Dashuria Ballkanase për aktorin kosovar Ilir Tafa

Sipas KosovaPress, Tafa, i cili pati një sukses në tri sezonet e realizimit të serialit më të shikuar në regjion “Lud, zbutjen, normalan” i prodhuar në Sarajevë, me njërin nga rolet kryesore të serialit, ka folur shkurt për KosovaPress, se ofertat për të nuk po ndalen.Por, megjithatë ai e përshkruan si të vështirë rrugën e tij nëpër Teatrot dhe Televizionet jashtë Kosovës, por në të njëjtën kohë tregon edhe për sukseset që ai është duke i pasur.

“Të punosh e veprosh jashtë vendit tënd sidomos në art, është punë jo e lehtë. Duhet shumë punë e shumë përkushtim, por besoj se ia kam dalë. Regjisorët janë të kënaqur me punën time, shumë shpesh marr oferta të reja për punë dhe angazhime, edhe me kolegët aktor kam një bashkëpunim të shkëlqyer por më së shumti jam i kënaqur me mënyrën si më ka pritur publiku. Ata më ndalin pandërprerë në rrugë më bëjnë komente të mira”, ka thënë Tafa për KosovaPress.

Përveç kësaj, Tafa thotë të jetë krenar jo vetëm për punën dhe sukseset e tij, por edhe për kolegë tjerë të tij shqiptar që janë të njohur për publikun atje.

“Është interesant se kudo e sidomos, në Bosnje e Hercegovinë ku jetojnë shumë komunitete por edhe në Kroaci e në Mal të zi, e kujtojnë shumë Bekim Fehmiun dhe Faruk Begollin. Përveç Bekimit dhe Farukut ata i mbajnë në mend edhe sportistët Fadil Vokrrin dhe Aziz Salihun. Nuk e fshehin simpatinë, të them të drejtën kjo më bënë krenar dhe më inkurajon”, ka thënë Tafa.

Ai ka treguar se do të jetë i angazhuar në sezonin e ri të serialit të njohur ‘’I Marri,I Hutuari dhe Normali’’ një serial televiziv me audiencë shumë të madhe që shikohet nga miliona shikues.

Tafa, ka folur edhe për shkrimet e medieve që flisnin rreth rivalitetit mes tij dhe Enver Petrovcit.Por gjatë kësaj bisede të shkurtë, Tafa nuk ka lënë të kuptoj se ka ndonjë rivalitet për Enver Petrovcin, madje ai ka folur me admirim për të.

“Jo jo, nuk kemi rivalitet. Mundet me qenë ndonjë keqkuptim, por jo. Marrëdhënia ime me Profesorin së pari është njerëzore. Unë kam qenë student i Enver Petrovcit, e me vonë edhe asistent e bashkëpunëtor i tij, është kënaqësi të punohet me të”, është shprehur aktori Tafa.

SHKARKO APP