Dëshmia e ish-nënkolonelit të Sigurimit: Sipas porosisë së Enverit, Kadri Hazbiu më dërgoi në Shkodër për të goditur Klerin Katolik, por në dosjet e tyre…

Publikohet historia e panjohur e ish-ushtarakut të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Pandeli Përmetit me origjinë nga fshati Bual i Përmetit dhe lindur në qytetin e Korçës, i cili rrëfen të gjithë karrierën e tij në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme që nga mbarimi i Luftës kur ai vinte nga rradhët partizane, duke qenë efektiv i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe ishte plagosur dy herë, emërimi në detyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të Mallkastrës ku në vitin 1948-të i bëri një vizitë Mehmet Shehut që ishte mbyllur në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, ku priste të arrestohej nga Koci Xoxe, caktimin për një vit në Drejtorisë e Punëve të Brendëshme të Qarkut të Shkodrës, ku u mor gjatë me verifikimin e dosjeve të Klerit Katolik, pas një urdhëri që Enver Hoxha i kishte dhënë Kadri Hazbiut për goditjen e tyre, misterin e vdekjes së gjeneral-major, Hilmi Seitit që e kishte mik të ngushtë, ngjarjen e bombës së ambasadës sovjetike në Tiranë ku ai se hetues i asaj çështje mundi që të lironte vetëm një nga të arrestuarit, inskenimi i ngjarjes në fshatin Gjorëm të Vlorës për një atentat ndaj Hysni Kapos që dërgoi në pushkatim një oficer të Sigurimit të Shtetit, e deri te letra e gjatë prej 36 faqesh që ai i dërgoi Enver Hoxhës në vitin 1967-të, ku denonconte shumë nga prapaskenat e Sigurimit të Shtetit, pas së cilës u thirr nga Manush Myftiu që të hiqte dorë nga ajo gjë dhe përgjigjia negative e tij që i shkaktoi ç’mobilizimin nga rradhët e Ministrisë së Brendëshme, dërgimin si punëtor me tre turne e roje nate në Uzinën “Enver”, si dhe arrestimin e dënimin e me burg politik, të djalit të tij që ishte aviator.

Në vitin 1967 kur isha me detyrë si kryehetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, i shkrova Enver Hoxhës një letër të gjatë prej 36 faqesh të daktilografuara, duke i ngritur dhe denoncuar shumë nga intrigat, inskenimet dhe prapaskenat e Sigurimit të Shtetit, nga të cilat ishin arrestuar, burgosur dhe pushkatuar me dhjetra persona të pafajshëm. Ndër problemet më kryesore që i ngrita Enver Hoxhës në atë letër të gjatë, ishin ato që kishin të bënin me ngjarjet e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, ngjarje e cila u inskenua nga vetë Sigurimi, arrestimet dhe goditja që iu bë Klerit Katolik në rrethin e Shkodrës në vitet 1950-të, ngjarja e Lushnjes me Hamit Matjanin, ngjarja e Vlorës ku u arrestuan një grup personash të cilët u akuzuan sikur kishin vënë eksploziv në një urë ku do të kalonte Hysni Kapo, si dhe disa ngjarje të tjera që kishin ndodhur në Tiranë.

Për të gjitha këto ngjarje, unë ia argumentoja me fakte dhe dokumenta, se ato ishin të inskenuara nga vetë Sigurimi i Shtetit dhe nga njerëz karrieristë e servile, të cilët i kishin bërë ato në mënyrë që të ngriheshin në përgjegjësira dhe të fitonin tituj e grada. Aty në atë letër unë i shpjegoja Enver Hoxhës të gjithë personat që i kishin inskenuar ato ngjarje, si: Sulejman Manoku, Nevzat Haznedari, Llambi Jegeni, Nazmi Brinja, Gole Bashari, Sotir Xhari, Ilia Gaqo, Agja Lamçe, Halil Pulo, Agron Kokona etj., si dhe shumë nga bashkëpuntorët tanë të Sigurimit. Po ashtu aty unë i përmëndja me emra dhe shumë nga personat që ishin arrestuar apo pushkatuar krejtësisht të pafajshëm, si: Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati, Pandeli Nova, Selman Kapaj, Hamit Osmani, Lamçe Kuqi, Rexhep Osmani etj. Atë letër unë i’a dorzova në dorë shokut tim Raqi Ifticës, i cili në atë kohë nga Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ishte emëruar si Sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës. Por pasi Raqi Iftica ma mohoi në mbledhje që ia kisha dhënë atë letër, unë e nisa me postë në adresë të Enver Hoxhës. Pas disa kohësh më thërritën në Komitetin Qëndror, por unë nuk pranova të flisja me njeriun që më priti aty, duke iu kërkuar se doja të bisedoja vetëm me Enver Hoxhën.

