnë përbërjen dhe, si pasojë, uji bëhet shkak për sëmundje të popullsisë. Një thirrje të fuqishme, sa ekologjike, aq edhe artistike bën Sadulla Zendeli-Daja kur, për fatin dhe rrjedhën e  pastër të Vardarit, u drejtohet  komunës dhe çdo qytetari të Gostivarit, që ata të kujdesen me dashuri për lumin e tyre, sepse ai “Fushën e Pollogut e lanë,/Sikur nëna lanë djalin sugar…” Zgjon respekt dhe mall për vendlindjen poezia  “U nisa nga shtëpia e xhaxhai tim”, ku autori bën edhe një përshkrim artistik e mbresëlënës të gjeografisë së Gostivarit. Në vargje ndihet qartësisht dashuria për çdo pëllëmbë të vendlindjes, për arat e lëndinat, për fshatrat e lumenjtë, për lashtësinë e trojeve, për bukuritë dhe mallin e pashuar. Lumenjtë ecin të bashkuar,/Shungullojnë, asnjë fjalë s´dëgjon,/Që nga lashtësia e Mëmëdheut,/Mijëra vite n`tokën ilire kalojnë.

viron-kona-dajaMe shumë mirësi e dashuri përshkruan poeti figurën e Bibes, te vjersha “Motra e Xies’, e cila përfaqëson gruan shqiptare, zonjë bujare, që shpreh dashurinë dhe respektin për njerëzit e saj të afërm, të familjes, fisit e të cilitdo që i vjen mik në shtëpi. Ajo di të respektojë dhe të nderojë zakonet dhe traditat e mikpritjes, të sjelljes, të mirëkuptimit dhe marrëdhëniet midis njerëzve, por ajo di që, edhe me fjalë të thjeshta të mbrojë emancipimin e grave, të drejtat dhe rolin e tyre të madh në familje dhe në shoqërinë moderne shqiptare. Sarkazëm e fuqishme është  vjersha “Të ndjehesh i gjallë”, në të cilën autori ngre lart emrin dhe nderin e emrit shqiptar, ndërkohë që demaskon pushtuesit, që si dallgët e pandërprera të detit e kanë sulmuar dhe janë përpjekur ta gjunjëzojnë Shqipërinë heroike. Në vazhdim, si edhe në poezi të tjera, poeti ngre zërin e fortë denoncues e demaskues kundër pushtuesve dhe, me kurajë qytetare e nga pozita progresiste e largpamëse, kur autorë të tjerë jo vetëm e anashkalojnë, por përkundrazi e konsiderojnë si tabù temën “delikate” të fetarizmit fanatik, Daja është ndër autorët shqiptarë më të angazhuar artistikisht, madje në avangardë do të thoshim kundër ekstremiteteve fetare, teprimeve të skajshme dhe mashtrimeve të atyre përfaqësuesve të fesë, që abuzojnë me besimin dhe mirësinë e popullit shqiptar: Të jesh shqiptar,/Duhet të jesh i gjallë./Të vdekur kemi shumë,/Tërë jetën të huajt,/Na kanë bërë zullum.

Është një himn frymëzues poezia “Sikur ta kisha lirinë!”, ku autori shfaqet me thjeshtësi të dukshme, por dhe me shumë lëng jetësor e mendim të freskët  romantik për lirinë dhe bukurinë, shprehë me vargje vlerën e lirisë, e cila është e shenjtë për të gjithë popujt dhe, veçanërisht për shqiptarët, të cilëve e tërë jeta u ka kaluar në luftë dhe përpjekje shekullore për ta fituar e mbrojtur lirinë dhe pavarësinë. Kurse, te poezia “Bishat kaukaziane okupojnë tokën Iliriane”, rikumbon si një refren thirrja e rilindësve tanë “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Detyra jonë e parë, – thotë me vargje autori, – është të mbrojmë atdheun nga pushtuesit gjakatarë. Mjafton të hedhim vështrimin dhe shohim shumë qartë se Shqipëria është nga vendet e rrallë në botë që rrethohet nga bashkëkombës, sepse fqinjët shovinistë: serbë, grekë, malazezë, i janë sulur si qentë e babëzitur dhe e kanë kafshuar rëndë truallin e shenjtë shqiptar, dhe, në “bekimin” e Europës, kanë shqyer dhe kanë rrëmbyer sa copa kanë mundur… Te vjersha “Ju shoh dhe ju njoh”, S. Z. Daja demaskon korrupsionin, ata njerëz që shpërdorojnë dhe abuzojnë me besimin e popullit. Ata, s`e kanë për gjë që, për hir të fitimit ta shohin e trajtojnë vatanin si plaçkë tregu. Për këta lloj njerëzish, poeti ndjen veç urrejtje dhe përbuzje, duke shprehur njëherazi ndjenjat e tij të pastra dhe të freskëta të atdhetarisë që, e trazojnë përbrenda, e zemërojnë skajshëm: Ah, të isha në ëndërr,/Nuk do të merakosesha më,/Jam i gjallë dhe kjo më mundon!

