Dashuria e Al Banos për Shqipërinë

Nga Zenepe Luka –

 Më datën 30 janar 2016, ditën e shtunë, Shoqata Kulturore “Al Bano dhe Romina Power” festoi 20- vjetorin e krijimit në qytetin e Vlorës, në sallën komode të hotel “Vlora International”. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm e fansa dhe miqve të këngëtarit, personalitete të kulturës dhe artit nga Italia, gra të shquara, anëtare të fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, si dhe shumë qytetarë, që kanë emrat Albano dhe Romina. Morën pjesë përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë dhe personalitete të kulturës dhe artit nga Italia, si dhe kryetari i qarkut, Sadrit Danaj. Veprimtaria u çel me ekspozitën fotografike, “Dashuri shqiptare për Al Bano” , ndërsa në një kënd tjetër ishin vendosur botimet që ka bërë shoqata gjatë 20 viteve.

Konferenca

Gjatë punimeve të konferencës janë bërë shumë diskutime, përshëndetje si edhe vlerësime për kontributin e shoqatës për gjatë 20 viteve. “Mjeshtër i Madh”, pianistja e shquar Aksinja Xhoja solli përshëndetjet e dërguara nga këngëtari Al Bano Karrisi.

 “Shoqata Kulturore “Al Bano dhe Romina Poëer”, “binjakëzuese” e kulturës dhe dashurisë mes Vlorës dhe Puglias”, ka qenë diskutimi i Sadrit Danaj, Kryetari i Qarkut Vlorë. Prof. Dr. Makbule Çeço ka diskutuar “Të njohësh nga afër Gjeniun e këngës italiane Al Bano Karrisi, është event i rëndësishëm në jetë”. Interes paraqiti fjala e Kryetarit të Bashkisë së Ostunit z. Gianfranco Coppola, me temë “Dashuria shqiptare për Al Bano”. Shoqata “Al Bano & Romina Power” në Shqipëri, botimi i librit “L’Amore albanese per Al Bano”, janë një urë e rëndësishme miqësie mes njerëzve të kulturës dhe popujve të dy vendeve”, ka qenë diskutimi i Maestro Solferino. Shoqata e artistëve “la Casaçia” e Frankavilles. Duke qenë një nga piktorët e mëdhenj që ka Italia, ai kish bërë edhe surprizën: Një pikturë, portretin e kryetares së shoqatës. “Ngjarje e bukur e jetës sime, kur këndova “Lule borë” me gjeniun e këngës italiane Al Bano, në shtëpinë e tij Celino, San Marko”, ishte diskutimi i artistes Irini Qirjako.

Diskutimet janë mbyllur nga Silvana Braçe, që shpalosi për të pranishmit “Kujtimet e bukura të jetës sime nga vizita në shtëpinë e Al Banos 23 vjet më parë dhe në ditën e themelimit të shoqatës.

Vlerësime

Shoqata u vlerësua me medaljen “Mirënjohje” nga Qarku Vlorë. Konferenca përfundoi me përcjelljen në ekran të përshëndetjes së këngëtarit Al Bano Karrisi me rastin e festës, që përfundon me këngën “Felicita”, kënduar nga Al Bano dhe Romina Power”. Konferenca u moderua nga poetja, kineastja Vllasova Musta dhe u përkthye nga Laura Kule.

20 vjet më parë

Më 31 janar të vitit 1996, në qytetin e Vlorës, u formua shoqata kulturore “Al Bano dhe Romina Poëer”, e vetmja shoqatë me këtë emër në të gjithë botën. Iniciatorë u bënë tre miqtë, Luka, Gjebrea dhe Braçe, njëherësh edhe miq të Al Banos. Biznesmeni Mefail Hitaj,vuri në dispozicion lokalin e tij, duke e shndërruar në klubin e fansave të këngëtarit italian. Në këtë ditë, dy foshnjave të porsalindura, në maternitetin e Vlorës, ju vendosën emrat Romina Brokaj dhe Albano Arapi. Në përbërje të kësaj shoqate, shumë shpejt u anëtarësuan njerëz të artit e kulturës, politikanë, intelektualë jo vetëm nga qyteti Vlorës. Pjesë e shoqatës janë edhe 130 qytetarë nga Vlora, që kanë emrat Albano dhe Romina. Anëtarë nderi të shoqatës janë personalitete të larta të fushave të ndryshme si shkrimtarët Ismail dhe Helena Kadare, ish-ambasadorë e konsuj italianë, Miss Europa Maria Harrison, ish- Nënkryetare e Parlamentit Prof.As.Dr.Makbule Çeço dhe deri tek Nënkryetari i PE Giani Pitella.

 Dy fjalë për Al Bano Karrisi-n

Al Bano Karrizi është lindur më 20 maj 1945, në Celino San Marko, është një mit i muzikës së lehtë italiane. Gjatë karrierës së tij që vazhdon prej më shumë se gjysmë shekulli, ka interpretuar qindra këngë të suksesshme, pjesa më e madhe e tyre e kompozuar nga vetë Ai. Ka marrë pjesë në 20 edicione të Festivalit të Sanremos, ku ka fituar shumë herë çmime. Ka merituar 26 Disqe të Artë, 8 prej Platini, çmime të tjera prestigjioze për veprimtarinë e zhvilluar në të gjithë botën. Nga viti 1997 është Ambasador i OKB-së për luftën kundër drogës dhe nga viti 1999, Ambasador i FAO-s. Lidhjet e ngushta të tij me Shqipërinë vijnë edhe për shkak të miqësisë dhe dashurisë, që kishte babai i tij Karmelo Karrisi, që ka qenë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Simbol i kësaj miqësie është edhe vendosja e emrit të djalit të parë Al Bano. Gjeniu i këngës italiane dashurinë për këtë vend e ka shprehur edhe tek kënga “Saranda, Okinava”.