Pas kësaj ato probleme i ngrita dhe në një mbledhje ku mori pjesë si i deleguar dhe Manush Myftiu, i cili më tha që ta mbyllja atë çështje pasi ato probleme kishin ndodhur dhe nuk ishin mirë që të hapeshin më dhe në këmbim të kësaj ai më premtoi se do më ngrinën në detyrë. Unë nuk pranova kurrsesi që të tërhiqesha nga ato probleme edhe pasi Manush Myftiu më futi dy shokë të mi ngushtë që ta ma mbushin mëndjen për atë problem. Pas kësaj Sigurimi më inskenoi një skenar sikur unë iu kisha dhënë të burgosurve të puntorisë së burgut, çensurën e kontrollit postar që ishte tepër sekret dhe pasi munda të shpëtoja nga kjo akuzë që do të më dërgonte drejt pushkatimit, mua më liruan nga detyra dhe ndonëse isha invalid i Luftës, më dërguan punëtor me tre turne në Uzinën “Enver”.

Kështu e kujtonte nëkoloneli në pension, Pandeli Përmeti, ish-kuadër i lartë i Sigurimit të Shtetit që nga viti 1945-së, largimin e tij nga detyra në vitin 1967, pas një letre një letre të gjatë prej 36 faqesh që dërgoi në adresë të Enver Hoxhës, ku ai denonconte shumë nga inskenimet dhe prapaskenat e Sigurimit të Shtetit, prej të cilave u dënuan me dhjetra persona të pafajshëm. Po kush është Pandeli Përmeti dhe cila është e kaluara e tij? Si mundi ai që të futej në organet e Sigurimit të Shtetit dhe përse Mehmet Shehu e mori atë në Ministrinë e Brendëshme, pasi i pa korespodencën me ish-Ministrin Koci Xoxe? Si u inskenua hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë dhe përse Pandeliu në atë kohë mundi që ta lironte të vetmin person nga 24 të arrestuarit që u akuzuan që ishin të implikuar në atë incident, pasi më parë ishte konsultuar dhe kishte marrë pëlqimin e ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu?

Si u dha urdhëri për goditjen e Klerit Katolik në rrethin e Shkodrës dhe si mundi Pandeliu së bashku me gjeneral-major Hilmi Seitin, që t’i mbyllnin shumë nga dosjet e klerikëve që akuzoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja, duke i nxjerrë ata të pafajshëm?! Si u inskenua ngjarja e Vlorës dhe kush ishin pesë personat që u arrestuan nën akuzën se “kishin dashur që t’i vinin dinamitin urës ku do të kalonte Hysni Kapo”?! Kush ishin personat e Degës së Brendshmë të Vlorës që e inskenuan atë skenar dhe si mundi Pandeliu që t’i nxirrte të pafajshëm pesë fshatarët e akuzuar për terrorizëm, pas arrestimit dhe pushkatimit të Puntorit Operativ A. L., i cili u muar me atë çështje? Përse Pandeliu në vitin 1967 ia ngriti ato probleme Enver Hoxhës dhe përse Raqi Iftica të cilin ai e kishte shok të ngushtë, pasi ia mori përsipër që atë letër do t’ja dorzonte në dorë Enver Hoxhës, ia mohoi që ia kishte marrë atë Pandeliut? Cili ishte skenari i Sigurimit të Shtetit nga i cili Pandeliu u akuzua sikur u kishte dërguar të burgosurve politikë që punonin në puntorinë e burgut, çensurën e kontrollit postar që ishte tepër sekrete?

