Ditët e para pas rrëzimit të komunizmit

 

Shkrimtari Skifter Këlliçi vjen për botuesit me një tjetër roman që trajton ngjarje historike. "Historia e një vdekjeje të vonuar” është një vepër që risjell nga një këndvështrim i ri periudhën e rrëzimit të komunizmit. Gazeta boton pjesë të këtij romani që tregon sesi u përjetuan në Tiranë ndryshimet e sistemit komunist dhe kalimin në pluralizëm.

Nga Skifter Këlliçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

 Hiqmet Terka ngriti gotën lart.

– Të pimë për fitoren, – tha duke iu drejtuar atyre që ndodheshin në dhomën e pritjes së shtëpisë së re.

– Me fund, shoku Hiqmet – tha ish-ministri i Mbrojtjes duke përplasur nofullën e poshtme të madhe.

– Patjetër me fund, – shtoi e shoqja e Hiqmet Terkës.

Ishte hera e parë që ata, burrë e grua prisnin atë mëngjes tërë shend Hamid Lezhën, ish-ministrin e Mbrojtjes dhe të shoqen që ua kishin ngritur qimet drizë atë ditë pas largimit nga Blloku.    Asnjë nuk u kujtua të shprehte qoftë dhe një grimë keqardhjeje për Ali Ramën, atë… më të madhin e Partisë dhe…. kokën  e shtetit, qe kishte pësuar aq ligsht në votime …Çfarë turpi e kaluar turpit…çfarë rrëmeti!…Pasuesi i shokut Enver as deputet nuk ishte zgjedhur… 

– He, hë, – e kishin marrë me shumë revan këta të Demokratikes, – nëpërdhëmbi ish-ministri i Brendshëm. – Siç duket, nuk e dinë ata shprehjen popullore:“Ndalu beg, se ka hendek!”. Pas shkarkimit të tij nga kjo detyrë, që kishte ndodhur dy ditë pas rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës, ai, ndonëse Ali Rama i kishte thënë të shfaqej para gjendjes sa më i shpenguar, ishte strukur në shtëpi si urithi që dimëron. Kurse tani i shkonte buza vesh më vesh.

Para historisë ai do të quhej si i vetmi ministër i Brendshëm që kishte marrë guximin të kundërshtonte urdhrin e Sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë e të Presidentit të Republikës. Policët nuk kishin shtënë mbi grumbujt e njerëzve që i ishin vërsulur shtatores së Enver Hoxhës. Po dikush do të thoshte se edhe po të donin të qëllonin, ata policë nuk do të frikësonin as edhe një njeri, sepse i kishin armët të mbushura me fishekë të rremë. Po mund të thonin se kjo ishte e tëra një lojë midis tij dhe Presidentit. Çfarë nuk mund të sajonin. Megjithatë, një gjë kishte rëndësi. Ai nuk kishte zbatuar urdhrin. Ishte shkarkuar nga posti i ministrit. “Më pas, të shohim më pas”, – i kishte premtuar presidenti. Ai ende nuk kishte mbushur moshën e pensionit. Ndaj tani i përsëri mund të bëhej ministër dhe mbase dhe më lart do të ngjitej.

– Pandehën se shtinë në dorë qytetet e tani kanë në xhep edhe fshatrat, – u ngërdhesh Hiqmet Terka. – Nuk di se fshatari është i lidhur me kooperativën që e ka nxjerrë në selamet.

“E ç’këput gjepura, baba, – sa nuk bërtiti Shpresa që e ndodhur në shtëpi ishte e detyruar të sajdiste miqtë me raki dhe ëmbëlsira. – Po ti e merr vesh mirë se si u fituan ato vota në fshat! Këtë ta shkoqiti mirë yt bir, Besniku“.

 – Jo, jo, pikës i ke rënë, shoku Hiqmet, – ndërhyri ish-ministri i Mbrojtjes. – Fshati kaq qenë bazë e Partisë gjatë Luftës dhe i tillë mbetet dhe tani.

  – Po dhe besimin e qytetit do ta fitojmë, – shtoi ish-ministri i Brendshëm. – Të punojmë një çikë më shumë me rininë që ta bëjmë për vete.

– Do ta bëjmë, edhe atë do ta bëjmë… – i mëshoi zërit këndellshëm e shoqja e Hiqmet Terkës.

