Debati i panevojshëm për çlirimin e menjëhershëm nga pandemia!
Nga Alfred Peza –
Shtyrja deri më 23 qershor e gjendjes së fatkeqësisë natyre në Shqipëri, riktheu një debat politik e mediatik, i cili në rastin më të mirë është i panevojshëm. Partizanët që janë kundër shtyrjes edhe me dy muaj, të masave shtërnguese për shkak të pandemisë globale, kanë hedhur dyshimin se mos prapa këtij vendimi, mund të fshihet ndonjë konspiracion qeveritar!
Kryeministri qartësoi në një nga komunikimet e tij të fundit për opinionin publik, se strategjia e çlirimit të jetës së qytetarëve dhe të bizneseve, nuk do jetë e njëtrajtshme, por me disa shpejtësi. “Përshembull në Gjirokastër dhe Dibër do të ketë më shumë lehtësim masash, ndërsa në Krujë, Tiranë apo Durrës, lehtësim më të moderuar. Edhe fashat orare nuk do të jenë njësoj si në zonat me rrezik të lartë, ashtu edhe në ato me rrezik të ulët”,- tha Rama.
Ky vendim është sygjeruar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët kanë argumentuar se vala e goditjes së koronavirusit, nuk ka qenë kudo e njëjtë brenda territorit të Shqipërisë. Ndaj, nëse do të ketë një hapje “on block”,- kudo njësoj dhe njëkohësisht,- atëherë kjo do të sillte zgjerimin e goditjes së Covid-19, duke na detyruar që të riktheheshim edhe njëherë të gjithë disa javë mbrapa, atje ku u nisëm që në mbylljen fillestare.
Kundër këtyre dhe argumentave të tjerë profesionalë, i vetmi kundërargument që kanë partizanët e hapjes së menjëhershme, është pyetja në formën e lojës së kungulleshkës. Po mirë atëherë: Pse nuk e shtyu qeveria gjendjen e jashtëzakonshme vetëm me një, por dy muaj?! Duke dhënë si shembull për këtë, vendimin e qeverisë së ndonjë shteti tjetër. Duke harruar gjithashtu, se dinamika e kurbës së pandemisë, siç është e ndryshme në zona të ndryshme të Shqipërisë, ështe e ndryshme edhe në shtete të ndryshme të botës.
Në këto kushte, e shtruar për diskutim në këtë mënyrë, është e qartë se kemi të bëjmë edhe në këtë rast me një përpjekje opozitare të radhës, për vijimin e një lufte thjeshtë politike ndaj mazhorancës, në kohë pandemie. Një konstante opozitare kjo edhe në një rast të jashtëzakonshëm si ky, ndërkohë që thirrjet për tu bërë bashkë të gjithë faktorët politikë, kanë ardhur duke u shtuar.
Kur vjen puna për hapjen e vendit, në mënyrë që të rikthehet sa më parë “normaliteti i dikurshëm” i jetës sonë të përditshme, nuk duhet të jesh socialist që të kuptosh se njeriu më i interesuar për këtë në Republikën e Shqipërisë, është Kryeministri Edi Rama. Sepse përveç shumë e shumë gjërave të tjera, ai ka edhe përgjegjësinë më të madhe politike, pasi është mandatuar nga shqiptarët për ti garantuar atyre dhe vendit, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenie sociale.
Ndaj nuk duhet të jesh ndonjë opozitar i madh, për të mos kuptuar, se kreu i qeverisë dhe mazhoranca socialiste që ai përfaqëson, janë shumë herë më të interesuar se ata vetë, për hapjen një minutë e më parë të vendit. E për rrjedhojë hapjen e ekonomisë, rifillimin normal të punës së bizneseve, normalizimin e tregjeve dhe mbarëvajtjen e shërbimeve.
Por, lufta ndaj virsuit vrasës, po tregon sesa fatale mund të jetë për jetë dhe shëndetin e çdo shqiptari, hyrja në një aventurë të tillë thjeshtë dhe vetëm për arësye politike. Sepse e drejta për jetën është e drejta Nr. 1 e çdo qenie njerëzore dhe mbrojtja e saj prevalon mbi të gjitha të drejtat e tjera të parashikuara qoftë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe kartat e konventat e tjera ndërkombëtare.
“Në qoftë se ne e humbasim të drejtën e jetës, atëherë çna duhen pas kësaj, të drejtat e tjera?!”- pyeti në fillim të këtij debati në startin e pandemisë, një nga aktivistët më të njohur të të drejtave të njeriut.
Ndaj, çlirimi i menjëhershëm apo jo, nga masat shtërnguese të ndërmarra nga qeveria, për të përballuar luftën ndaj Covid-19 është thjeshtë një debat i panevojshëm. Sepse, në rastin më të parë që ekspertët e fushës do të konstatojnë që ky moment ka ardhur, të jeni të bindur se qeveria nuk do të ngurrojë që ta ndërmarri atë.