Si mundi ai që të shpëtonte nga ajo akuzë prej së cilës e priste pushkatimi i sigurtë? Përse Manush Myftiu i kërkoi Pandeliut që t’i mbyllte ato probleme dhe cilët ishin personat që ai u ngarkoi të bindnin Pandeliun që ai të hiqte dorë nga problemet që i kishte ngritur Enver Hoxhës në letrën e tij? Përse pas asaj letre Pandeliun e larguan nga organet e Ministrisë së Brendshme duke e nxjerrë në lirim dhe e dërguan me detyrim që të punonte si puntor me tre turne në Uzinën “Enver” dhe roje nate?! Si u organizua skenari me gruan e tij ish-partizane e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut, të cilën e hoqën nga puna dhe e përjashtuan nga partia? Cilat ishin presionet që iu bënë Pandeliut dhe përse e arrestuan djalin e tij Rolandin, i cili nga oficer në Aviacion, u dënua me katër vjet e gjysëm burg politik, nën akuzën se kishte sharë kinezët? Lidhur me këto mistere e të tjera fakte, na njeh rrëfimi i ish-nënkolonelit Pandeli Përmeti, i cili i ka përjetuar vetë ato ngjarje që nga viti 1945 kur u fut në organet e Sigurimit të Shtetit, e deri në 1968-të kur u largua andej si i padëshirueshëm, për shkak të letrës që i dërgoi udhëheqësit komunist Enver Hoxhës.

Pandeliu: Si hyra në Sigurim
Si u fut Pandeli Përmeti në organet e Ministrisë së Brendëshme dhe përse Mehmet Shehu e thirri pikërisht atë që të punonte aty? Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Duke parë të kaluarën time si atentator me njësitet guerile në qytetin e Korçës dhe më pas si partizan i Brigadës së IV-të ku dhe isha plagosur dy herë, në prillin e vitit 1944, më thirrën dhe më caktuan që të punoja në organet e Ministrisë së Brendshme, duke më emëruar në fillim se Shef Seksioni në Sigurimin e Shtetit për “Krahinën e Tretë” e cila në atë kohë përfshinte të gjithë Veriun e Shqipërisë. Aty nga viti 1948, kur unë shërbeja si Kryetar i Degës së Brendëshme të rrethit të Mallakastrës, shkova për ta takuar Mehmet Shehun, në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, i cili në atë kohë pasi ishte goditur nga Koci Xoxe, ishte mbyllur aty dhe priste që të vinin për ta arrestuar? Unë ndonëse e dija gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Mehmeti, vajta për ta takuar sepse kisha respekt për atë që nga koha e Luftës dhe gruaja ime, kishte qenë partizane në Brigadën e Parë. Kur vajta në shtëpinë e tij në Çorush, Mehmet Shehu u habit nga prania ime aty, sepse aty nuk kishte shkuar për ta takuar asnjë nga kuadrot kryesorë të rrethit të Mallakastrës.

Atë ditë në shtëpinë e Mehmetit ishin mbledhur disa nga njerzit e afërm të tij dhe njeri prej tyre gjatë bisedës e pyeti se si do të vepronte ai po të vinin njerzit e Sigurimit për ta arrestuar. Mehmeti iu përgjigj atij duke i thënë: ‘Unë e kam një “Belçik” këtu në shtëpi dhe do të luftoj me ta deri në pikën e fundit pa rënë i gjallë në duart e tyre’. Në fundin e 1948-ës kur Mehmet Shehu erdhi në postin e Ministrit të Brendshëm, ai urdhëroi që të shihej korespodenca sekrete në mes meje si kryetar i Degës së Brendshme të Mallakastrës dhe ish-ministrit Koci Xoxe, sepse ai dyshonte se mos unë në shtëpinë e tij kisha shkuar i ngarkuar nga Koci. Pasi Mehmeti u sigurua se nuk kishte asnjëlloj korespodence ndërmjet meje dhe ish-ministrit të Brendshëm dhe se atë gjë unë e kisha bërë me nisiativën time, në dhjetorin e vitit 1948-të, ai më thirri në Tiranë dhe më emëroi si zv/Shef Seksioni në Degën e Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit”, kujtonte Pandeliu atë periudhë, kur në shenjë mirënjohje, Mehmet Shehut e mori atë në punë në Tiranë.

