Ditët e Radios 2018 – Modelet e audiogazetarisë

E enjtja, 15.11.2018, ishte dita e dytë e eventit Ditët e Radios 2018, ku u zhvillua dhe diskutimi i hapur me temë: Modelet e audiogazetarisë. I ftuar në auditor, korrespondenti në Shqipëri i VOA në shqip Armand Mero prezantoi rolin dhe ndikimin e këtij stacioni të njohur ndërkombëtar, jo vetëm për informimin e publikut, por dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare në periudhën e tranzicionit demokratik dhe procesin e integrimit euro atlantik të vendit. Duke iu përgjigjur dhe interesimit të studentëve në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Mero nënvizoi disa nga standardet profesionale dhe etike të VOA, prej të cilave ky medium vijon të mbetet mjaft i besueshëm për ndjekësit në transmetimin audioviziv apo përmes platformës online.

Ish korrespondenti i Deutsche Welle-s në shqip Arben Muka u foksua në prezantimin e tij në konstributin që VOA, BBC, DW, RFI etj kanë dhënë dhe për kualifikimin e gazetarëve shqiptarë dhe në rajon, si një kontribut i vyer për rritjen e standardeve të informimit, edukimit dhe argëtimit të publikut.

Gjatë diskutimit u trajtua dhe sfida e mediave ndërkombëtare në kushtet e zhvillimit të shpejtë të internetit dhe mediave të reja, përshtatja e tyre me këtë realitetet të ri.

Modelet e audiogazetarisë u zhvillua në kuadër të Ditët e Radios 2018, një agjendë nga data 14 deri më 17 nëntor 2018, dedikuar 80 vjetorit të fillimit zyrtar të transmetimeve radiofonike në gjuhën shqipe, 1938 -2018.

Veprimtaritë po zhvillohen në mjediset e një ekspozite pamore në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, që jo vetëm do të kujtojnë fillimet e Radio Tiranës më 28 Nëntor 1938, por dhe po fokusohen në dinamikën e tregut radiofonik shqiptar në 8 dekada.

Gazetarë, redaktorë, bashkëpunëtorë të redaksive, ish punonjës të këtij sektori, por dhe studentë dhe pedagogë të gazetarisë dhe komunikimit po përfshihen në diskutime mbi sfidat dhe problematikat e redaksive të radios në erën digjitale. Vendndodhja në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nuk është rastësore nga organizatorët, pasi pikërisht në këtë territor më 28 nëntor 1938 ndodhej ish ndërtesa e bashkisë së kryeqytetit, ku një nga zyrat e saj shërbeu për një kohë si redaksia dhe studio e parë e Radio Tiranës.

Të mërkurën u zhvillua forumi i diskutimit “Transformimi dhe sfidat e programeve radiofonike në erën e internetit”, ku u prezantuan performancat e disa radiove lokale në Burrel, Shkodër, Sarandë e Tiranë.

Eventi mbështetet nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, si dhe Posta Shqiptare.

 

SHKARKO APP