De Rada, filozof i identitetit shqiptar
Ky përvjetor i lindjes së tij është shënuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, me një tryezë shkencore të organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë. Me këtë rast, është promovuar edhe libri “Studia linguistica italo-albanica”, i profesor Françesko Altimari, i cili është anëtar i jashtëm i ASHAK-ut. Në kumtesën e tij me titull “Mbi strukturën e ‘dyfishtë’ të poemës ‘Këngët e Milosaut’”, Altimari nxjerri në pah karakterin e poemës deradiane nga struktura e saj e jashtme, por interpretoi edhe strukturën e brendshme të saj. Akademiku arbëresh vlerësoi se viti 1836, kur u botua poema “Këngët e Milosaut”, shënon një kthesë epokale për letërsinë shqipe, e cila falë kësaj poeme hyn në erën moderne. “Kjo poemë nuk mund të analizohet veçmas, vetëm duke ndjekur kronologjikisht tri botimet që pasuan, pasi ajo përfaqëson bërthamën e një projekti letrar të veçantë që De Rada ndoqi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij të gjatë, paralelisht dhe në lidhje të ngushtë me poemën tjetër të tij ‘Këngët e Serafina Topias’”, deklaroi Altimari. Sipas tij, këtë projekt autori e kishte përsiatur para se ta përfundonte poemën. Kjo e dëshmon letra që ia kishte dërguar mikut të tij Raffaele Zagarese më 1836, ku thotë se kishte menduar për një “roman lirik të dyfishtë”. Ai tha se ky pohim i De Radës është keqkuptuar nga disa studiues si Dhimitër Shuteriqi i cili e konsideron si dyzim të tematikës patriotike dhe dashurore, apo Arshi Pipës i cili e vlerëson si frymëzim popullor dhe klasik. “Millosau dhe Serafina Topia thuajse në mënyrë të ndërvarur dhe spekuluare do të përfaqësojnë dy polet qendrore e strategjike të këtij projekti letrar. Unë do të quaja polisistemi letrar deradian, që do ta shoqërojë De Radën nga fillimi deri në fund të jetës së tij krijuese”, është shprehur më tej Altimari. Ai shtoi se vizioni poetik dhe ideologjik i poetit arbëresh, që u zgjerua dhe zhvillua dora-dorës, e shtyu ta përfytyronte dhe ta paraqiste gjithë epokën e Skënderbeut me një metaforë të vetme qendrore që ai e quajti ‘Moti i Madh’. Altimari tha se De Rada do t’i rikthehet idesë fillestare të “romanit lirik të dyfishtë”, në fazën e fundit të krijimtarisë së tij, kur do të botojë në Napoli në vitin 1989 vëllimin e dytë të poemës “Pasqyrë e shpirtit njerëzor”.
De Rada e Konica krijuan mitin e kthimit në gjuhën shqipe
Akademik Ali Aliu është prezantuar në tryezë me analizën “Karakteri testamental i veprës ‘Parimet e estetikës’ të De Radës”. Aliu tha se kjo vepër e autorit arbëresh, i shpërfaq idetë dhe shqetësimet autentike, iluzionet, thellimet teoriko-estetike dhe filozofike të arbëreshit të madh. “De Rada shkruan në testamentin e tij estetik duke iu drejtuar arbëreshëve, duke pasur parasysh edhe lexuesin italian dhe evropian, por gjithnjë me sytë e kthyer drejt atdheut të vet të humbur, përtej Adriatikut. Tërë kozmopolitizmin dhe mediteranizmin antik do ta derdhë në librin ‘Parime të Estetikës’, vepër që është mbështetur në përvojat më të qëndrueshme dhe më të njohura të estetikës, artit dhe letërsisë botërore”, deklaroi Aliu. Ai e vlerësoi De Radën më tej si shkrimtar të përmasave të mëdha, i cili larg atdheut të të parëve, njësoj si rilindësit e tjerë shqiptar, me vete kishte marrë një copë të gjallë të shpirtit shqiptar. “Nga kjo lartësi e mendimtarit dhe misionarit te vepra ‘Parime të estetikës’, De Rada do të vërë në lidhje dashurinë, të madhërishmen, bukurinë, si kategori të dijes së estetikës dhe filozofisë me dashurinë për atdheun”, shtoi Aliu. Akademiku konstatoi se kjo vepër është një thirrje për njohjen, për ruajtjen dhe për mostretjen e gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar dhe arbëresh. Shkrimtari Luan Starova, është paraqitur në këtë tryezë me temën “Jeronim De Rada – Faik Konica: një dihotomi në kërkimin e identitetit shqiptar”. Starova tha se vitet e fundit që nga çlirimi i Shqipërisë nga izolimi makabër dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u riaktualizua çështja e identitetit shqiptar. Sipas tij, në këtë çështje dominuan tezat radikale të absolutizmit të identitetit në kohë dhe hapësirë, duke iu shmangur tezave të relativitetit.