Inskenimi për goditjen e Klerit Katolik
Një nga prapaskenat dhe makinacionet që përdori asokohe Sigurimi i Shtetit, ishte ai që u bë ndaj Klerit Katolik të Shqipërisë së Veriut dhe kryesisht atij të Shkodrës. Lidhur me këtë, Pandeliu kujtonte: “Aty nga viti 1952-’53, sipas porosisë që i kishte dhënë Enver Hoxha, ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, ai më caktoi të punoja disa kohë në arkivat e Ministrisë së Brendshme, për nxjerrë disa dokument tepër sekrete që kishin të bënin me disa nga kuadrot kryesorë të Partisë dhe Shtetit, të cilat i duheshin Enverit. Aty kam pasur rastin të shikoj dhe dokumente të tjera, si ato që kishin të bënin me goditjen ndaj Klerit Katolik. Në ato dokumente pashë se aty nga viti 1950-‘51 sipas urdhërit të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu kishte thirrur në një takim special, Monsinjor Bernardin Shllakun (Arqipeshkvi Katolik i Shqipërisë) dhe i kishte dhënë ultimatum që brenda 24 orëve, ai të shkonte në Shkodër dhe të mblidhte Këshillin e Lartë të Klerit Katolik, e të vendosnin shpalljen e Kishës Katolike të pavarur nga Vatikani, ashtu siç ishte e pavarur Kisha Orthodokse Shqiptare.

Në fund të fjalës së tij, Mehmeti i kishte thënë Shllakut se: në rast se nuk do ta bënte atë gjë, Qeveria Shqiptare do të merrte masat më të rrepta deri në eleminimin e Klerit Katolik. Monsinjor Shllaku menjëherë i ishte përgjigjur Mehmetit duke i thënë: ‘Unë jam 71 vjeç dhe deri tash nuk jam koritur nonjiherë, pra çka keni menue me ba, banje një tash’. Me këto fjalë ata ishin ndarë, kurse më vonë Klerit Katolik i’u dha një variant tjetër, ku i’u thuhej që të mirrnin kontakte direkte me Vatikanin e Papën, dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike të Qeverisë shqiptare, t’ju bëhej e ditur atyre se Kisha Katolike në Shqipëri, do të kishte lidhje nga Vatikani vetëm nga ana spirituale, kurse nga ana administrative do të varej nga Qeveria Shqiptare, ashtu siç vareshin edhe besimet e tjera fetare në Shqipëri. Por edhe pse u krijuan kontaktet me Papën, edhe pse u shtyp një statut nga shteti, asgjë nuk ndryshoj dhe Kisha Katolike Shqiptare ngeli e varur nga Vatikani”, dëshmonte Pandeli Përmeti, lidhur presionin që i’u bë Klerit Katolik në Shqipëri, që ai të ndahej nga Vatikani.

Enveri: Kadri, godisni Klerin
Po si rrodhën më pas ngjarjet me Klerin Katolik dhe si u veprua ndaj tij nga ana e Qeverisë Shqiptare? Lidhur me këtë, Pandeliu kujton: “Në fillimin e vitit 1955-së, Enver Hoxha thirri ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe i dha urdhër atij që të merrte masat e nevojshme, për t’i dhënë një goditje të fortë Klerit Katolik, duke arrestuar të gjithë klerikët të cilët konsideroheshin si më të rrezikëshmit, për Partinë dhe Pushtetin Popullor. Këtë urdhër të Enver Hoxhës, ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, i’a njoftoi gjeneral-major Hilmi Seitit, i cili në atë kohë ishte në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Brendshme të Qarkut të Shkodrës, që në atë kohë kishte nën vartësi rrethet e Shkodrës, Malësisë Madhe, Lezhës, Dukagjinit, Pukës dhe Mirditës, ku shtrihej pjesa më e madhe e Klerit Katolik që ishte në Shqipëri.

