Destinacioni i raporteve midis shqiptarëve
Nga Ilir Levonja –
Sipas gazetares së tv klan Maqedonia, Xhumadije Brahimi, qeveria e shtetit fqinj ka paracaktuar rreth 16 hotele si pika karantimi për shtetasit e saj që kthehen nga vendet e ndryshme. K informacion u dha nga një transmetim i drejtpërdrejtë nga Shkupi për emisionin Opinion mbrëmë më 7 prill 2020. Pra 16 hotele dhe me shpenzimet e qeverisë. Ndërkohë që të njëjtin problem e patëm edhe ne me emigrantët tanë që ktheheshin nga Greqia dhe që për 4 ditë mbetën në qiell të hapur në një truall neutral midis doganave tona dhe Greqisë. Shteti ynë u përgjigj ashpër, do karantinoheni në hotelet aty përreth dhe me shpenzimet tuaja. Një turp kombëtar që solli deri indinjatën e diasporës. Madje njeriu që do i jepte zgjidhje ishte pikërisht një shqiptar nga Tetova por që njihet tashmë si një biznesmen i suksesshëm në Gjermani e me gjerë, ai quhet Lazim Destani. Sipërmarrje që ministri i gjoja diasporës Pandeli Majko në qeverinë shqiptare e cilësoi si një zgjidhje a një marrëveshje mes qeverisë dhe diasporës. Kjo ka domethënien se sa kot është dikasteri që menaxhon emigracionin me vendin amë, së pari për nga mungesa e fondeve por edhe sa pa brekë është qeveria shqiptare. Se po të ishte me aq ti dhe kaq unë do quhej bashkëpunim. Por e thënë thjesht, ishte një lypje për të mbuluar atë që akoma nuk ka plasur në Shqipëri, ekonominë e vdekur. Dhe ndofta shumë njerëz mendojnë se mbas tërmetit kjo puna e covid-19 ishte gjëma më e madhe, kështu qoftë. Se nga ato që dëgjon specialistët e ekonomisë dhe biznesit, rubrikat e fundit në emisionet tona, është dyshimi mbi të ardhmen pas pandemisë.
Përse shteti ynë nuk e bëri këtë? I la në qiell të hapur emigrantët. Megjithëse jemi një vend që kemi institucione si Avokati i Popullit, pra për të drejtat kushtetuese qytetare, as ky nuk u ndie. Përgjigja është fare e thjeshtë, jo vetëm nuk kanë para por janë të mbushur edhe me urrejtje a plot ndjenja bulliste karshi njëri-tjetrit. Madje edhe insistimi i ashpër me izolim total është mjeti më i favorshëm për një qeveri që i ka arkat bosh. Sot Austria, Çekia, kanë nisur hapjen e pjesshme, arsyeja sipas informacioneve presioni social. Në Shqipëri ka vetëm një lloj presioni, ai qeveritar. A nuk po e luftojnë këto vende coronën, sigurisht që po, por po aplikojnë rregullat të ashpra të distancimit publik. Këto të raporte që rregullohen në bazë të marrëdhënies së qytetarit me Kushtetutën. Kurse qeveria shqiptare vetëm urdhëron. Eshtë përgjegjësi kushtetuese t’i dalësh zot qytetarit kur i thua rri në shtëpi. Shto faturat karshi biznesit ndaj me të drejtë plot qytetarë pyesin se kur do jemi si shtetet e tjera? Dhe sa kohë do jemi produkt i showt të lali Erit me ndihma dhe i misionarëve të fesë si Elvis Naço kur bëjnë show me magazina, ku dominojnë qeset me miell, vaj, makarona? Përgjigja është fare e thjeshtë, janë arkat bosh. Po të ishin plot, i pari që do vraponte drejt Kapshticës do ishte Edi Rama. Kur e shikon se sillet Maqedonia e Veriut me qytetarët e saj emigrantë, nuk ka asnjë diskutim që emigranti shqiptar nuk ndihet mirë.
Dhe në raport me Maqedoninë numri i emigrantëve tanë ishte me gishta, kurse ai i emigrantëve maqedonas kalonte mbi 2 mijë. Ndërkohë që raportet me diasporën janë sa të brishta aq edhe të minuara. Ne kemi emigruar historikisht për një jetë më të mirë, pra për shkak të ekonomisë së dobët në vendin tonë.
Por sado këtij fakti nuk e kemi zbrazur kokën nga ideologjia aq sa edhe sot bash në mes të New York-ut një kapter i diktaturës të mbyt me të kaluarën. Të mbyt ta zëmë njëri për Ramën e tjetri për Berishën a Bashën. Futet si skuth në organizatat e mërgatës megjithëse i ka survejuar ato deri në Zelandën e Re përmes Sigurimit të Shtetit. Pra megjithëse na ka ngrënë shpirtin mospasja, ne i hamë kokën njëri-tjetrit nga bindjet, ideologjia. Janë marrëdhënie të brishta edhe për tmerrin se sa të vështirë e kemi të jemi të pa anshëm aq sa e quajnë patriotizëm të financojnë një shtetar vetëm për një foto me presidentin e Amerikës, kur ato para mund të ishin sot fare mirë bonus në fondin e emergjencave civile. Shto edhe fondet nga vetingjet, plus vetingjet e mungura në politikë, pasi ka ardhur koha e një katarsi të demokracisë, kësisoj si vendet e botës do kishte edhe Shqipëria jonë një plan social të detajuar suporti financiar. Por siç e thamë këto janë pasojat e raporteve të bindjeve dhe të verbërve karshi iks apo ypsilon lideri politik dhe jo me vendin e dhembshur. Për rrjedhojë të gjitha destinacionet, të parave, bindjeve, konstruktiviteti, respekti, shkojnë diametralisht kundër. Kësisoj është e natyrshme të na mbysi demagogjia.