Dervish Elmazi – porta e çelur për t’u bekuar dhe ndihmuar…

Nga Agron Sejamini/Nuk gjetëm fotografi të Dervish Elmazit, por portret më të bukur se këto pamje nuk do të dëshironte edhe Ai vetë. Përjetësisht e çelur kjo portë për besimtarët që duan bekimin dhe ndihmën e këtij Shenjtori…

Dimër dhe verë, sa herë që kanë hall dhe mall përulen dhe i luten këtij Shenjtori, besimtarë të ardhur nga mbarë  Kolonja, por edhe Përmeti, Skrapari, Korça, Devolli, Gjirokastra… Nëse në ditët e vitit vinë sipas nevojës dhe dëshirës, më 22 maj është dita e shënuar që i mbledh të gjithë për të gëzuar dhe festuar bashkë  me Dervish Elmazin. Aty në Gjonç, mes bukurisë, freskisë dhe madhështisë së Gramozit…

Shumë nga kolonjarët që jetojnë larg vendlindjes si në Tiranë apo qytetet e tjera të Shqipërisë caktojnë pushimet e vitit për të qenë të pranishëm në këtë pelegrinazh madhështor. Jo pak vinë edhe nga Australia, SHBA dhe Europa. Janë të dëshiruar t’i puthin e ledhatojnë edhe gurët Mekamit për atë mbarësi dhe bekim që u ka dhënë Dervish Elmazi, para se të nisnin ato udhë të gjata dhe të panjohura.

Mistike dhe interesante jetësimi i këtij Mekami… Dervish Elmazi thonë se ka qenë nga Mileci dhe shërbente në Tyrben e Konicës rreth pesë orë larg Gjonçit. Në pamundësi të mbërritjes brenda ditës ai qëndronte një natë në Rips ose Gjonç. Në njërën nga këto pushime mbledh të gjithë burrat e fshatit për t’u lënë amanetin shpirtëror.

– Nëse më qëllon që të jap shpirt, dua që të prehem këtu…  dhe duke marrë vrull, hedh shkopin që mbante në dorë.

Jo pak, por 400 metra ka fluturuar ai shkop… Aty ku ra ai, nisën të hapen themelitë e Mekamit. Menjëherë filloi puna në nderim dhe respekt të Dervish Elmazit paçka se me shpirt ata luteshin që jeta e tij të ishte sa më e gjatë dhe ta kishin përherë mysafir në shtëpitë e tyre sepse linte mbarësi. Thonë se ndërtimin e tij e ka bërë, mjeshtri më i njohur i kësaj treve për gdhendjen e gurit. Atë natë që ky usta ndjehej i lumtur nga përfundimi i Mekamit dhe bëri gjumin më të rehatshëm, i shfaqet në ëndërr Dervish Elmazi. E porosit që Mekami nuk duhet të ketë katër kënde si gjithë ndërtesa e zakonshme por… dymbëdhjetë! Ia nis edhe një herë punës me të njëjtin përkushtim deri sa ia mbërriti të realizojë  Mekamin e dëshiruar. E çuditshme struktura e këtij kulti të shenjtë. Edhe pse nuk është përdorur lëndë drusore apo hekur, tavani është i harkuar duke qëndruar shumë mirë estetikisht dhe fizikisht. Të gjithë gurët e përdorur janë të gdhendur dhe përzgjedhur në zallin e lumit të Prodanit. Në një nga gurët e vendosur në harkun e hyrjes së Mekamit ustai ka skalitur vitin 1939. Mbi 77 vjet që këtij monumenti shenjtërie nuk i ka lëvizur as qerpiçi e jo më themelet! I mori të keqen edhe “tërmeti” ‘67-ës prej të cilit u shembën dhjetëra kisha dhe xhami. Fillimisht e nënvleftësuan atë gjë “të vogël”. Mirëpo, kur komunistët e pafè herë pas here shikonin që natën Mekami vezullonte nga qirinjtë e ndezur më shumë se sa fshati nga drita elektrike, vendosën ta shembnin.

Rrëmbyen levat e kazmat atë mëngjes duke nxituar për të bërë ligësinë e ditës… Shkuan, por nuk iu afruan! Sa hynin te porta e avllisë u fluturonin levat e kazmat nga duart… Shtynin njëri-tjetrin duke dalë në krye të turmës të trimëruar, derisa një e nga një të gjithë në atë prag… u zhburrëuan! U tmerruan! Por, jo se u qetësuan dhe ndaluan për ta shpërfytyruar.

Tregon Behar Lufo: Me urdhër të kryeagronomit të kooperativës, më caktohet të çoj me zetor pleh kimik te Mekami i Gjonçit. Më kujtohet se me mua erdhi edhe brigadierja me punëtoret e saj që do e shkarkonin. Para se të nisesha ju them që do ju lë aty poshtë te sheshi, nuk do i afrohem Mekamit. Ndoshta nuk më besuan, por nuk ishte nevoja t’i bindja sepse më erdhi në ndihmë… Dervish Elmazi!