“Sot nuk ekziston në botë identitet kombëtar që nuk i është nënshtruar një kontinuiteti evolutiv, sikurse ka ndodhur me amerikanët apo francezët. Edhe identiteti i shqiptarëve nuk bënë përjashtim në këtë proces dialektik. Ky identitet i një kombi në përfitim e sipër, është rezultat i proceseve historike të cilave u janë nënshtruar shqiptarët: krishterimi, skizma e 1054 dhe ndarja në ortodoks dhe katolik, marrëdhëniet me Bizantin dhe Romen, me Perandorinë Osmane, islamizimi, Rilindja, Pavarësia, diktatura e indologjisë Stalin-komuniste, Pavarësia e Kosovës e të tjera”, deklaroi Starova. Por sipas tij, ky identitet i shqiptarëve mund të konsiderohet edhe si qëndresë e vërtetë dhe kjo mund të ilustrohet me dy shkrimtarët emblematik të letrave shqipe, Jeronim De Rada dhe Faik Konica.
“De Rada kurrë s’ka qenë në Shqipëri, kurse Konica nga 65 vite jetë, 60 i kaloi jashtë vendit. Të dy e kultivojnë ‘mitin e kthimit’. I pari besonte se ‘kthimi’ mund të ndodhte vetëm nëse mbrohej identiteti arbëresh në tokat e huaja, ndërkaq i dyti me instrumente gati të ngjashme dhe plotësuese e kultivon këtë mit”, konsideron Starova. Ai shton se ky mit ka të bëjë me kthimin në gjuhën shqipe, pasi për të dy autorët, gjuha me të gjitha amplitudat do të mbetet çështje posesive rreth së cilës do të shtjellohen angazhimet e tjera qoftë letrare apo shkencore.
“Secili është pjesë e një dikotomie të mundshme në kërkim të identitetit të shqiptarëve pas ndarjeve në histori, sidomos pas invazionit të Perandorisë Osmane. Dhe prandaj mund të thuhet se ata të dy mund të përmbajnë në veprat e tyre shkencore, letrare, politike në kërkimin e identitetit kompleks të shqiptarëve, duke u nisur prej labirintit dhe enigmës gjuhësore”, u shpreh Starova.
Në tryezë kanë referuar edhe Floresha Dado: De Rada “i papërfunduar”; Sabri Hamiti: “Milosao” e lirika shqipe; Pajazit Nushi: Ndjenjat estetike në veprën e Jeronim De Radës “Parime të estetikës” dhe në veprën e Uiliam Xhejmsit “Parime të psikologjisë”; Dhurata Shehri: Ndërtimi i figurës në veprën e De Radës;; Alfred Uçi: De Rada përball Rilindjes Kombëtare; Mateo Mandala: Jeronim De Rada dhe arbëreshët e Sicilisë; Ymer Çiraku: Qasje rivlerësimi rreth opusit të kritikës mbi veprën deradiane; Zejnullah Rrahamani: “Estetika” si teori e artit romantik; Ardian Marashi: Vendi i “Milosaos” në romantizmin europian; Fatmir Sulejmani: Personazhet iluzione; Mark Marku: Narrativa e De Radës: nga narrativa personale tek metanarrativa; Kujtim Shala: Mësimet e De Radës; Mehmet Kraja: Një rilexim i “Rapsodive…”.