Dita kur duhet të pyesim me zë të lartë dhe pandërprerë: Përse?
Republikat e shqiptarëve në Ballkan si në kohëra dhimbjeje si në ditë gëzimi vlojnë nga patetika. Gjuhën e vërtetë, gjuhën vetëkritike si parakusht për ndryshim rrënjësor e përparim këto shoqëri nuk e kanë gjetur ende. Për aq kohë sa nuk e gjejnë gjuhën, do të qeverisen keq nga politikanët batakçinj. Kjo do të duhej t’i shqetësonte shqiptarët sidomos më 28 nëntor.
Nga Enver Robelli
Kohë bustesh e përmendoresh, kohë pllakash e emblemash, kohë simbolesh dhe parullash, kohë fjalimesh histerike dhe falënderimesh patetike, kohë gënjeshtrash e spekulimesh «mediale», por jo kohë e vështrimit vetëkritik: përse nuk ka vende të punës, përse nuk ka shëndetësi funksionale, përse po ikën rinia, përse shtetet e shqiptarëve i kanë marrë në dorë oligarkët, kurse politikanët janë vetëm ortakë të tyre, përse nuk ka prokurorë e gjyqtarë të paanshëm dhe të pafrikshëm, përse për shkak të inateve e mosdurimit personal politikanët andej dhe këndej Drinit nuk flasin me njëri-tjetrin, përse nuk ka pasoja ligjore për asnjë politikan të nivelit të lartë që dyshohet për korrupsion, përse udhëheqësit e Kosovës janë pikë e pesë dhe nuk dinë çfarë të bëjnë tash që ndryshimi i kufijve të Kosovës është diskutuar gjerë e gjatë në tavolina e nën tavolina, përse Shqipëria si vend anëtar i NATO-s nuk ka një shërbim serioz shpëtimi në raste katastrofash (dhe përse nuk e ka pasur as nën kryeministrat e mëparshëm), përse në Tiranë nuk pati klasë politike që do ta reformonte Shqipërinë mes viteve 2000-2010, kur Bashkimi Europian ishte shumë më i hapur për integrimin e vendeve të Ballkanit (dihet pse nuk pati kohë klasa politike shqiptare ta reformojë vendin: kanabisi, bandat, korrupsioni, Gërdeci, vjedhjet në tenderët e mëdhenj, këtu rrokopujë shkojnë socialistë e demokratë, sepse nuk janë as socialistë, as demokratë), përse aq shumë plagë të luftës në Kosovë janë ende të hapura dhe përse nuk pati forcë shoqëria që t’i largojë më herët nga pushteti keqbërësit dhe t’i dënojë ata që tani në Hagë pritet të dalin para gjyqit për vrasje të bashkëkombësve, shumë përse na shoqërojnë më këtë 28 nëntor.
Nga aftësia e shqiptarëve për të gjetur përgjigje në këto pyetje të vështira, varet si do të jetë e ardhmja e tyre – e ndritur apo e errët? Për festa është e udhës të përhapet optimizëm. Por kur shikohen gjithë ato shanse të humbura në tërë këto vite, si të përhapet optimizmi? Me Rita Orën e Dua Lipën? Ato nxisin ngazëllime momenti, pastaj njerëzit duartrokitës kthehen në shtëpi dhe duhet të mendojnë si ta kalojnë muajin me 200 euro? Kaq para politikanët tanë të Prishtinës e Tiranës djegin për një shishe verë në lokalet e New Yorkut, Parisit apo Brukselit, ku shkojnë për të folur mbi përparimet që kanë bërë vendet e tyre.
Kur ke një kastë politikanësh që nuk i shërben Republikës si të pritet pastaj nga njerëzit se do t’i shërbejnë shtetit, shoqërisë, të mirës së përbashkët? Asnjë problem njerëzor, ekonomik, ekologjik, social apo politik nuk mund të zgjidhet pa mirëbesim mes mandatdhënësve (votuesve) dhe mandatmarrësve (deputetëve, ministrave, krerëve të shtetit). «Njeriu është më shumë irracional se sa racional, emocionet e tij ndikojnë më shumë te ai se sa arsyeja. Këtë e shfrytëzon politika», shkroi autori zviceran Friedrich Dürrenmatt para 30 vitesh, kur Europa Lindore nisi të çlirohej nga diktaturat komuniste.
Më 28 nëntor 2019 politikanët shqiptarë mund të zënë vend në kolltukët e tyre, të hapin ndonjë shishe verë dhe të thonë: mirë i kemi shfrytëzuar shqiptarët. Por edhe shqiptarët lejuan të shfrytëzohen. Tash shqiptarët duhet t’i gjejnë shenjat e trafikut, të cilat do të tregojnë rrugën drejt shteteve ku sundon ligji, ku ka drejtësi sociale e sistem shëndetësor serioz, arsimim cilësor dhe shanse mundësisht sa më të barabarta për të gjithë – në tregun privat të punës dhe në administratën shtetërore. Kështu disi shqiptari e shqiptarja ia kthejnë dinjitetin vetes. Shumë pyetje do të duhej ta mundonin popullin skenderbegian në Ditën e Flamurit.