Dea Ademi: Njerëzit janë të ndryshëm, po aq sa edhe ngjyrat

Piktorja e re dhe e talentuar, Dea Ademi çel ekspozitën e saj të parë. Femra, kryefjalë koloritesh…

Nga Albina Gjergji

Ditën e djeshme ka çelur ekspozitën e saj të parë dhe po ditën e djeshme ka festuar 18-vjetorin e lindjes. E organizuar dhe e kuruar estetikisht deri në detaje, këtë ekspozitë piktorja e re në moshë e konsideron si surprizën më të bukur që i kanë bërë ndonjëherë familjarët e saj. Dea Ademi është nga ato vajzat që flasin pak, por që punojnë fort. Modeste në madhështinë e talentit të saj dhe e qeshur me çdo vizitor që shkel në Galerinë “Net” ajo nuk nguron të shpjegojë me mirësjellje mesazhet që çdo pikturë e varur në mur mbart. Sy të mprehtë, mimika të pastra, buzëqeshje të ngrira e të ngrohta, portrete elegante dhe… FEMRA e thellë! Kjo është kryefjala e punimeve të Dea Ademit, e cila në intervistën e mëposhtme dhënë për gazetën “Koha Jonë” na zbulon edhe sekretin pse portretet e njeriut mbeten gjinia e saj e preferuar!

 

Dea, kjo është ekspozita e parë me piktura që mban firmën tuaj. Si ndjeheni teksa shikoni gjithë këto artdashës që po vizitojnë punën tuaj të disa viteve?

Kjo ekspozitë në fakt erdhi edhe si një dhuratë me rastin e 18-vjetorit tim të lindjes nga ana e familjes. Ishte një surprizë e madhe për mua, pasi vetëm ditët e fundit e mora vesh. Nuk kam bërë as përgatitje, asgjë, thjesht pikturat që kam pasur ndër vite i kam ekspozuar sot, duke mbyllur kështu edhe një etapë që kam ecur me instinkte e me pasion. Tani mendoj dhe besoj se do bëhem më profesionale, për të realizuar edhe planet e tjera që kam për më tej.

 

Prej sa vitesh merreni me pikturë?

Që e vogël fare, mund të them… që atëherë kur nuk mbaj mend, pra prej shumë vitesh. Piktura ka qenë pjesë e imja gjithmonë, madje pjesa më e bukur e imja dhe nëpërmjet pikturës unë shpreh çdo gjë, çdo emocion, çdo mendim, çdo ide. Ajo është mënyra ime e të shprehurit të ndjesive.

 

Për të ardhur kaq bukur të realizuara, sa vite punë përmbledhin këto punime?

Piktura më e vjetër e ekspozuar këtu është ajo e vitit 2007, kur kam qenë në moshën 10-11 vjeç. Ato kanë shumë rëndësi për mua si piktura të para, pra më të vjetrat, sepse me to shënoj edhe nisjen e një rrugëtimi kaq të bukur, siç është piktura për mua.

 

Gjinia juaj e preferuar në pikturë, peizazhet, portretet, apo varet nga frymëzimi?

Portretet e njeriut mbeten gjinia ime e preferuar, sepse siç e shpreh njeriu emocionin, pra siç ta përcjell njeriu nuk ta transmeton asgjë tjetër për mendimin tim. Meqë jam edhe shumë person social dhe njoh nga afër problematikat e njerëzve, nëpërmjet pikturave të mia kërkoj që edhe te jap mesazhe të forta, të jetuara dhe reale. Unë kam provuar edhe në peizazhe dhe sigurisht më pëlqejnë, por përsëri kthehem tek portretet.  

 

Femra ç’vend zë në punimet tuaja në përgjithësi dhe në këtë ekspozitë në veçanti?

Portreti i femrës, përveçse është shumë i bukur për t’u punuar ka edhe më shumë forma, si dhe përcjell edhe më shumë emocion, prandaj mund të them se femra zë një vend goxha të konsiderueshëm në punimet e mia në përgjithësi dhe në këtë ekspozitë ne veçanti. Them se meshkujt janë pak më të ftohtë në pamje të parë, sesa femrat, ndërsa këto të fundit shpërfaqin energji të mëdha në portret dhe frymëzojnë më shumë për nga vetë natyra e tyre.