Pasi Hilmi Seiti u njoh me urdhërin e Kadri Hazbiut, i cili ia kishte bërë të ditur se ajo ishte “me porosi nga lart”, Hilmiu i kërkoi ministrit që t’i dërgonte për ndihmë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, një oficer nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit e Ministrisë së Brendshme dhe konkretisht ai i kishte propozuar që atje të shkoja unë (Pandeli Përmeti). Ministri Hazbiu ia plotësoi atë kërkesë Hilmi Seitit, të cilin ai e kishte shok dhe e donte shumë. Kështu pas kësaj, në tremujorin e parë të vitit 1955, me urdhërin special të ministrit, mua më dërguan me shërbim për një kohë gjashtë mujore, pranë Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Qarkut të Shkodrës. Atje Hilmi Seiti më priti si vëlla dhe pasi më krijoi të gjitha kushtet që të punoja sa më mirë, më tregoi për urdhërin që Enver Hoxha i kishte dhënë ministrit Kadri Hazbiu dhe atij vetë, si dhe arsyen se përse ai më kishte kërkuar mua me emër dhe jo njeri tjetër.

Hilmiu më vuri në dispozicion të gjitha dosjet hetimore të klerikëve që ishin dënuar nga gjykatat (me vdekje dhe dënime të tjera), për t’i studjuar dhe për të nxjerrë implikimet e klerikëve që ishin të lirë dhe mbi bazën e atyre implikimeve, do të bëheshin propozimet nga Drejtoria e Brendshme e Shkodrës që ata të arrestoheshin. Unë nisa studimin e dosjeve dhe nxirrja implikimet e tyre, duke i nxjerrë në ekstrakt të shtypura me makinë dhe i vendosja si fashikull më vete për çdo klerik që ishte i lirë. Në proçes-verbalet e klerikëve të dënuar, figuronin të implikuar shumë nga klerikët që ishin të lirë, duke përfshirë dhe Monsinjor Ernesto Çobën, (pas vdekjes së Bernardin Shhllakut ishte emëruar Arqipeshkv i gjithë Klerit Katolik të Shqipërisë) dhe Padër Marin Sirdanin, që ishte një nga historianët më të mirë të Shqipërisë. Në studimin që i’u bëra atyre dosjeve, vura re se kishte kontradita të mëdha midis tyre, ku ngatëroheshin keqas ngjarje dhe klerikë të ndryshëm dhe në thëniet e tyre kishte pasaktësira të mëdha. Nga ato që pashë aty krijova bindjen e plotë se gjatë hetuesisë, klerikët e arrestuar ishin torturuar keq dhe si rezultat i atij trajtimi që u ishte bërë, ata kishin deponuar gjëra të paqena dhe jo të vërteta.

Për të gjitha ato që pashë aty, unë menjëherë vura në dijeni, gjeneral Hilmi Seitin, duke i thënë dhe mendimet e mija. Unë i thshë atij se për klerikët që ishin të lirë, jo vetëm që nuk kishte fakte dhe prova ligjore për të propozuar për t’i arrestuar, por kisha mbetur i befasuar, se si ishin dënuar nga gjykatat ata klerikë me ato materiale që ishin në ato dosje. Hilmiu m’i aprovoi të gjitha mendimet e mija dhe më tha: ‘Këtë çështje ta kam ngarkuart ty, sepse kam besim të plotë se do e kryesh ashtu siç duhet, për arsye se kemi të bëjmë me nje urdhër të Enver Hoxhës, të cilin duhet ta justifikojmë me fakte të forta”, kujtonte Pandeli Përmeti, atë kohë kur ai u ngarkua që të shikonte dosjet e priftërinjve të Klerit Katolik në Shkodër, pas urdhërit të Enver Hoxhës, i cili i kishte thënë Kadri Hazbiut që të godiste Klerin.

Koloneli sovjetik në Shkodër
Po ç’ndodhi më pas me dosjet e Klerit Katolik në Shkodër dhe si u veprua për goditjen e klerikëve që ishin të lirë? Lidhur me këtë, Pandeliu dëshmonte: “Pasi më mbaroi afati i shërbimit gjashtë mujor në Shkodër dhe nga studimi i dosjeve nuk e pashë të arsyeshme që të rrija më atje, kërkova që të kthehesha në Tiranë, pranë Degës ku isha efektiv dhe ku kisha kryetar, kolonel Halim Xhelon. Por në kundërshtim me kërkesën time dhe dhe me urdhërin e ministrit, m’u zgjat shërbimi edhe për gjashtë muaj të tjerë që të punoja në Shkodër. Sipas këtij urdhëri unë vazhdova të qëndroja aty, për ai qëndrim i mëtejshëm m’u duk i kotë, për arsye se nga dosjet që pashë nuk isha i bindur se kishte implikime të klerikëve për të bërë propozime për t’i arrestuar.