Koncertet dhe vizitat e Al Banos në Shqipëri

Vizitën e parë këngëtari italian e ka bërë në vjeshtë të vitit 1985, së bashku me prindërit e tij, me insistimin e të atit, Don Karmelo, që në prag të verbimit, kërkoi të shihte për herë të fundit vendin e shqiponjave, për të cilin ruante kujtimet më të bukura, kur kishte qenë ushtar. Për herë të dytë këngëtari erdhi më 17 shtator 1989, për të dhënë koncert në stadiumin “Qemal Stafa” dhe Pallatin e Kongreseve. Ishte i pari këngëtar perëndimor që këndoi ende pa rënë regjimi në Shqipëri. Herën e tretë, i ftuar nga shoqata kulturore, që ka emrin e tij, më 7 nëntor të vitit 2004, dha koncert në Pallatin e Kongreseve, si dhe bëri vizitë në qytetet e Krujës dhe të Vlorës. Për herë të katërt, Al Bano erdhi në Vlorë më 1 maj të vitit 2008, ku bashkë me fansat e tij, festoi 65 -vjetorin e lindjes. Në këtë ditë të shënuar, këngëtarit ju dha “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës” nga bashkia si dhe u promovua libri “Al Bano dhe Albania”, i autores Zenepe Luka. 8 qershori i vitit 2009, shënon ardhjen e pestë të këngëtarit në Shqipëri. Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi i akordoi këngëtarit të famshëm Medaljen“Nënë Tereza”. Në këtë ditë, u promovua në Pallatin e Brigadave busti i këngëtarit, punuar nga skulptori vlonjat Skënder Tena. Shoqëruar nga kryetarja e shoqatës, këngëtari bëri një vizitë në qytetin e Krujës. Në shtator 2009 dha koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit, me rastin e 20- vjetorit të dhënies së koncertit të parë në Shqipëri. U promovua edhe libri biografik i këngëtarit “Kjo është jeta ime” përkthyer në gjuhën shqipe. Me rastin e 20- vjetorit të shoqatës, në prag të ditëlindjes, Al Bano rikthehet në Shqipëri për të dhënë koncert në prill të këtij viti.

Vlerësimet

Gjeniu i këngës italiane Al Bano Karrisi është vlerësuar në Shqipëri. Medjalen “Nënë Tereza”, akorduar nga Presidenti i Republikës Prof.Bamir Topi, në qershor të vitit 2009. “Mirënjohje e qytetit të Vlorës” në vitin 2008. Me rastin e 70 -vjetorit të lindjes, Presidenti Bujar Nishani nderon këngëtarin italian me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Gjatë dy dekadave, nga shoqata Kulturore “Al Bano & Romina Poëer”,janë bërë këto botime në gjuhën shqipe dhe italiane. “Al Bano & Romina Power”, në vitin 1996, “Al Bano dhe Albania” në vitin 2008, “Kjo është Jeta ime” (Monografia e këngëtarit) në vitin 2009, “L’Amore albanese per Al Bano” (Dashuri shqiptare për Al Bano)në vitin 2012. Nga fansat e Vlorës i u dhurua busti i punuar në gips nga skulptori vlonjat Skënder Tena, që u përurua në ditën e dekorimit të tij me medaljen e “Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës, Prof.Bamir Topi në Pallatin e Brigadave. Busti i Romina Poëer, punuar në qeramikë nga skulptori vlonjat Zeqir Alizoti, iu dhurua me rastin e 50 -vjetorit të lindjes së saj, 2 tetor 2001.

Çfarë ka thënë Al Bano për Shqipërinë:

“Dashurinë për popullin shqiptar dhe për atë tokë, ma ka mëkuar im atë, Don Karmelo, qysh kur isha fëmijë. Kur u rrita mësova më shumë, për kulturën e këtij populli të lashtë. Erdha në Shqipëri në momentin e përshtatshëm, kur regjimi po binte dhe pritja e publikut ishte mahnitëse”.

-“Nuk e kisha menduar dhe ndjehem kaq i prekur. Kam shumë miq në Shqipëri, ndjehem si në shtëpinë time. Vlerësoj bregdetin shqiptar, kam një dashuri të veçantë për Vlorën, ku dua të vij të pushoj rrethuar nga fansat e mijë. Dëshiroj të ngjitem edhe në Llogara, një perlë e natyrës.

 – “Vlora, Shqipëria prej kohësh janë në zemrën time. Këtij vendi i uroj begati e përparim,pasi jam i lidhur shpirtërisht me atë popull të lashtë, me të cilin na ndan vetëm deti”.

-“Raportin tim me Shqipërinë, mund ta përkufizoj thjeshtë të bazuar tek emocioni, që ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme, pikërisht më 19 shtator 1989, me koncertin që dhamë në Stadiumin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve”.

SHKARKO APP