Dita e Rusisë, Karpushin: Gjallërim bashkëpunimit tonë dypalësh

Ambasada ruse në Tiranë zhvilloi dje një pritje me rastin e festimit të Ditës së Rusisë.

Pritja u mbajt me praninë e përfaqësuesve të instituvconeve të ndryshme të Shqipërisë, ish-ambasadorëve shqiptarë në Moskë, anëtarëve të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi”, pedagogëve të gjuhës ruse nga Universiteti i Tiranës dhe institucione të tjera arsimore, personaliteteve të artit dhe kulturës, gazëtarëve dhe bashkatdhetarëve rusë.

Ambasada falënderon pa masë të gjithë mysafirët që ishin të pranishëm, sidomos nxënësit e Gjimnazit “Asim Vokshi” dhe studentët e UT-së për koncertin e bukur që krijoi një atmosferë të veçantë.

Më poshtë fjala e plotë e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, e mbajtur gjatë aktivitetit:

“Të nderuar miq, kolegë diplomatë,

Pëfaqësues të institucioneve shtetërore të Shqipërisë,

Anëtarë të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri – Rusi”,

Të dashur bashkatdhetarë, personalitete të kulturës, gazetarë, Zonja dhe zotërinj,

Në radhë të parë më lejoni t’ju përshëndes përzemërsisht në emër të Ambasadës Ruse në Tiranë në pritjen tonë që zhvillohet me rastin e Ditës së Rusisë, dhe t’ju falënderoj që sot ndodheni këtu pranë nesh.

Dita e Rusisë është një festë relativisht e re, e cila simbolizon një tjetër etapë në zhvillimin e vendit tonë që ka nisur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Duke folur sot për këtë festë nuk mund të mos kujtosh atë periudhë të vështirë për Rusinë kur papritur BRSS pushoi së ekzistuari.

Ndryshimi i mënyrës së zakonshme të jetesës shoqërohej nga një krizë e thellë socio-ekonomike. Megjithatë, në atë kohë numri i madh i qytetarëve të Rusisë, veçanërisht të rinjtë, i pritën ndryshimet me entuziazëm dhe madje me një lloj euforie. Rusët ishin të pushtuar nga dëshira për të transformuar rendin e vjetër, për të përqafuar vlerat demokratike, siç i quanim atëherë, dhe për t’u bërë pjesë në “botën e qytetëruar”.

Besonim me naivitet që në atë situatë vendet e zhvilluara dhe ekonomikisht të fuqishme do të na vinin në ndihmë. Por ajo nuk ndodhi kurrë, edhe pse Rusia synonte sinqerisht një dialog me të gjithë partnerët e saj të huaj, përfshirë këtu edhe NATO-n. Ishim të bindur që zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy blloqeve – atij lindor dhe atij perëndimor – do të garantonte për vendin tonë dhe për tërë botën stabilitet, zgjerimin e lidhjeve miqësore dhe një bashkëpunim efikas ndërkombëtar. Por as kjo nuk ndodhi.

Siç u shpreh në këtë lidhje Presidenti i Rusisë Vladimir Putin: “Nga hera në herë na mashtronin, merrnin vendime prapa krahëve tona dhe na vendosnin para faktit të kryer. Kështu ndodhi edhe me zgjerimin e NATO-s, edhe me instalimin e infrastrukturës ushtarake pranë kufijve tanë”.

Rusia, gjithsesi, ia doli t’i tejkalonte të gjitha vështirësitë e periudhës së tranzicionit dhe fillimi i viteve 2000 shënoi një rritje të ndjeshme të ekonomisë dhe standardit të jetesës. Në të njëjtën kohë, nga partnerët tanë perëndimorë, për fat të keq, erdhi politika e parandalimit dhe demonizimit të Rusisë.

Kjo politikë është aktivizuar dukshëm pas shpërthimit të krizës ukrainase. Me një pretekst të sajuar për gjoja “përfshirjen” e trupave rusë në luftën civile në Ukrainë, “përgjegjësinë” e Moskës për rrezimin e avionit malajzian dhe “kërcënimin” e Rusisë ndaj shteteve fqinje, kundër vendit tonë janë vendosur sanksione të paligjshme dhe është nisur një luftë e mirëfilltë mediatike.

