“Dita Botërore e Puthjes”, ja mrekullitë e vogla që bën ajo

Dita e 6 korrikut njihet ndryshe si Dita Botërore e Puthjes. Nisma e lindur në Britaninë e Madhe në vitin 2006 tashmë kujtohet në të gjithë botën, kjo edhe për shkak të ndikimit pozitiv që mund të ketë një puthje në shëndetin e njeriut.

Puthja i bën mirë zemrës

Adrenalina që çliron një puthje bën që zemra të pompojë më shumë gjak, duke zvogëluar kështu presionin dhe nivelin e kolesterolit LDL, të dy të njohur si “armiq” të zemrës. Shumë studime kanë treguar se puthja rrit ritmin e rrahjeve të zemrës dhe përmirëson qarkullimin e gjakut.

Puthja redukton dhimbjen dhe ka efekt antidepresiv

Kërkime të ndryshme shkencore kanë argumentuar se kur puthim dikë, pragu i dhimbjes ngrihet, duke na bërë të ndihemi më të lehtësuar prej saj. Ky efekt antidhimbje ka lidhje me çlirimin e endorfinave, substanca që prodhohen nga gjendra e hipofizës që gjendet në pjesën e përparme të trurit. Ato janë neurotransmetues që kanë karakteristika antidhimbje dhe fiziologjike shumë të ngjashme me ato të opiumit dhe morfinës. Gjatë puthjes, këto substance prodhohen dhe kanë afekt në uljen e ndjesisë së dhimbjes. Kështu, një puthje mund të lehtësojë dhimbjen e kokës apo të shpinës. Në të njëjtën kohë, gjatë një puthjeje çlirohet oksitocinë, hormoni i famshëm i humorit të mirë, që ndikon në uljen e depresionit. Kjo do të thotë më pak stress, trishtim, ankth etj.

Puthja rinon lëkurën dhe ka efekt dobësues

Kur puthim, ne aktivizojmë 30 muskuj të fytyrës dhe furnizimin me gjak. Kjo do të thotë që lëkura e fytyrës bëhet më e botë, më rezistente dhe e re. Pra puthja ka të njëjtin efekt si masazhet faciale. Gjithashtu, puthja është edhe shpenzim kalorish. Gjatë një puthjeje, ritmi i rrahjes së zemrës shkon në 140 në minutë, nga 70 që është zakonisht. Kjo do të thotë përshpejtim i metabolizmit dhe djegie kalorish.

Puthja forcon sistemin imunitar dhe parandalon kariesin

Në vetëm 10 sekonda puthje, shkëmbehen rreth 80 milionë baktere. Disa prej tyre mund të jenë baktere të këqija, por shumica janë të mira. Ato stimulojnë sistemin imunitar, duke shtuar numrin e antitrupave. Po ashtu, një puthje shton prodhimin e pështymës, çka ndikon në largimin e mbetjeve ushqimore dhe baktereve që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve.

SHKARKO APP