Dasma mbretërore e Princi Harry-t dhe Meghan Markle, burim të ardhurash për Britaninë

Ekonomia angleze parashikohet të marrë një nxitje të rëndësishme falë eventit të gëzueshëm që pritet të ndodhë në muajin maj. Miliona paundë do të mund të gjenerohen nga ajo që mund të quhet “dasma e vitit” mes Princit Harry dhe të fejuarës së tij Meghan Markle.

Vetëm një muaj ka mbetur nga martesa e shumëpritur mbretërore mes Princit Harry dhe të fejuarës së tij, aktores Meghan Markle. Martesa që do të kurorëzohet më 19 maj, duket se vjen në momentin e duhur për Britaninë e Madhe.

Pas krizës në të cilën ka hyrë ekonomia angleze nga rënia e vlerës së paundit, si pasojë e daljes së kësaj të fundit nga Bashkimi Europian. Ky event pritet të gjenerojë të ardhura që vlerësohen deri në 500 milionë paund.

Familja mbretërore angleze është pa dyshim më e njohura në botë dhe mund të konsiderohet si një atraksion turistik më vete, me një kontribut prej më shume se një miliardë paund në ekonominë e vendit.

Në prill të vitit 2011, muaj në të cilin u martuan Princi William dhe Kate Middleton, u raportua një rritje prej 350.000 vizitorësh në krahasim me muajin prill të vitit paraardhës.

Dasmat në Mbretërinë e Bashkuar kanë vërtetuar të kenë një potencial të madh si fushata reklamuese për promovimin e vendit, pa u dashur të shpenzohet asnjë qindarkë.

Duke qenë se edhe në dasmën e rradhës pritshmëritë për një rritje të numrit të vizitorëve janë të konsiderueshme, bizneset e sektorit të turizmit apo të prodhimit të suvenirëve si për shembull punishtet e qeramikës ku do të prodhohen tasat e mirënjohur anglezë, të dekoruara me simbolet e mbretërisë dhe emrat e çiftit, janë në përgatitjet e tyre të fundit.

SHKARKO APP