Dhimbjet e kokës dhe koronavirusi
Dr. Erion Dushi*
Infeksioni nga Covid 19, edhe pse i njohur nga komuniteti mjekësor prej një viti, që nga shpërthimi i pandemisë, paraqet sfida në menaxhimin e tij, kjo jo vetëm në trajtimin kurativ por edhe atë simptomatik.
Është e ditur tashmë që Covid 19 mund të prezantohet me simptoma neurologjike të tilla si; çrregullim i nuhatjes dhe shijes, dhimbjet e kokës, marramendje dhe nausea apo edhe simptoma më serioze si luhatjet e humorit, humbjet e vetëdijes, etj.
Dhimbja e kokës në veçanti është simptomë e shpeshtë te pacientët covid. Vlerësohet së më shumë se 1 (një) në 10 pacientë prezantohet me këtë ankesë dhe kjo si një dhimbje koke për herë të parë.
Studimet retrospektive tregojnë që dhimbja në këtë kategori pacientësh mund të ketë tipare të përziera. Në një rast tipik të përshkruar në literaturë dhimbja identifikohet që është prezente në të dy anët e kokës (bitemporale), e fortë, pulsuese dhe e shoqëruar me lodhje të shprehur por jo me tipare të tjera që shihen në dhimbjet primare si nauzeja apo fotofobia. Për më tepër kjo dhimbje qetësohet pak nga analgjezikët dhe bëhet shumë shqetësuese për pacientin.
Edhe pacientët që vuajnë tashmë nga një dhimbje koke, si migrena apo dhimbjet tensive jane te prirur të kenë dhimbje më të shpeshta dhe më të gjata gjatë një infeksioni covid.
Po kështu, në këta pacientë dhimbjet mund të qetësohen me vështirësi nga analgjezikët e zakonshëm si ibuprofeni, ketoprofeni etj Dhimbjet e kokës në migrenë janë të lidhura me ndjeshmërinë e shtuar të sistemit nervor, apo në mënyrë më specifike me hipereksitabilitetin e sistemit trigeminovaskular.
Një nga elementët që provokon dhimbjen në migrenë është çlirimi i një peptide nga neuronet e dhimbjes që quhet CGRP (calcitonin gene related peptide). Në infeksionin covid është vënë re që niveli i CGRP në qarkullim rritet.
Është hamendësuar se kjo ka lidhje me ndërverprimin e receptorëve ACE2 qe eshte porta hyrese e virusit. Gjithashtu mediatore tipike te inflamacionit is oksidi nitric, IL1b dhe PGE2, të cilët çlirohen gjatë infeksioneve virale aktivizojnë sistemin nervor trigeminal duke ngacmuar mbaresat nervore të dhimbjes. Dhimbja e kokës në këta pacientë mund të ndryshojë tiparet e saj të zakonshme.
Përveçse e fortë dhe rezistente nga analgjezikët, ajo mund të jetë e gjeneralizuar në gjithë kokën (dhe jo në një anë siç ndodh shpesh në rastin e migrenës) e fortë por mund të ruaj karakterin pulsues, shoqërimin me nauzë dhe irritimin nga drita dhe zhurmat (që janë simptoma tipike të migrenës).
Mjekimi i dhimbjes së kokës në infeksionin covid mbetet gjithashtu sfidues. Kjo për faktin se në muajt e parë ka patur tërheqje vëmendje për rëndim të klinikës nga përdorimi I antiinflamatorëve josteroidë si Ibuprofeni.
Gjithashtu, edhe për kortizonikët, ekspertët rekomandojnë përdorimin me kujdes të tyre, kjo për shkak se mund të çojë në zgjatjen e periudhës virulente. Në anën tjetër studime prospektive tregojnë që të dy këto grupe medikamentesh mund të përdoren në mënyrë të kujdesshme pa pasoja negative mbi pacientët.
Pra këto medikamente që janë përdorur gjerësisht në mjekimin e dhimbjeve të kokës ashtu si dhe grupe të tjera medikamentesh duhet të perdoren sipas gjykimit klinik të mjekut specialist.
*Neurolog/ Spitali Hygeia.