Dënimi është dhënë

Agim Xhafka

Tasimi ka tre ditë që fle para drejtorisë së policisë në Tiranë. Ja, te ajo lulishtja atje. Hedh kapotën sipër e pret mëngjesin. I kanë arrestuar djalin e vogël. Ka qëlluar me një gur që mbase mund të ketë thyer një xham, është akuza per të.

Ka lënë në Kukës plot gjashtë frymë. Fëmijët, gruan dhe pleqtë e tij. Jemi më shumë, por dy djem, më të rriturit, i kam në Angli. Ikën me një makinë frigorifer nga Franca e deri sa mberritën i thyen dhëmbët e tyre nga e ftohta. Po të ishte rruga gjysëm ore më e gjatë do m’i sillnin xhenaze. Por zoti është i madh, i mbrojti dhe ata si engjej na dérgojnë ca para, sa mos vdesim.

Kur e pyes Tasimin se sa vjet mund ta burgosin çunin,thotë:

-Eh, dënimi ynë është dhënë me kohë. Me burgim të perjetshëm, e kemi si familje, si fshat dhe si zonë. Që kur na pérmbytën tokat e nuk na dhanë një lek, që kur u mbyllën minierat e nuk u hap një punë, që kur rinia rri rrugëve pa shkollë e pa zanat, që kur qyteti mori vrapin drejt Evropës, që kur zihemi e grindemi mes vedi, që kur na ndodh që flemë dhe pa ngrënë. Nuk kemi ndryshim nga ata që janë brenda në qeli.

-Po pse ke erdhur deri në Tiranë atëhere?

-Deri në Afrikë do shkoja, po ta çonin birin tim atje. Nuk erdha për gjyqin dhe dënimin. Erdha që djali të shohë se babai është me të, babai nuk është si qeveria. Babai ka zemër e dashuri, babai ka krahë të ngrohtë që kur ta përqafoj t’i ngrohet qelia. Erdha se ai është njeri, është zemra ime. Do ndérresa, ushqim, shikim e dy lotë që na lidhin më fort. Sa për dënimin, kot lodhen prokurorët e gjykatësit. Dënimin me burgim të përjetshëm ka vite e vite që na e kanë lexuar. Më mirë të heshtin tani që mos bëhen të mërzitshëm…

SHKARKO APP