Poezia “O Dhè shqiptarie”, mendoj se është një tjetër himn për atdheun, një gëzim i brendshëm e gurgullues i poetit e, ku, dashuria atdhetare i vërshon nga e tërë qenia. Është kjo poezi një apostrof i fuqishëm, ku vargjet flakërojnë dhe nxjerrin në dritë shpirtin e pastër  dhe të kristaltë të Sadulla Zendelit, që e do aq shumë atdheun, që i këndon dhe e ledhaton, që e sheh si vendin e shenjtë të lindjes dhe të vazhdimësisë së brezave, teksa kumbon si një refren i fuqishëm  zëri i lirisë dhe i pavarësisë.

 Me një theks origjinal tingëllon vjersha “Po të kisha fuqi! Autori, siç është e njohur,  jeton në Suedi, në këtë vend, i cili nuk e njeh luftën prej më shumë se 200 vjetësh. Poeti Sadulla Zendeli-Daja, është nga ata njerëz që ia di vlerën paqes, mbase më shumë se shumë të tjerë, sepse, që kur ishte fëmijë dhe në rini, ai e ka parë e përjetuar tmerrin e luftës, që i dhunonte dhe i merrte jetën të afërmve, bashkëfshatarëve dhe bashkëkombësve të tij shqiptarë. Ai  mbyll poezinë me vargjet që shprehin dashurinë e tij të pakufishme për jetën: Edhe kështu i moshuar jam,/Qielli blu do të ma sjellë dritën,/Njerëzimit do t‘i kisha dhënë,/Flatra dashurie  me rreze drite!

Te vjersha “Lum Shipkovica që të ka”, Sadulla Zendeli-Daja ngre lart figurën e shkrimtarit dhe publicistit të njohur Baki Ymeri, i cili, duke qenë i mërguar në Bukuresht, ashtu si dikur rilindësit, mbron me zjarr vlerat e mëmëdheut, krijon vepra të çmuara për lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, e, me emrin e tij, siç shprehet poeti: Mburret Tetova për djalin e Sharrit,/Mburret Gostivari i Xhemë Gostivarit,/ Mburret Shqipëria e Kosova,/ Të falënderojnë trojet tona,/Të adhuron mërgata shqiptare,/Për djalin që lindi Nëna!

Te poezitë “Kumanova në zjarr e flakë”, dhe, “Oh, na dogji vrasja e shqiptarëve të Kumanovës!” autori ngre fuqishëm zërin dhe piskamën e  dhembjes për humbjet e jetëve nga padrejtësitë e makinacionet djallëzore të shovinizmit serb e maqedonas, i cili nëpërkëmb shqiptarët, duke i keqtrajtuar e vrarë sa herë ata ngrihen, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre legjitime. Janë këto poezi aktakuza për sllavo-maqedonasit  që qeverisnin ligësisht, të pa shëruar nga ndjenjat e shovinizmit gjakësorë. Te poezia “S`jam këtu”, Zendeli shpreh dhimbjen se jeton i mërguar larg mëmëdheut, larg trojeve të të parëve të tij, larg atyre trojeve ku lindi dhe u mëkua me dashurinë për njerëzit, për tokën, për lirinë dhe begatinë. Një dhimbje dashurore do ta vlerësoja poezinë  “Në gjithë botën të kërkoja”, në të cilën shpalosen dhe marrin jetë e udhë ëndrrat dhe dëshirat dashurore të poetit, ndjenjat e tij të thella e të zjarrta për vajzën që dashuron e që ai e thërret me emrin e perëndeshës shqiptare Zana. Është tërheqëse dhe plot kuptim poezia “Në portën e Dajës troket një mik” e ku, nëpëmjet një episodi mbreslënës, Daja shpalos botën e tij të gjerë humane për kafshët, si gjallesa që kanë edhe ato të drejtat e jetës dhe që duhen dashur, respektuar e mbrojtur nga njerëzit. Kush ka dëgjuar Dajën kur tregon, me siguri do t`i kujtohen ngjarjet episodike të tij me qenin e macen e shtëpisë, e,  vecanrisht me Tigrin, i cili i deri dhe i ka shpëtuar jetën. Eshtë kjo poezi, njëherazi, edhe respekt për humanizmin e popullit suedez, artistët e të cilit iu kushtojnë kafshëve, shpendëve dhe tërë gjallesave të natyrës, deri vepra të mëdha krijuese e artistike, mes të cilave veçohen pikturat dhe skulpturat e parkut.