 

Verë, vjeshtë, dimër, pranverë. Në punimet që pamë hasëm në ngjyra të ngrohta më së shumti, gjë që lë të kuptosh që kemi të bëjmë me një piktore shumë optimiste për nga natyra dhe shpërfaqja…

Po është e vërtetë. Për nga natyra unë jam shumë optimiste. Mendoj se çdo gjë do të bëhet aq e bukur sa ç’e shpreh edhe imagjinata ime. Ngjyrat i përdor shumë, sepse mendoj se njerëzit janë aq të ndryshëm sa edhe ngjyrat. Të ndryshëm, por të bukur secili.

 

Sa e vështirë është të bësh art në Shqipëri sipas jush? Në rastin konkret në pikturë, mendoni se vlerësohen sa ç’duhet artistët tek ne?

Është e vështirë për hir të së vërtetës. Këtë vit unë mbaroj gjimnazin dhe vitin e ardhshëm nis studimet e larta jashtë vendit. Unë synoj jashtë vendit pikërisht për këtë arsye, sepse mendoj se arti vlerësohet më shumë jashtë. Më vjen keq për këtë pjesë, por kështu ndodh. Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka probleme më të mëdha e ky fakt e ka lënë disi pas dore artin.

 

Ambiciet e Deas deri ku shkojnë? Ku e shikoni veten në të ardhmen e afërt dhe në atë të largët?

Si fillim dua të nis studimet e t’i mbaroj me sukses. Pasioni im është Grafik-Dizajni dhe shpresoj që në një të ardhme të bëhem një profesioniste e denjë e të ndjek hapat e piktorëve që mua më pëlqejnë më së shumti.

 

Në fakt, cilët janë piktorët e tu të preferuar?

Gustav Klimt është piktori im i preferuar, sepse punon me dizajn, merret shumë me figurën e femrës edhe ai u jep hapësirë ngjyrave dhe transmeton emocione të forta nëpërmjet tyre.

 

 

Çfarë të frymëzon më shumë, çfarë është ajo gjë, apo temë që të ngre në këmbë e të bën të marrësh direkt penelat në dorë?

Temat që më frymëzojnë janë të shumta. Për shembull, nëse shoh diçka në rrugë e më përcjell emocion të fortë direkt mbushem me energji për ta materializuar nga ndjesia në pikturë. Zakonisht frymëzohem natën, në atë orë kur të gjithë njerëzit janë në gjumë dhe në paqe me veten. Ky është momenti më relaksues edhe për piktorin. Sa u takon temave ato janë të shumta. Mjafton të shoh një portet fëmije, një gruaje, një të moshuari, që thonë shumë qoftë edhe nëpërmjet xhestikulacioneve, apo plastikës së fytyrës.         

 

Një ekspozitë, e cila po frekuentohet nga grupmosha dhe artdashës të ndryshëm. Madje edhe tani që po flasim vizitorët janë të shumtë në numër. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?

Jashtëzakonisht mirë. Jam shumë e kënaqur, seps epo vizitohet jo vetëm nga miqtë e të njohurit e mi që pëlqejnë punën time, por edhe nga njerëz të rastësishëm, të cilët kthejnë kokën nga vitrina e ekspozitës dhe hyjnë brenda për të parë pikturat. Më gëzon shumë kjo gjë dhe ndjej t’i falënderoj.

 

Kujt ia dedikon suksesin tënd të parë, pra çeljen e kësaj ekspozite Dea?

Padiskutim prindërve të mi, sepse më kanë mbështetur pafund dhe siç e thashë kjo ekspozitë ishte një surprizë nga ana e tyre për mua dhe ju pëlqen shumë rrugëtimi im në botën e artit. Shpresoj të eci përpara me suksese të tjera.

 

 

 

 

  

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP