Dasmë në kohë pandemie në Tiranë

Një dasmë me mbi 400 të ftuar, mes miqsh dhe të afërmit, me oborrin e shtëpisë që do të gumëzhinte për disa ditë, djegien e shamisë së beqarit apo hedhja e buqetës me lule për ‘nusen’ e ardhshme…

Ishin disa nga momentet që kishte planifikuar çifti nga Tirana, të cilët edhe pse në kushte të pazakonta të një kohe pandemie dhe me shumë tradita të pamundura për t’u përmbushur, sërish nuk e anuloi ditën e dasmës dhe mbi të gjitha, që nusja të dilte nga shtëpia me fustanin e bardhë.

Erion Muçollari dhe Anxhela Ferhati kanë rrëfyer për Politiko.al si u zhvillua dasma e tyre në një ditë shtetrrethimi, të dielën e 12 prillit, ku në rrugë nuk ka të drejtë të lëvizë askush veç policisë, personelit mjekësor e ushtrisë me autoblinda.

Ata tregojnë se si u mor nusja me fustanin e bardhë vetëm në 60 minuta për shkak se aq kohë zgjaste leja që kishin siguruar një javë më parë në Policinë Rrugore, duke respektuar të gjitha rregullat e kërkuara, jo vetëm distancën, por edhe të pajisur si nusja, ashtu edhe dhëndri, me maska, doreza dhe dezinfektantë.

Fillimisht ju urojmë jetë të lumtur dhe me trashegime! Dasma juaj ishte e pazakontë, e zhvilluar në një situatë pandemie, a mund të na e përshkruani si ishte dita juaj më e bukur?

Faleminderit per urimin. Sigurisht, kjo ditë ishte menduar ndryshe, si një ditë shumë më festive dhe me shumë të ftuar, të afërm, miqtë tanë, por për shkak të situatës së pandemisë që preku edhe vendin tonë, shumë gjëra ndryshuan.

Dasma jonë u zhvillua me një drekë familjare me pak njerëz, pra vetëm me familjarët tanë, por gjithësesi ishte një ditë e veçantë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë.

Dasma juaj u zhvillua të dielën, një ditë shtetrrethimi. Si proceduat?

Po, dita e dasmës sonë u zhvillua të dielën siç e kërkon tradita. Proceduam sipas rregullave që kishte bërë të ditur policia. Morëm leje tek Policia Rrugore për fashën orare 11.00-12.00 për lëvizjen e dy makinave me nga dy persona secila. Na u desh të planifikonim mirë çdo detaj sepse kishim në dispozicion vetëm 60 minuta kohë.

Që kjo të bëhej e mundur brenda afatit tonë, aplikuam një javë më parë leje, e cila na u aprovua. Gjatë kësaj kohe të limituar, dhëndri shkoi me makinë dhe e mori nusen me fustan të bardhë sipas traditës.

A patët ndonjë problem gjatë kësaj kohe gjatë marrjes së nuses pasi të dielën në rrugë qarkullon vetëm policia dhe ushtria?

Jo, nuk patëm asnjë problem. Madje, gjatë kthimit, një postobllok na respektoi me nderim ushtarak. Ishtë një moment shumë pikant për ne.

Sa persona kishit planifikuar për këtë ditë dhe me sa u realizua si përfundim?

Në dasmë kishim ftuar mbi 400 persona, 160 nga unë dhëndrri dhe mbi 250 të nuses. Por siç e shihni edhe nga foto, përfundoi me shumë pak persona në shtëpinë tonë private me oborr. Gjithësesi, edhe mes atyre kushteve doli një dasmë shumë e këndshme.

Cfarë kishit planifikuar për atë ditë dhe nuk u realizua dot?

Po, siç edhe kuptohet pengu ynë ishte pjesëmarrja e madhe e të ftuarve që kishim planifikuar.

Më fakt, muajin e fundit që na preku situata e pandemisë, filluam ta pranonim se shumë gjëra po ndryshonin. Fillimisht, menduam të presim deri në fillim të prillit, por duke parë situatën vendosëm të mos anulojmë dasmën në ditën që kishim përcaktuar. Anuluam vetëm rezervimin e restorantit.

Çdo gjë funksionoi si një dasmë normale, sigurisht duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit. Mund të them se edhe urimet e shumta që morëm nga miqtë dhe të afërmit tanë, na e bënë atë ditë edhe më të bukur.

Mes kufizimesh, cilat ishin traditat që arritët të respektonit dhe cilat jo?

Traditat që u respektuan ishte pritja e nuses me oriz dhe me karamele, këputja e kulaçit dhe tek dera e shtëpisë rituali i lyerjes së derës me mjaltë. Shaminë e beqarit nuk e dogja.

Si ndihej nusja dhe dhëndri që si asnjeherë më parë, kishit disa “aksesore” më tepër, si maska, doreza dhe dezinfekues?

Mbajtjen e dorezave dhe maskave e morëm me shumë sportivitet dhe kjo do jetë një kujtim i bukur për më vonë, kur t’u rikthehemi kujtimeve të kësaj dite.

Sa per muajin e mjaltit, tashme dihet se ju pret karantina, por a kishit bërë plane?

Për muajin e mjaltit nuk kishim planifikuar diçka të veçantë sepse nusja është shtatzanë.

Politiko.al/ S.Gj

SHKARKO APP