Gjatë asaj kohe, Hilmi Seiti thirri në zyrën e tij, Monsinjor Ernesto Çobën dhe Padër Marin Sirdanin, dhe i këshilloj ata që të kishin kujdes në të ardhmen. Ata e falenderuan Hilmiun dhe u larguan, duke e kuptuar nëntekstin e këshillës së Hilmiut, e cila donte të thoshte se “nga lart kishte ardhur urdhëri për t’i goditur, prandaj ata duhet të merrnin masa që të ruheshin”. Kjo gjë ndodhi në atë kohë që Enver Hoxha ishte në pritje të propozimeve për arrestimet e klerikëve të tjerë. Mbas disa kohësh, duke e parë se Hilmi Seiti nuk po dërgonte në Ministri propozimet për arrestime, krejt pa pritur, Kadri Hazbiu dërgoi në Shkodër një ekip kontrolli, i cili kryesohej nga kolonel Halim Xhelo dhe bashkë me të, ishte dhe një kolonel sovjetik, i quajtur Dimitriev, që shërbente si këshilltar pranë Drejtorisë së Brendëshme për Sigurimin e Shtetit.

Ata me të mbrritur në Drejtorinë e Brendshme në Shkodër, morën takim me Hilmi Seitin, ku më thirrën dhe mua. Gjatë atij takimi, Halim Xheloja filloi t’i kërkonte llogari Hilmiut, që pse kishte neglizhuar dhe nuk i kishte bërë propozimet për arrestimet e klerikëve, sipas urdhërit që kishte marrë nga ministri?! Hilmiu në fillim i foli i qetë duke i’a argumentuar se: nuk kishte prova ligjore për arrestimin e tyre, por pa i thënë gjë për mua. Por pas kësaj, Halim Xhelo nisi t’i fliste me arrogancë dhe t’i kërkonte llogari në një mënyrë të atillë, e cila bëri që situata të acarohej shumë dhe Hilmiu i përgjigj me të njëjtin ton duke i thënë: ‘Këtu në Shkodër jam vetë ministër i Brendshëm dhe nuk varem nga ty’. Duke e parë situatën e krijuar, ndërhyra dhe unë duke i’a argumentuar se: në ato dosje nuk kishte implikime të klerikëve dhe nuk kishte pse të bëheshin propozime për arrestime të tjera. Pas kësaj, këshilltari sovjetik Dimitriev, bëri sikur u bind dhe me kaq u ndërpre polemika dhe mbledhja u mbyll e ata u kthyen në Tiranë”, kujtonte Pandeliu, atë takim me Halim Xhelon e këshilltarin sovjetik, të cilët ishin dërguar në Shkodër për të goditur Klerin Katolik.

Hakmarrja ndaj Pandeliut e gjeneral-major Hilmi Seitit
Po ç’ndodhi më pas me Pandeliun dhe Drejtorin e Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të qarkut të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seitin, pasi ata refuzuan urdhërin për goditjen ndaj Klerit Katolik dhe nuk bënë propozime për të arrestuar klerikë të tjerë? Lidhur me këtë, Pandeliu dëshmonte: “Kur u ktheva në Tiranë dhe fillova punë, më thirri shefi im, Halim Xhelo dhe më tha: ‘Pse të dërguam ty në Shkodër, që të mbroje Hilmi Seitin’?! Unë i’u përgjigja duke i thënë se nuk kisha mbrojtur Hilmiun, por vetëm të vërtetën. Pas disa ditësh më thirri Drejtori i Kuadrit i Ministrisë së Brendshme, gjeneral-major Halil Pulo dhe më komunikoi transferimin për në Gjirokastër, duke më thënë se “aty kishte nevojë partia, sepse duhej forcuar baza”. Jashtë dëshirës, unë u detyrova dhe shkova në Gjirokastër, por kur shkova atje, një koleg i imi, në koefidencë më tregoi se në karakteristikën që më kishte bërë Halim Xheloja, thuhej se unë isha “person i dyshimtë dhe armik i Partisë”! Pas pak kohësh kur isha me shërbim në Vlorë, sipas urdhërit të Enver Hoxhës, karakteristikat e kuadrove u lexuan në sy të tyre dhe duke shfrytëzuar këtë, unë i kërkova Sulejman Manokut dhe Harrilla Konomit që t’ma lexonin karakteristikën time.