Vijnë në harmoni me përmbajtjen e librit poezia “Shqipëria  e bekuar me gjuhën shqipe të unjisuar”, e ku merr shumë vlerë emri i shtrenjtë Nënë. Tingëllon me zemër e shpirt thirrja e poetit: Mërgimtarë të dashur,/Ruani gjuhën tonë,/Ju çamër, kosovarë e matjanë,/Thesarin më të çmuar,/Për shqiptarët kudo që janë.

Vëllimi poetik vijon me një “bashkëbisedim” për figurën dhe personalitetin  e Faik Konicës, kurse, te poezia “Njerëz të fshehur me maska të ngjeshur”, poeti demaskon tradhtarët dhe spiunët, gjakpirës të popullit shqiptarë, njerëz të urryer nga e gjithë shoqëria. Të prek thellë poezia  “Rizgjim në mërgim”, ku Sadulla Zendeli mediton në vendin ku jeton, por edhe ndjen një gëzim të brendshëm kur bashkëkombësit shkruajnë për të, ia vlerësojnë jetën dhe veprën e tij leksikografike, atdhetare dhe poetike, e kësisoj, “jeta nuk i ka shkuar kot’. Në vazhdim Sadulla Zendeli-Daja shpërthen në poezinë “Sa e bukur është Suedia!”, vendi ku ai gjeti mbështetje pas largimit me dhunë nga vendlindja, atje ai realizoi ëndrrat për t`u shkolluar e jetuar me dinjitet,  por edhe për të medituar dhe mbrojtur me të gjithë fuqitë e tij mëmëdheun e shtrenjtë…Libri mbyllet me poezinë thirrëse: “Zgjohu o dëshmorë!”: Në mendje gjithmonë Ju kemi./Ju! Ju! Me gjakun tuaj,/Na e falët Dardaninë,/Dhe na e sollët Lirinë!

3.

Është po aq interesante pjesa e dytë e këtij libri, ku tregohet për vizitat që Sadulla Zendeli-Daja ka bërë në Tiranë, Durrës, Lezhë e Kukës me qëllim, doemos të njohë  anekënd  atdheun Nënë- Shqipërinë. Duke qenë edhe unë pranë tij në këto vizita, kam vënë re dashurinë e sinqertë, gëzimin dhe lumturinë që lexohej qartas në sytë e tij, që u mbushën me dritë të re kur vizitoi Lezhën dhe Kukësin, Tiranën dhe Durrësin…Në këto vizita, Daja përuroi e dhuroi libra, u prit në takime të veçanta nga drejtues dhe intelektualë, por edhe nga lexues të shumtë, banorë të këtyre qyteteve.

Ai përjetoi mbresa të pashlyera nga takimet përuruese në panairet e librave në Tiranë, ku është banor i përhershëm; u emocionua nga fjalët e shkrimtarëve, akademikëve, gazetarëve dhe lexuesve të thjeshtë, nga artikujt e gazetave, emisionet e radiove dhe televizioneve që treguan për librat e tij, nga takimi përurues në “rezidencën” e tij në Tiranë e ku morën pjesë miqtë e tij: Gjovalin Shkurtaj, Viron Kona, Liljana Kona, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Kadri Tarelli, Mehmet Deliu, Halim Laçi, Demir Osmani, Bujar Poçari, Mal Bucpapaj, Ibrahim Hajdarmataj, Vera Istrefaj, Bashkim Saliasi, Vjollca Spaho, Hatixhe Lushi, Zyba Hysa, Kozeta Hoxha, Agim Xheka, Ilir J. Hoxhaj…

Daja u gëzua në shpirt  kur kryetari i bashkisë i qytetit të Lezhës z. Fran Frrokaj i dhuroi Emblemën e qytetit, kur drejtorja e bibliotekës znj. Suela Mino i dhuroi Mirënjohje  si mik i shquar i bibliotekës. Përjetoi ndjenja të thella, zhvilloi bashkëbiseda, që mbetën të fiksuara në emisione radiosh e televizionesh, në kronika, lajme e artikuj gazetash…

