Dhimitër Xhogës në Kanada iu tha syri për Frashërin e Zavalanin…

-Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-

Nga Kristo Mërtiri

                                Po ikën Vjeshta e po troket Shënëndreu. Por malli për vendlindjen nuk ikën si gjethet mbi udhë e nën ujë, rrokullisur nga erërat e rrëkerat. Sidomos matanë maleve, deteve e oqeaneve, ku mërgimi i detyruar mban ndezur e plot ngjyra të florinjta mallin e pashuar për mëmëdheun, për njerëzit e dashur mbi tokë e nën tokë. Për çdo plis dheu, për çdo gur e dru. Këtë zjarr zemre e ndjen dhe e prek jo pa drithërimë edhe te ato shënimet e thjeshta në internet hedhur nga një burrë 81 vjeçar, lerë e rritur në Zavalanin e Dangëllisë, ngjitur e krah për krah me Frashërin e bekuar në histori. Ashtu shqip, me sinqeritet të kulluar e shqiptarisht, atje larg, në kërthizë të Kanadasë. Në Toronto ! Është Dhimitër Xhoga, mësuesi veteran, punëtori i palodhur i Dritës së Diturisë, miku i hershëm i medies e i gazetarëve në breza. Një kronikan serioz e arkivë e pasur kujtimesh në letra  e në celuloid. Kur më thanë se ku mund t’i lexoja ato shënime të freskëta, buzëqesha dhe nuk shpreha fjalë habitore në atë pragmbrëmje nëntori në Tiranë. Siç mund të ndodhë natyrshëm për një njeri të panjohur më parë. Sepse mikun tim përmetar e “refugjat sezonal”(kështu e thërrasim shpesh), e kam takuar vite të shkuara nëpër udhët e hidhura të kurbetit. Bashkëvuajtës e aspak fajtorë përballë dallgëve të egra të Tranzicionkaosit shqiptar. Bashkëligjërues me brenga e ligje dhe bashkëvajtues fatgremisur rreth fatit kob të çdo mërgimtari :”O kurbet të rëntë zjarri/ Ndave njerëzit për së gjalli !”…Gulçonte e rënkonte gërneta në diktofon apo ishte shpirti ynë marazembytur që çante gjokset tanë të zhuritur buzë Egjeut pikëllimtar ?! Fjala vjen, zërin brilant të Xhelil Aliut (megjithse ka dalë në pension), zë që e përhapnin dhimbshëm valët e Radio –Tiranës në emisionet për shqiptarët jashtë Atdheut, jo më kot e kërkojnë me ngulm sot e kësaj dite. Ishte koha kur ky regjisor e folës i rrallë, mbante gjallë fukarenjtë e hallemëdhenjtë, u jepte krahë patriotizmit dhe dashurisë pa kushte për dheun e të parëve. Por unë, mes shënimeve bruto të Dhimitër Xhogës, gjeta edhe një kronikë tepër të veçantë nga ditari i fundnëntorit 1998. Kronikë që ndoshta meriton shkrim të posaçëm herë tjetër, për ca fletë rrënqethëse, të paharruara e të pathëna ende publikisht nga unë në shtyp…

