Dekriminalizimi mbetet kushti kryesor për normalitetin zgjedhor!

Nga Alban Daci –
Zgjedhjet e 2013 dhe të tjerat më pas nuk ngjanin me garë alternativash e me përplasje vlerash, por me situatë terrori, ku qytetarët e thjeshtë nuk ishin pjesëmarrës e po ashtu gazetarët nuk kishin guxim të përmendnin emra.
Zgjedhjet elektorale pas 2013 dukeshin sikur bëheshin në West, ku mbizotëronte frika e pasiguria. Kulmi i këtyre zgjedhjeve nga 2013 e më pas ishin pergjimet dhe dosjet e mëvonshme nga të cilat u bo e qartë se vota e qytetarit nuk ishte e lirë, por ajo ishte e imponuar dhe e shantazhuar. Kjo situatë çuditërisht e papranueshme u kthye në sistem duke prodhuar modelin parlamentar të legjislaturës pas 2013 apo modelet e tjera në nivele lokale. Gjendja u bo aq shumë e rëndë dhe e pa pranueshme sa u desh nderhyrja e SHBA dhe vullneti i Partisë Demokratike për të inicuar procesin e dekriminalizimit të parlamentit. Ndoshta parlamenti shqiptar ishte i pari në mesin e demokracive perëndimore që dekriminalizonte veten përmes disa normave ad hoc. Rezultatet e para ishin domethënëse, por në të njëjtën kohë u dëshmua sa poshtë kishte rënë niveli i përfaqësimit dhe po ashtu se politika nga nivel përfaqësimi ishte kthyer në një model imponimi përmes formave jo vetëm jo demokratike, por mund të thuhet përmes formave të krimit.
Pra, krimi ishte kthyer model përfaqësimi në atë që duhet të konsiderohet si tempulli i demokracisë, Parlamenti. Procesi i dekriminalizimi nuk ishte e nuk është një proces i lehtë, sepse vijat e ndarjes mes të inkriminuarve dhe politikave u bënë të padukshme. Të parët kishin nevojë për privilegje, imunitet e për interesa ekonomike që mund t’i garantonin duke i shërbyer politikës e pushtetit dhe të dytët kishin nevojë për sponsorizime, për vota e konsesus që i ngarantonin nga të parët.
Megjithatë, procesi i dekriminalizimit mbetet sfida më e rëndësishme dhe e nevojshme për ta kthyer politikën dhe demokracinë në nivelet e normalitetit. Kjo sfidë mund të fitohet nga vullneti i drejtpërdrejtë i kryetarëve të partive për tu distancuar nga persona që nuk përfaqësojnë as vlerat e demokracisë e as modelin qytetarë e po ashtu duke u krijuar hapësirë në lista dhe në pjesëmarrje politike intelektualëve e të rinjve. Krijimi i hapësirave dhe mundësive për këto dy kategori do të rriste cilësinë e pjesëmarrjes politike e për pasojë do të kishte rezultate të mira në cilësinë e jetës parlamentare. Gjithashtu, kjo do i kthente zgjedhjet dhe fushatat elektorale në kushtet normale.
Para se të bëjmë betejën e të pretendojmë demokracinë, ne duhet të luftojmë si shoqëri modelin e krimit në pjesëmarrje politike. Kjo betejë është parakusht për të pretenduar realizimin e demokracisë.

SHKARKO APP