As te sheshi nuk mbërrita se mu fik zetori… Nuk ishte as i vjetër por akull i ri, 105 kuaj fuqi…. U lodha për të gjetur defektin, por nuk munda. Nuk po kuptoja asgjë! Pas nja gjysmë orë përpjekjesh të miat, pashë që brigada nisi transportin me krah për te Mekami.

Aty nga mesi i natës, brigadierja çohet e tmerruar nga gjumi. I kishte dalë Shenjti në ëndërr dhe i kishte thënë që pa zbardhur dita, nxirrni jashtë plehun kimik! Derë më derë shoqëruar nga bashkëshorti mblodhi brigadën dhe pa ikur nata i nxorën thasët jashtë avllisë, e pastruan dhe bënë dritë Mekamin… Atë që filluan të bëjnë, pas asaj ndodhie edhe ata që nuk besonin!

Janë të shumta mrekullitë e këtij Shenjti. Tregojnë se një vit e kishte kaluar Ditën e Ashures bashkë me besimtarët e Ripsit dhe të Gjonçit, festë bektashiane që niste në drekë dhe vazhdonte gjithë natën duke gëzuar me këngë e valle. Në një atmosferë të tillë i gjen edhe Dervish Elmazi. Pasi përshëndetet me të gjithë, shkon tek vendi, ku në katër kazanë të mëdhenj trazohej ashurja  me lugë druri. Befasohen dhe mrekullohen besimtarët kur shikojnë Shenjtin që përvesh mëngët, dhe nis të përziejë me dorë ëmbëlsirën tradicionale…

Në këtë ditë të shënuar, mirë është të pushosh dhe festosh. Tregojnë se para disa vitesh, një nga bashkëfshatarët vendosi të bëjë të kundërtën. Hedh sëpatën në krah dhe niset drejt malit për të bërë dru. Ra në vesh të shurdhët edhe këshilla  e asaj gruaje të moshuar me të cilën u shkëmbyen në rrugë, se ajo ditë nuk ishte për të punuar. Iku dhe sa lëshoi sëpatën e parë mbi një trung peme, mjeti mprehës i kthehet në fytyrë. Shpëtoi, por shenja i mbeti një jetë në vetullën e djathtë si për t’u tërhequr vëmendjen edhe mëkatarëve të tjerë që nuk ushqejnë dashuri në Zot. Atë dashuri që fal dhe ushqen përjetësisht te besimtarët shenjtëria e tij, Dervish Elmazi.

Tashmë, është bërë praktikë e njohur ardhja në këtë Mekam për të vendosur drejtësi. Nëse dy besimtarë janë grindur dhe nuk gjejnë qetësi, njëri prej tyre e fton kundërshtarin për t’u vënë në provë:

– Hajde ikim te Dervish Elmazi!

Të dy ndezin nga një qiri. Kush guxon ta fikë është i pastër. Nëse këtë veprim e bën edhe tjetri që ka fajin, e pret ndëshkimi.

Ndërkohë që janë të shumta ndodhitë ku besimtarët kanë gjetur shërim nga sëmundjet dhe lehtësi në zgjidhjen e problemeve të ndryshme.

As lekë, as garanci nuk kishte Xhaferr Laho nga Starja kur vendosi t’u hynte “më këmbë” deteve dhe oqeaneve për një jetë më të mirë. Erdhi dhe qau hallet me Dervish Elmazin. Orë të tëra qëndruan përballë njëri-tjetrit, sy më sy, si ati me të birin. Ja këtu, në këtë Mekam!

Para se të dilte nga ky vend i shenjtë Xhaferri, la aty diçka të kursyer nga varfëria e tij. Të vogla… që në SHBA iu shpërblyen në miliona! Nga ai vit dhe në vazhdimësi, ky besimtar i dërgon një mijë dollarë Këshillit Mbikëqyrës të këtij kulti të Shenjtë.

Është ky Këshill që grumbullon dhe menaxhon shumën monetare që falin apo dërgojnë besimtarët në adresë të Mekamit të Dervish Elmazit. Mbi shtatë milionë lekë mblidhen në çdo 22 maj. Mbi 450 qengja meshkuj bëhen kurban për mbarësi në atë ditë, ku lëkurët i lihen për t’u shitur nga ky Këshill për të shtuar fondin. Fond që përdoret me nikoqirllëk dhe planifikim kolegjial për mirëmbajtjen dhe komoditetin e domosdoshëm. Janë të dallueshme investimet e kryera vitet e fundit, për rrethimet, ndërtimin e avllive dhe të shkallëve të shumta, rregullimin dhe mirëmbajtjen e lulishtes apo ambienteve të domosdoshme në shërbim të besimtarëve.