– Doemos. Atëherë ta shohin këta me demek ngadhënjimtarët demokratë dhe ata që u mbajnë ison, se ç’jemi ne, – u hakërrye Hamid Lezha që deri atëherë duke rrotulluar sytë e buhavitur sa te njëri dhe tjetri nuk kishte nxjerrë qoftë dhe një llaf nga goja. – E kam thënë unë, – “Me gjak e kemi marr e me gjak, po të jetë nevoja,po me gjak do ta japim pushtetin”.

“Ama, kur flet edhe ky maloku truroitur, – mërmëriti me vete Hiqmet Terka. – Sa mirë që nuk e martova Shpresën atëherë me birin e tij që është më gomar se i ati!..”.

– E po ta ngremë dhe një herë për fitoren, – u ngrehaluc e shoqja e Hiqmet Terkës.

Ashtu bënë të tërë.

– Vërtet të vështirë, po fitore, ama, – blegëroi e shoqja e ish- ministrin të Mbrojtjes.

– E po kur është e vështirë ajo të shijon dhe më shumë, – caprashiti ish-ministri i Brendshëm. – Më vjen keq që gruaja ime e gjeti sot tamam të sëmurej e të mos vinte këtu.

Një grimëherë ra heshtja. Të gjithë e kuptonin se urimet që kishin këmbyer, ishin aq të shtira sa ç’janë të tilla fjalët e një mjeku që i thotë një të sëmuri i cili nuk dihet nëse do të gdhihet të nesërmen i gjallë. E, megjithatë, të tërë e ndjenin se kishin nevojë t’ia bënin qejfin njeri-tjetrit.

Por ky mjedis u bë dhe më i hovëzuar, kur në sallon u duk Besniku. Atëherë të tërë u brofën vrikthi më këmbë dhe secili u rrek ta përgëzonte kush e kush më parë.

– E po ta dini se mos të ishte Besniku me sokolat e tij të Sigurimit, për besë, do ta kishin pak pisk! – broçkulliti Hamid Lezha, i kapëlyer nga një dalldi përvëlake.

Ish-ministri i Brendshëm vari buzët, ndërsa qeskat nën sy iu frynë tërë mllef.

“Plak matuf, – iu kanos me vete sedërvrarë. – E kush është ai që ngriti lart Besnikun, kush e mësoi, kush e udhëzoi si të vepronte në mitingje e manifestime. Babai i tij, Hiqmet Terka që më rri me gojën hapur si peshk i ngordhur? Unë, o plakush, unë e askush tjetër!”.

– Të faleminderit, shoku Hamid, për fjalët e mira që the për tim bir, – u sheqeros e shoqja e Hiqmet Terkës. Dhe, duke iu kthyer nga Besniku gati e squllur nga lotët, shtoi:– T’u bëftë nëna, t’u bëftë, sa të mirë e të zot që të kam!

– Mjaft nënë, unë nuk jam çilimi, – sa nuk ngriti ai zërin, ndonëse gufonte gjoksin nga lëvdatat aq të mjaltshme të Hamid Lezhës.

 Por, nga ana tjetër i vinte të plaste nga marazi që ato nuk i kishin përdytur të tjerët në dhomë.

Shpresa shamtiu e ulur në një qoshe, me tabaka në dorë.

Edhe ministrit të Mbrojtjes i tingëlluan shpotitëse fjalët e Hamid Lezhës.

     “Po nuk e di ti, more, derdimen, – tha me vete duke kundruar atë,- se, sikur Ali Rama të mos na kishte përmbajtur ne, të ushtrisë, do t’i kishim bërë zap të tërë?”

– Të pimë dhe një herë për Besnikun dhe forcat syçeltësore të Sigurimit! – bërbëliti i lezetuar Hamid Lezha.

– Të pimë për fitoren tonë! – shtoi i gazmendur Hiqmet Terka.

– Për fitoren ndaj kujt? – dëgjua një zë pas tyre.

Të tërë të shugatur kthyen kokën nga dera. Dhe atëherë shquan Vullnetin, birin e dëbuar të Hiqmet Terkës, që rrallë vinte në shtëpi. Flokët kishin nisur t’i binin, t’i thinjeshin e të zbulonin ballin e tij të vruguar nga rrudhat.

Ai bëri disa hapa dhe qëndroi përballë tyre.