Në fillim ata hezituan, por pas insistimit tim, ata më lexuan dhe aty ishin shkruar ato që më kishte thënë shoku im. Unë u tmerrova nga ato që ishin shkruar dhe menjëherë i bëra një letër Kadri Hazbiut, i cili më thirri në Tiranë, ku kishte mbledhur gjithë Kolegjumin e Ministrisë dhe ku mungonte vetëm Halim Xheloja. Në prezencë të tyre, Kadriu më tha: ‘Pandeli, ke të drejtë që je shqetësuar nga ajo karakteristikë që të ka bërë Halimi, por ne do ta grisim atë dhe ti shko e puno pa merak në punën tënde’. Pas kësaj, unë u nisa për në Vlorë dhe pas disa kohësh, mësova se Hilmi Seitin e kishin thërritur në Ministrinë e Brendshme në një mbledhje ku kishin marrë pjesë tre personat kryesorë që vinin pas Enver Hoxhës. Pas dy ditësh Halimin e thirrën në mbledhjen e Byrosë së Komitetit të Partisë në Shkodër, ku atë e akuzuan rëndë se: “kishte zbutur luftën e klasave dhe se ishte pajtuar me armiqtë e Partisë dhe Pushtetit Popullor”. Atë ditë, më 26 prill të vitit 1960-të, para se të jepej lajmi se “kishte vdekur papritur gjeneral-major Hilmi Seiti, nga një hemoragji cerebrale”, bashkëshortja e tij, e cila në atë kohë ishte në Tiranë, u nis për në Shkodër dhe e gjeti Hilmiun akoma me shpirt, të shtruar në spital, por pa gojë. Hilmiu me shenja i tha së shoqes se një oficer me spaleta, i kishte marrë revolen dhe e kishte detyruar të pinte një aspirinë”, përfundonte rrëfimin e tij Pandeli Përmeti, duke shtuar se nga ajo gjë, nxirret konkluzioni se Hilmi Seiti u helmua me urdhër të Enver Hoxhës.

Plani për rrëzimin e Enver Hoxhës
Një nga problemet më kryesore që Pandeli Përmeti denoncoi tek Enver Hoxha në vitin 1967 me anë të letrës së gjatë prej 36 faqesh, është ai bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Lidhur me situatën në të cilën ndodhej Shqipëria në atë kohë dhe arsyet pse e detyruan Enver Hoxhën të pajtohej me inskenimin e incidentit në Ambasadën Sovjetike, Pandeliu dëshmonte: “Aty nga viti 1948-‘49, duke shfrytëzuar situatën e turbullt në të cilën ndodhej Shqipëria, gjë e cila kishte ardhur si rezultat i pakënaqësive të shumta që ishin akumuluar në popull nga reformat tepër shtërnguesë dhe politika e tejskajshme e luftës së klasave që po ndiqte Enver Hoxha e qeveria e tij, duke shfrytëzuar gjithashtu edhe prishjen e mardhënieve me Jugosllavinë, shërbimet sekrete të anglo-amerikanëve në bashkëpunim edhe me disa vënde të tjera perendimore, filluan hartimin e një plani që synonte rrëzimin e Enver Hoxhës, me anë të një kryengritje të armatosur nga brenda vendit. Për realizimin e këtij plani, ata krijuan dhe mbështetën Komitetin “Shqipëria e Lirë” që udhëhiqej nga eksponentë të njohur antikomunistë që ishin larguar nga Shqipëria në vitin 1944. Rreth këtij komiteti, u bashkuan kryesisht eksponentët e mërgatës politike antikoministe shqiptare që ishin jashtë vëndit dhe ata filluan të hynin në lidhje me njerzit e tyre që kishin në Shqipëri. Pas kësaj në Shqipëri u hodhën disa grupe diversantësh nga toka, ajri dhe deti, të cilët kishin si misionin përgatitjen e terrenit për fillimin e kryengritjes”.

/Memorie.al/

SHKARKO APP