Dëshmia e ish-diversantit parashutist: Në bazën e CIA-s na dërgoi Blloku Indipendent por piloti gaboi…

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarakë në Gardën Mbretërore, kurse djali xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë. Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët, kurse Nikolla doli partizan, duke u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, duke luftuar deri në Vishegrad të Jugosllavisë.

Dëshmia e rrallë e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947 së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, (personazhi kryesor i filmit “Operacioni Zjarri”) pasi komunistët i’u dogjën kullat e tyre dhe u internuan të gjithë familjen me gra dhe fëmijë në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj. Si qëndroi Nduja nëpër malet e Mirditës në përpjekje me Forcat e Ndjekjes deri në ’49-ën kur u detyrua të arratisej në Jugosllavi së bashku me 53 pjestarë të rezistencës antikomuniste, pas vrasjes së Bardhok Bibës, pasi i pushkatuan vëllanë Lleshin dhe djalin e xhaxhait, Frrokun, kufomën e të cilit e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine.

Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, kur u rikthye fillimisht në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi, pa u kthyer më në SHBA-ës pas vitit 2014) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe u përcoll dje për në banesën e fundit.

“Bardhok Biba ka qenë i dënuar me vdekje nga organizata jonë dhe më vjen keq, që nuk kam pas mundësi me e vra me dorën time, pasi ai ka qenë këlysh i Stalinit dhe jo shqiptar”. Pas asaj përgjigjie që i dha Mark Jak Bajraktari, majori UDB-së Çarkiç, nuk e vazhdoi më procesin e pyetjeve ndaj grupit tonë të shqiptarëve dhe e mbylli fare atë. Kjo gjë bëri që pak ditë më vonë, aty nga muaji qershor, në kampin e Nishit ku ishim ne erdhi majori i UDB-së, Çedo Mihjoviç dhe thirri Ndue Pjetër Gjonmarkun, Ndue Bajraktarin, mua (Ndue Mëlyshin), Mark Dodë Lleshjan, Marka Jak Bajraktarin dhe Pjetër Kol Preçin. Ai pasi na thirri në zyrë, na tha se gjatë asaj periudhe që ne ndodheshin nëpër kampe dhe burgje, kishim kaluar vështirësi, pasi sipas tij, gjëndja në Jugosllavi ishte ende e turbullt, por ne nuk duhet të mërziteshim shumë, pasi kryesorja ishte fakti që ishim gjallë, sepse jo në pak raste na ishte rrezikur jeta.

Pas kësaj hyrje që bëri, ai kaloi direkt në temë, duke na thënë se ai personalisht kishte ndërhyrë për çështjen tonë dhe kishte biseduar me Ministrinë e Brendëshme, që të na lironte nga burgu, me kusht, që ne të formonim gjashtë grupe të vogla me nga tre persona dhe të hynim me msione sekrete në Shqipëri”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është Ndue Mëlyshi me origjinë nga Kthella e Mirditës, ish-pjestar i forcave të rezistencës antikomuniste, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 dhe i hedhur me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë.

I kthyer në fillimisht në Shqipëri në vitin 1992 pas katër dekadash emigrimi, Ndue Mëlyshi, nga viti 2014 jetoi në qytetin e Shkodrës me të bijën e tij, Bardha Mëlyshi, deri sa ndërroi jetë më datën 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe dje më 1 gusht u përcoll për në banesën e fundit. Edhe pse mbante mbi supe më shumë se një shekull e një dekadë të jetës së tij, madje me privacione dhe peripeci të pafundme, duke kaluar gati gjysëm shekulli larg familjes së tij, bashkëshortes dhe tre vajzave që i la fare të vogla dhe i gjeti me fëmijë, kujtesa dhe memoria nuk e tradhëtuan asnjëherë deri në minutat e fundit kur ai u shua para tre ditësh, (më 31 korrik, 2020) i ulur në kolltukun e tij duke shfletuar gazetat e ditës.

Para pak kohësh, Memorie.al, arriti t’i marrë një intervistë të gjatë z. Ndue Mëlyshi, (duke e regjistruar me video) me qëllim për ta publikuar më 7 gusht, me rastin e ngjarjes së bujshme të vrasjes së Bardhok Bibës, ngjarje që terrorizoi Mirditën dhe solli edhe largimin e tij dhe 53 pjestarëve të rezistencës antikomuniste nga Shqipëria. Gjatë bisedës, kujtësës së tij të jashtëzakonëshme si një “dosje e gjallë”, hera herës i vinin “në ndihmë” dhe fletoret e shënimeve ku ai prej vitesh në mënyrë kronologjike ka hedhur copza e momente nga jeta e tij e trazuar, apo dhe libri “Jeta e malit”, që ka botuar disa dekada më parë kur ishte në azil politik në SHBA-ës. Duke i përcjellë famijes Mëlyshi ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur, në këtë shkrim po publikojmë të plotë intervistën e zbardhur që i morrëm para pak kohësh, (me ndihmën e pakursyer të së bijës. znj. Bardha Mëlyshi), duke e plotësuar edhe me disa prej shënimeve të tij.

/Memorie.al/

SHKARKO APP