– Më falni që pa u përshëndetur me prindërit e mi, me Shpresën, time motër e Besnikun, tim vëllai, po shprehem kësisoj , – vazhdoi ai. – Po më bënë shumë përshtypje fjalët: “Të pimë për fitoren tonë”. Pra, ndaj popullit, askujt tjetër?!

– Vullnet! – u dëgjua zëri i përpushës i Hiqmet Terkës. –Në ke ardhur me ato lakra që të kalbin trutë prej kaq vitesh, bëj mbrapsht. Kjo fitore nuk është ndaj popullit, por ndaj atyre që janë kundër nesh!

– Po aty ta kam llafin dhe unë, baba, – zuri të shpjegonte më shpoti Vullneti. – Sepse ndaj jush është tani populli, ai që ju e ngritët në luftë, që i dhuruat lirinë, jetën e lumtur që nuk e ka parë kurrë!.. Kundër atij i fituat votat? Dhe a e dini se si? Këtë ta them unë që i pashë më sytë e mi, atje në qytetin e vogël ku punoj. Me kërcënime, se ja… po të fitonin këta të Demokratikes, do të vinin prapë në fuqi bejlerët, agallarët e t’u pinin gjakun fshatarëve, do të vinin anglo-amerikanët e do t’i bënin skllevër. Dhe ndonëse e dini, bukur mirë, merreni vesh edhe një herë se ky popull nuk ju do. “Le të na urrejnë,-thoni me vete, -po “gëk” të mos bëjnë”. Mirë po e patë vetë se ç’po ndodh?..

– Për të na thënë këto mbrapshtira e solle kokën, Vullnet? – iu hakërrye Besniku.

– Jo, vëlla i dashur, për t’ju parë, se jam i gjakut tuaj, paçka se më keni braktisur, – tha Vullneti. – Po nuk munda të rri pa folur, kur dëgjova këto urime, një pjesë e mirë e të cilave të drejtohen dhe ty, Besnik. Dhe, ta dish, se janë të vetmet që i ke hak. Vërtet, që pa ty dhe Sigurimin, kjo fitore do të ishte dështim.

– Përjashta! – këlthiti Hiqmet Terka. – Në qoftë se ndonjëherë e kemi bërë zemrën gur dhe të kemi pritur, tani do ta mbyllim derën një herë e përgjithmonë.

E shoqja e tij përkuli kokën në parzën e nisi të vajtonte në heshtje .

– Faleminderit, baba, – tha Vullneti dhe një nënqeshje lojcake i lëvriu në buzë. – E dija se as ti e as Besniku nuk mund të më prisnit ndryshe, mua që ju kam vënë njollë juve, që jeni po aq fitimtarë sa ç’kanë qenë ata që kanë kujtuar se populli i ka pasur në zemër.

Ai hapi derën dhe u bëri nga shkallët.

– Prit, Vullnet,– dëgjoi zërin e Shpresës.

Por i vëllai nisi të zbriste poshtë. Atëherë ajo iu vu pas.

– Qëndro! -këlthiti Hiqmet Terka duke vrulluar  në krye të shkallëve.

– Jo, baba, unë nuk do të qëndroj!- ia ktheu ajo pa mbajtur ngashërimën që i ishte mbledhur komb në grykë.

– Atëherë, prapa diellit shkofsh ti bashkë me të! – shkrofëtiu

Besniku.

– Po, le të shkoj dhe unë prapa diellit, po veç këtu në këtë mjedis të mos rri, – ia ktheu trandshëm Shpresa. – I gënjeshtërt, mbytës, ja ç’është ky mjedis, siç ka qenë ai mjedisi i Bllokut, nga ku thamë se shpëtuam.

Ajo ngau pas Vullnetit që kishte zbritur poshtë.

Me të dalë në këmbësore, për pak sa nuk u përplas me të shoqin, Vason. Prej disa ditës ai kishte nisur të punonte në Ndërmarrjen e Tregtisë së Jashtme.

– Shpresë, ku vete kështu, Shpresë, – tha ai tek e pa atë që po ndiqte nga pas Vullnetin.

Por ajo as që i hodhi sytë,Vasoja parandjeu se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe e ndoqi pas. Shpresa shpejtoi hapat.

– Ç’bën kështu Shpresë, -dëgjonte nga pas zërin e tij si mjaullimë maceje.- Më kë burrë e mos më lër..

 Po ajo tashti vazhdonte të ecte krahas Vullnetit, pa e kthyer kokën pas.

 FUND

SHKARKO APP