Faktikisht, ka tashmë dy vite që NATO-ja po i rikthehet retorikës dhe strategjisë së “luftës së ftohtë”, duke vazhduar politikën e saj agresive ndaj Rusisë. Konfirmimi i radhës i kësaj tendence kanë qenë edhe debatet në kuadër të sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-së të mbajtur Tiranë, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë akuzat ndaj Rusisë për “agresion” dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Si kundërargument ndaj këtyre deklaratave do të doja të përmendja disa shifra. Buxheti ushtarak i Rusisë për vitin në vijim është rreth 60 miliardë dollarë, ndërsa buxheti i përgjithshëm ushtarak i vendeve anëtare të NATO-së është mbi një trilion dollarë, domethënë 17 herë më i madh. Përveç kësaj, aleanca gëzon një epërsi të shumëfishtë mbi Rusinë në të gjitha llojet e armatimeve.

Pastaj, kur bëhet fjalë për “agresionin” e Rusisë, duhet marrë parasysh një fakt i thjeshtë: vendi ynë ka 13 baza ushtarake jashtë shtetit, nga të cilat 10 baza ndodhen në vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Ndërsa NATO-ja, sipas listës zyrtare të Pentagonit, ka rreth 860 baza në mbarë botën (sipas të dhënave të tjera – mbi 1 mijë baza), nga të cilat pjesa e madhe janë në afërsi të kufijve rusë.

Të nderuar miq,

Sigurisht që Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd, dhe politikanët e arsyeshëm e kuptojnë këtë gjë. Në politikën tonë të jashtme po udhëhiqemi nga bindja se zgjidhja e problemeve globale dhe rajonale duhet gjetur jo në konfrontim, por në bashkëpunim dhe kompromise. Jemi pro sundimit të së drejtës ndërkombëtare, rolit udhëheqës të OKB-së dhe parimeve të barazisë dhe respektit të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Rusia është besimplotë që e vërteta dhe mendja e shëndoshë do të mbizotërojnë dhe rikonfirmon gatishmërinë për një dialog me përfitim të ndërsjellë dhe bashkëpunim konstruktiv me të gjithë ata që janë të interesuar. Shpresa të mëdha kemi tek avancimi i marrëdhënieve tona dypalëshe me Shqipërinë, sidomos në fushën ekonomiko-tregtare ku kemi një potencial të madh të pashfrytëzuar.

Si ndihmë në këtë proces duhet të shërbejë bashkëveprimi ynë në rritje në fushën humanitare, në kulturë dhe arsim, si dhe qëndrimi dashamirës ndaj vendit tonë i qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë që ruajnë kujtime të ngrohta nga periudha e miqësisë sovjetiko-shqiptare. Do të theksoja gjithashtu që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të biznesit shqiptar janë të interesuar për të krijuar kontakte me Rusinë.

Rëndësi të madhe në këtë kontekst ka edhe angazhimi i mbështetur nga Kryeministri shqiptar për të aktivizuar lidhjet bilaterale Rusi-Shqipëri. Bashkë me zotin Rama kemi rënë dakord për të mbajtur brenda këtij viti sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar, si dhe forumin e biznesit ku do të marrin pjesë sipërmarrës dhe investitorë nga të dyja vendet. Jam i sigurt që edhe shfrytëzimi i marrëdhënieve të binjakëzimit midis bashkive tona dhe intensifikimi i kontakteve parlamentare do të kontribuonin në gjallërimin e bashkëpunimit tonë dypalësh.

Të nderuar të pranishëm,

Duke e mbyllur, do të doja të nënvizoja se e vetmja gjë që mund të na ndihmojë në arritjen e qëllimeve tona ambicioze, përfshirë këtu edhe përballimin e sfidave dhe kërcënimeve të reja, është bashkimi i pëpjekjeve.

Tani ju ftoj të ngrini gotat dhe propozoj një dolli: për Rusinë e fortë dhe të begatë! Për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë! Gëzuar festën, të dashur miq! Gëzuar Ditën e Rusisë!”.

 

SHKARKO APP