                                Festa e Pavarësisë dhe ajo e Çlirimit, nëntori i çdo viti në emigracion prushëron zemrat e mendjet e shqiptarëve nëpër botë. Kush e ka provuar sadopak këtë arratisje, më kupton fare mirë. Dhe as vetëm bijtë e bijat e Frashërit e të Zavalanit “ballkon i Dangëllisë”. Se djalëria ime në gazetarinë profesioniste pati fat që hodhi rrënjë edhe në ato vise të dashura që nga Miçani, Vërçishti, Kreshova, Ogreni dhe gjer te mali i Taroninës mbi Zhepovë, në Ballaban, Sukë, Kajcë, Fratar, Malëshovë, Shqeri e Çarshovë. Mes vargmaleve hijerënda : Trebeshinë-Golik-Dhëmbel-Nemërçkë. Pa fuoristrada. Pa faxe e pa celularë. Pa kompiuter e pa postë elektronike. Kryesisht me zarfa e letra të shkruara me dorë, që udhën për Tiranë e merrnin me autobuzë e trena, nëpër duar shoferësh e pasagjerësh ! (Dhe bëhet fjalë për ushqimin e gazetës së përditshme, e jo periodike). Disa të rinjve në media, sot u duken aventura e gati të pabesueshme. Veçse realitetin konkret e shikonim drejt në sy, e dëgjonim me veshët tanë dhe e preknim me dorë në ara, kodra e male. Pranë Njeriut ! Që sot, mjerisht, e ka mbytur e përmbytur Polit(h)ika…Gjatë çerekshekullit të fundit, më thoni, sa gazetarë e politikanë nga Tirana kanë qëndruar qoftë edhe një a dy netë në vatrat fshatare të Dangëllisë, Konispolit, Zagorisë, Kurveleshit, Gorë-Oparit, Mokrës, Çermenikës, Martaneshit, Oroshit e gjer në Vermosh, Has, Shishtavec e Dragobi ? Apo e quajnë sakrilegj e sakrifikim “suprem” të shkëputesh ca orë dite e nate nga bulevardet e Kryeqytetit ?!… Sinqerisht, isha me fat që shkova e u ula pranë Gurit të Naimit në malin e Kokojkës. Po ashtu te shiltetë e divanëve në njerën dhomë të shtëpisë së 3 vëllezërve pishtarë, vëllezër që ngritën lart e i dhanë aq shumë dritë, jetë e shëndet kombit tonë. Nuk mund t’i harroj meditimet dhe blloqet plot shënime te Bredhi i mrekullueshëm i Hotovës, te këto mushkëri të rralla ballkanike që po mbeten ende larg syrit e dorës së investitorëve turistikë. “Po të mos kish ardhur ish kryeministri Mehmet Shehu, as xhadeja e tanishme nuk do bëhej dhe ajo krahinë lavdimadhe do mbetej e shkretë,-më thotë një miku im miçanlli.-A e bën dot prapë atë shkrimin e botuar në vend të kryeartikullit gati 40 vjetë më parë, me titull: “Ç’i thotë Zavalani luginës së Vjosës ?”… Se arratia e braktisja biblike ulërimë e fshatit shqiptar, më ther e më dhëmb gjer në kockë e jo vetëm mua a Dhimos në Kanada. Por historia “kapakkuqe” nuk mund të shuhet kurrë. Përshembull, për trimin e çartur Menduh, mund të dëgjosh shumë edhe në Pogradec, atje ku e vranë pabesisht e pas shpine bandat e Esat pashë Toptanit. Por flasin e do të flasin brez pas brezi edhe këngët popullore korçare, kolonjare e përmetare, kushtuar këtij kapedani jo dosido. Se Menduh Zavalani ishte komandant i Çetës kryengritëse antiosmane për çlirimin kombëtar (1911-1912). Pak më vonë, te Ura e Dashit, ra me Dangëllinë e Shqipërinë në sy edhe kapedani Jano Xhoga, gjyshi i mikut tim në Kanada. Për të cilin, edhe tani që i la prapa të tetëdhjetat, pena e tij nuk pushon. Fustanellat dhe mëngoret e tyre të bardha si bora në male, u përgjakën e u bënë flakë të kuqe. Kurse gjokset e tyre u çanë si shegët në vjeshtën e tretë… Mirëpo, gjatë një marsi të kaluar, kur ai po shkonte përmes dëborës në një veprimtari patriotike në Toronto, unë kujtova natyrshëm mesmarsin e 1978-ës. Kujtova edhe shakatë me Duro Kopon e mirë, të urtë, zemërbardhë e të zgjuar, një nga drejtuesit më të respektuar në rreth. Kish dalë për herë të parë “jashtë shtetit”, në Turqi. Në fund të bisedës më afrohej e më thosh zëulët : -Tani, o lako, besoj nuk më hakërrehet dot njeri : Hip këtu, të shikosh Stambollin !… Ajo ditë e shënuar përmes një dëbore të madhe që ra befas nga qielli, nuk e ndaloi dot varganin e përmetarëve që do të çonin eshtrat e Abdyl Frashërit në shtëpinë e tij. Do preheshin atje rreth 3 muaj. Njerëzia ecte me këmbë, me kuaj e mushka. Flamuri kombëtar në ballë.(Ruaj ende një foto me Prof. Stefanaq Pollon, duke çarë përmes pirgjeve me dëborë e suferinë)…