Ishte i madh mallëngjimi dhe emocioni i Dajës kur vizitoi sheshin ku u mblodh Kuvendi i Lezhës, Memorialin e Skënderbeut, monumentet e heronjve dhe dëshmorëve të kombit, shtatoren e Gjergj Fishtës, bibliotekën e qytetit, ku ai u zhyt mes librave…

Ishte i papërshkrueshëm gëzimi i Sadulla Zendelit kur vizitoi Durrësin 3000 vjeçar dhe monumentet e tij të lashta historike e kulturore, kur mori pjesë në atë takim aq mbresëlënës në bibliotekën e  qytetit, ku u ndje i vlerësuar dhe i respektuar për veprën e tij leksikografike, atdhetare dhe poetike, por dhe u shpërblye me Mirënjohje  nga drejtuesja e bibliotekës së Durrësit znj. Mirela Ylli,  ndërkohë që vepra e tij u veçua dhe u paraqit me dritë e bukuri nga specialistja e bibliotekës znj. Teuta Dhima. Gjatë gjithë kohës në qytetin e Durrësit, Daja ishte i rrethuar nga ngrohtësia e krijuesve durrsakë Agim Bajrami, Vasillaq Papaj, Merita Thartori (Kuçi), nga gazetari dhe publicisti Kadri Tarelli, nga kuadro të arsimit e të kulturës: Flamur Panariti, Avdyl Bucpapaj, Zabit Rexhepi, Fadil Elezi, Bajram Gashi, Fatmir Uruçi, si dhe nga miqtë e tij: shkrimtari Viron Kona, publicisti dhe studiuesi Murat Gecaj, gazetari Ilir J. Hoxhaj...

Nuk mund të përshkruhet emocioni dhe krenaria e Sadulla Zendeli-Dajës kur vizitoi Kukësin, qytetin e  Mikpritjes dhe Bujarisë, qytetin e shpallur Kandidat për çmimin e madh Nobel, qytetin që e gjithë bota e vlerësoi për vëlla-pritjen e rreth 500 mijë vëllezërve në kohën e Luftës së Kosovës. Në këtë qytet, ndodhet edhe radio “Kukësi”, i krijuar në vitin 1959, posaçërisht për shqiptarët e trojeve jashtë kufirit shtetërorë. Kjo radio, u bë shkak e motivim që, Sadulla Zendeli të merrte emrin Dajë…Ndonëse i thyer në moshë, Daja  u shndërrua në një  20 vjeçar kur përshkoi rrugët e Kukësit, kur vizitoi monumentin “Eksod 99”, muzeun  tij të çmuar, pallatin e  kulturës  “Hasan Prishtina”, ku u zhvillua takimi me krijues, e kur, më pas, vizitoi përmes emocionit të thellë, ndërtesën dhe aparaturat e radio “Kukësit”. Aty u zhvillua edhe ai emision mbresëlënës, që do të mbetet gjatë në kujtesën e  kuksianëve…

Pastaj, ato takime aq mbresëlënëse, fotografi, fjalë të dashura e të bukura të mbushura me ndjenja malli, fjalë dhe përshëndetje që buronin mirësi, ngrohtësi të Mëmëdheut për birin e mërguar larg, larg…Ishin atje, pranë tij, gjithnjë të qeshur dhe të gëzuar poetja e njohur shqiptare Vera Istrefaj – kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve- dega Kukës; Abdulla Domi, – sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës, Aida Muja- përgjegjëse e  Bibliotekës, Erjona Todaj- koordinatore e Amerikan Corner, Valbona Palushi – përgjegjëse e Muzeut të  qytetit,  Sulejman Dida,- kryeredaktor i Radio “Kukësit”, Petrit Palushi, – drejtor i Radio “Kukësit”, Lulzim Hajdari-sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve-dega Kukës, vogëlushi Orest Vllacaj, i veshur me kostumin popullor të  Lumës dhe shumë e shumë lexues, gazetarë, mësues, shkrimtarë e artistë, fëmijë të bukur si drita dhe të mençur me veshje të ndritshme kombëtare… Mbresa të fuqishme që e rinuan Dajën, i zgjatën jetën, e zbukuruan, e bënë, ashtu siç ai përjeton e sjell në biseda fjalët e bashkëshortes së tij të shtrenjtë Xies, e cila sa herë që Ai kthehet nga Shqipëria, i thotë:  “Çudi me ty, nisesh për në Shqipëri i sëmurë dhe kthehesh prej atje krejt i shëruar…!”

SHKARKO APP