Detaje të vegjël të rrënimit të madh moral!
Magazinë E Diel, 25 Korrik 2021 00:26
Shqiptarit i janë lënë tri mundësi në të cilat po merr pjesë tashmë me pasion: hajnia aktive, mjerimi pasiv, mërgimi amnezik…
Nga Elvis Hoxha
Detaje të vegjël të rrënimit të madh moral janë:
- zhdukja e sallave të kinemave historike nën kullat e zbardhjes së parave: vërtetojmë se ne nuk kemi patur kinema, se ne jemi një popull i gjymtuar në gjykimin e shijes;
2. zhdukja e parqeve nën tempujt e kultit, me idenë se ne nuk e njohim kultivimin e hapësirës në pejzazh;
3. zhdukja e teatrit po nën kullë, insinuatë se nuk kemi asnjë marrëdhënie me kohët dramatike të njerëzimit që falë Teatrit Kombëtar na kanë shpënë në Evropën e Shekspirit, Kopracit apo Dorian Greit, insinuon po ashtu se ne nuk kemi qenë kurrë historik, por beton e inkult;
4. zhdukja institucioneve si Lidhja e shkrimtarëve dhe Kinostudios nga instalimi i njëpasnjëshëm i Ministrisë së Kulturës në territoret e këtyre institucioneve na tregon se nëse kur marrim përsipër të qeverisim kulturën, dijmë të kushtetojmë vetëm një ministri kulture që shërben si serial killer i institucioneve të kulturës, pra, na mëson me idenë se nuk mund të administrojmë kulturë;
5. zhdukja e arteve në formën jo më të Akademisë, por Universitetit dëshmon se tashmë profesorët e arteve kanë më shumë dëshirë për skedina futbolli, për pizzeri poshtë sallës së koncerteve, për grada, dhe jo më për krijimtari;
6. zhdukja e cirkut, dëshmon se nuk duhet t’i kthjemë në traditë arritjet, por vetëm zvetënimet;
7. zhdukja e parkut të vjetër të lojërave, përsëri për kulla, i cili pak kohë më parë tregonte në një pllakatë se ishtë ndrequr nën kujdesin e “Edi Ramës” (çuditërisht emri i shënuar mes thonjëzash për të na kujtuar ndonjë kuptimësi të dyfishuar me pabesi), duhet të na ngulitë në mendje se fëmijët shqiptarë duhet ta humbin konceptin e hapësirës.
8. zhdukja e territoreve të shkollave u bë për të na thënë se shkollat janë vende banale, pa asnjë hapje subjektive të personit, por vetëm një ngjeshje skllavëruese e individit;
9. zhdukja e shesheve mes blloqeve të pallateve u realizua për të na futur mirë në tru se nuk ka komunitet të zgjuar, por vetëm zombi agresivë që do të hanë njëri-tjetrin;
10. zhdukja e morisë së aktiviteteve për qëndrimin në kafe, u bë për të na mësuar deri në gen me banalizimin e jetës;
11. zhdukja e aktivitetit artistik për vulgaritetin e spektaklit, prej big brotherit e telenovelave, deri te Portokallia u bë që njeriu të kuptojë se, për me qeshë, i ka mbetur veç shëmtia e vet e përditshme;
12. shtoni këtu plehrat dhe zhdukjen progresive të ujërave, lagunave e lumenjve;
dhe kuptoni se është realizuar koordinim i posaçëm qeveritar mes tërë partive që kanë udhëhequr këtë vend për me zbrazë njeriun nga njerëzimi, shpirtin nga pasioni, trurin nga inteligjenca, shkurt, për me e lodh me të qenit njeri. Shqiptarit i janë lënë tri mundësi në të cilat po merr pjesë tashmë me pasion: hajnia aktive, mjerimi pasiv, mërgimi amnezik.