                                Nëntorët e Pavarësisë e të Lirisë nuk zbehen kurrë. Brenda e jashtë Shqipërisë. Dhimitër Xhoga e mjaft të tjerë si ai, Zavalanin e Frashërin i marrin me vete kudo. Sa herë flet e mban shënime për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk mund të rrijë pa rrëfyer për ish partizanët Qazim, Mestan e Ismail Hamiti; për Stavri e Xhoxhi Xhoga, Mina Kosta, Apostol Thanasi, Rushan Tahiri, Llazi Kote etj. Kur këndon këngët e pavdekshme partizane, përtërihet i tëri. Pasioni për fotografinë (një aparat të vogël e mban gjithnjë me vete) tashmë e ka kthyer në arkiv mbresëlënës. Ikën 8 dekada jetë, por jo tetori 1944 : Mes 30 nxënësve të parë në shkollën fillore, ishte edhe Dhimua me motrën. Ashtu jetimë e të këputur, se babanë ua vranë ballistët që sot paturpësisht po u varin dekorata të pamerituara ! Ua vranë djallëzisht, kur sapo nazistët gjermanë po kalonin Qafën e Dëllinjës. Qafë që ngeli si halë në sytë e fëmijërisë së plagosur rëndë. Ndërsa vëllai Stavri partizani po sillte bashkë me shokët Lirinë… Flokëbardhi mësues veteran, kujton e nderon partizanin e ndërtuesin e shquar Stavri Mihali; Heroin e Punës, Fadil Hamiti që banorët e Dangëllisë i hiqnin kapelen dhe e zgjidhnin deputet; mësuesin kokëplotë Mikail Kote në krye të rinisë përmetare dhe kolegët e paharruar Muharrem e Abdyl Skënderi; Arian Hasanin që la gjurmë deri në Krrabë të Tiranës apo traktoristin Ziso emërmirë nëpër fushat e Korçës. Të gjithë luftuan e punuan për Shqipërinë e Re. Pa lënë mënjanë tekstilistet e para Marjanthi, Pandora, Evgjenia, Fotinia etj. me themele e kulme Zavalani.

                                …Rrodhën mbi 15 vjetë nga botimi në “Koha Jonë” i atij reportazhit që pikon ende dhembshuri e pse jo nostalgji e dashuri mërgimtare qysh prej titullit “Një kupë qielli nga Përmeti në Athinë”. Shoqata kulturore-atdhetare “Naim Frashëri” dhe drejtuesi i saj i talentuar, miku im Vaskë Logo që ka mbyllur sytë e sot prehet në paqe atje në Bolëngën mbi Vjosë, mblodhi në një takim të papërsëritshëm gati 500 përmetarë refugjatë. Atje u njoha nga afër edhe me Dhimitër Xhogën. (Katër dekada më parë, nga fisi i tij në Përmet kisha njohur vetëm proletarin e pastër Mihal).Në atë veprimtari aspak të rëndomtë, pikuan pikë-pikë edhe lotë mallëngjimi për qytetin e trëndafilave e të kabave jetëgjata të Laver Bariut me shokë. Kaba që i shoqërojnë në çdo hap edhe përtej deteve e oqeaneve ku punojnë e jetojnë ndershëm me djersën e ballit. Ndërsa kujtimet dhe amanetet për ruajtjen e Gjuhës Shqipe te çdo nip a mbesë, gurgullojnë e shushurijnë si sylynjarët e krojeve të Dangëllisë. Se Dhimos i thernin sytë kur shikonte e dëgjonte vogëlushë shqiptarë që nuk mërmërinin dot gjuhën e Nënës ! Jo më kot e quante “plagë të madhe” e një hata të shekullit të ri. E thoshte drejtpërdrejt e açik, asnjëherë sypërmbysur. Edhe shënimin e ditëve të fundit në internet, e paska hedhur pak orë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale te njëri sy, atje në Toronto… Dhe prapë jep e merr dritë nga Zavalani e Frashëri në mëmëdhe ! Ndërsa unë kujtoj profesor Kriston, historianin dinjitoz që mbylli sytë e na iku tani vonë. I pazëvendësueshëm ! Dhe më tingëllojnë fort fjalët e gdhendura lapidar të Abdyl Frashërit, udhëheqësit mendjendritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ideologu, organizatori, diplomati, shkrimtari e oratori i zjarrtë që nuk iu drodh qerpiku edhe para gjyqtarëve osmanë që e kërcënonin me “varje në litar”. Nuk u përpëlit as para burgut e internimit, as para izolimit e vdekjes. Mbeti yll karvani i pashuar në qiellin e Rilindjes Kombëtare. Ashtu i rraskapitur, me duart në pranga e i rrethuar nga xhandarët, hyri kokëlartë në rrugët e Manastirit. Dhe për pak çaste u përball sy më sy me një konsull të huaj dikur kundërshtar i Lidhjes së famshme shqiptare. Kur ky iu drejtua jo pa ironi e cinizëm se “Ç’farë bëre me idetë e tua ?!”, i pavdekshmi Abdyl ia preu shkurt :

                -Si mund t’i thuhet bujkut çfarë bëre kur mbjell farën në arë ? Sot fara nuk duket por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet !…

                                “Barrën me flori” që harxhoi për Çështjen Kombëtare, veç të tjerave, populli ynë mirënjohës ia ktheu me thesarin e veçantë të këngëve nga Jugu në Veri. Këngë gati 140 vjeçare që lartësojnë dhe ngrohin zemrat e vërteta shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë sonë. Dje, sot, nesër e përgjithmonë…

SHKARKO APP