Ditët e izolimit! Poezia që ngroh zemrat e ftohta të shqiptarëve
“Lum si ti lule, që e jeton pranverën”
Kjo stinë aq e bukur, aq e dëlirë dhe me ngjyra i gjeti shqiptarët kësaj here jo të përgatitur për ta shijuar.
Për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tyre ata po detyrohen që të qëndrojnë mbyllur në shtëpi, si forma më e mirë për të luftuar një armik që s’ka fytyrë…koronavirusin.
Këtë vit ne s’po i gëzohemi natyrës, ama natyra po i gëzohet pranverës!
Pse vallë?
Ah po, sepse ajo është e padjallëzuar! Është aq ndryshe nga raca njerëzore, saqë atë nuk e ndëshkon askush.
Në këto ditë të pazakonta dhe disi të zymta, një poezi e poetit të mirënjohur Gjin Progni, mund t’i ngrohë zemrat e ftohta tonat.
Inspektori i Përgjithshëm i Republikës Shkëlqim Hajdari, ka qenë ai që e ka shpërndarë në rrjetin e tij social këtë poezi aq mbresëlënëse, e cila me gjasë do na mbetet shumë gjatë në memorie.
LULET …
Lum si ti lule, që e jeton pranverën,
Unë e vrava vetë lirinë,
Të jetosh s’do të thotë të vrasësh jetë,
Por të duash çdo jetë si t’Zotit mrekullinë.
Tani i trëmbem dhe hijes sime,
Coronavirusi pusi më ka zënë,
Unë njeriu që nuk besova në TY,
Të përulem Zot, ndihmën për t’mëdhënë
Interpretimi i kësaj poezie, si çdo tjetër poezi, është relativ, mirëpo qartazi të lë të nënkuptosh se njerëzimi duhet t’i kthehet virtytit, të largohet nga veset, t’i kthehet Zotit e t’i largohet djallit.
Kësisoj, njeriu do jetojë si lulja në pranverë…në harmoni me familjarët, jetën, të shtrenjtit e tij dhe VETEN!