Shtimi i frekuentimit shtroi për zgjidhje nevojën që Mekami të ketë formën dhe përmbajtjen e një institucioni të mirëfilltë fetar. Ndaj Këshilli Mbikëqyrës hodhi idenë dhe ka nisur realizimin e projektit për ngritjen e një ndërtese pranë Mekamit. Për një shërbim sa më të kulturuar dhe të plotë që besimtarët të pushojnë për disa orë  apo edhe të qëndrojnë me ditë duke u ofruar të gjitha kushtet e duhura.

Ecuria është e mbarë… Deri më tani sikurse shihet edhe nga fotografitë janë hedhur themelitë dhe bazamenti i godinës, ku janë përdorur 105 kuintal çimento dhe 2 ton hekur. Linja e ujit do të jetë e veçantë dhe burimi është në Liqer, në majë të Gramozit. Po ashtu, linjë ekstra nga kabina edhe për energjinë elektrike…

Mos harroni! Nuk është vetëm vend i shenjtë, por edhe  bukuri e mahnitshme natyrore. Vetëm Perëndia mund t’i bashkojë këto dy mrekulli: Mekamin dhe Gramozin!

Ndaj vëreni në axhendën tuaj vjetore përuljen para Dervish Elmazit sepse është mirësi dhe mbarësi. Nuk janë shumë 230 kilometra për të mbërritur në Gjonç të Kolonjës. Po ike me dëshirë, kthehesh me krah e gëzim, i lumturuar e i bekuar. Madje, atë ditë edhe absolutisht i garantuar nëse… e keqja të është afruar.

Më besoni! E kam të provuar!

Ka qenë 22 maji i vitit 2016, që më takoi me Dervish Elmazin. Dhuratë kjo nga njeriu i mirë, Sabri Skënderi. Gati gjithë natën që do të zbardhte ditën e shënuar e kalova pranë Mekamit duke përjetuar emocionalisht me stafin organizator, përgatitjen e festës. Shpirtbardhë, bujar dhe mikpritës Dervish Elmazi. Mish qengji dhe pije me bollëk në shtëpinë e tij…

Zbardhja e ditës, shfaqi madhërishëm vërshimin e lumit të qindra besimtarëve drejt Mekamit. U takuam dhe u përshëndetëm të gjithë me Dervish Elmazin dhe pastaj sipas familjeve dhe shoqërisë u ulëm për të gëzuar dhe falënderuar këtë Shenjt të nderuar. Në krye të sofrës tonë patëm fatin të kishim Baba Hekuranin, një nga shenjtorët e njohur të bektashizmës.

Kënduam, gëzuam dhe e shijuam deri vonë pasdite tavolinën e shtruar në oborrin e Mekamit. Pastaj u përshëndetëm me Dervish Elmazin dhe frymën e mbajtëm në qytetin e Ersekës. Oshëtiu përsëri kënga e Baba Hekuranit, busti i të cilit ngjante edhe më madhështor se Gramozi që kishte pas krahësh. Iso ne dhe në valle dy vëllezërit e moshuar, por sot  të rinuar, Fejzo dhe Çarçan Çarçani ardhur nga Seniçani posaçërisht për Dervish Elmazin.

Vonë shumë vonë nisemi drejt Tiranës. Pagjumësia dhe lodhja na detyruan që gjysmën e dytë të rrugës ta kalonim në qetësi. Qetësi që e lodhte edhe më shumë Tatin me timon ndër duar… Për të ardhur një çast, ajo sekondë që e detyrojë të shijonte edhe ai, qetësinë tonë. Kishim hyrë në atë pjesë të autostradës, pranë TEG-ut në Sauk, ku gjerësia të duket se është më e madhe se gjatësia e atij segmenti rrugor. Dikush nga ne pa shigjetën e kilometrazhit e cila shkoi te njëqinda, por jo sytë e Tatit që po ia mbyllte përgjumja…

Më kujtohet se kam dëgjuar një krismë të fortë, pasuar nga një heshtje pus. Mendova se u përmbys bota dhe i tulatur ndjehesha mirë në parajsën e fundit tim. Pas disa sekondash, dëgjoj zëra njerëzish dhe hapjen e derës:

– A jeni mirë? Shpëtuat! Ju ruajti Zoti!

Lot më rrjedhin nga sytë edhe tani që po shkruaj, kur kujtoj   ato shprehje dhe prekjen e duarve të tyre në çdo pjesë të trupit tim me merakun e të ndjerit gjak…

Pas përplasjes së fuqishme me betonin anësor dhe rrëshqitjen e makinës mbi tridhjetë metra, kemi dalë të pestë pa asnjë dhimbje, e jo më me dëmtime e gjak.

Faleminderit dhe të qofsha fal Dervish Elmaz!

 

SHKARKO APP