Djali zadrimor që shpëtoj mëhallen e Kukve në Tiranë pa u djegur…

Kur përmendim Zadrimën, mendja na shkon te një zone e lashtë në veriperëndim të Shqipërisë, një fushë e begatë në mes të qyteteve historikë Lezhë e Shkoder. Tokë pjellore edhe në monumente atdhetare, fetare e kulturore, ku lindën, studiuan e punuan pena të ndritura si ajo e Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, atë Gjergj Fishtës, don Nikollë Gazullit, don Daniel Dajanit, don Jak Zekës etj.
Mendimi për të shkruar për një figurë interesante ( të të ashtuquajtur të nivelit të “dytë”) piqej prej vitesh dhe u konkretizua me daljen në dritë të mjaft dokumenteve të kohës që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij, për një periudhë relativisht jo shumë të shkurtër të jetës. Quhej Ndrek Pashukaj, por nga populli njihej edhe si Ndrek Pashuk Tirana. Kush ishte Ndrek Tirana? Ai u lind në fshatin Krajen në vitin 1903, një fshat i vogel, qendër e herëshme banimi, në rrethin e Lezhës, fqinjë me Nenshatin (Sapen e lashtë, qendër historike e dioqezes me të njëjtin emër); nga prinderit Shuk dhe Dila, e cila ishte bijë nga familja e degjuar e mjekëve popullorë të Mllojes së Karmes në rrethin e Shkodres.
Në moshë të njomë Ndrekës i vdes i ati dhe siç ishte zakoni, Dilen e marrin në vendlindjen e saj, në Karmë, te prindërit, me idenë që ta rimartonin. Por ajo nuk pranon dhe natën e dasmës kur krushqit e “dytë” kishin ardhur që ta merrnin, ajo e ndihmuar nga kunata e saj e cila i jep çelsat e lundres, nëpërmjet Drinit arratiset në Shkoder tek disa kumbarë, në shtëpinë e të cilëve qëndroi për gati një vit. Rreth vitit 1906 ato e ndihmojnë që të marrë edhe djalin e vetëm Ndrekën e të vendoset përfundimisht në Tiranë. Ndreka ende pa u rritur mirë, fillimisht punoi si shegert pranë familjes së madhe e patriote të Kojës, të cilët e ndihmojnë jo vetëm që të punojë, por edhe të arsimohet. ( profesori i nderuar Vangel Koja mes loteve kujton Ndreken kur thote: Prinderit e mi nuk ishin te arsimuar , prandaj Ndreka administronte gjithe pasaurine tone pasi fliste shume gjuhe te huaja , dhe kujtoj qe gjuha qe fliste me shpesh e me mire ishte gjermanishtja.)
Sipas dokumentave që disponojnë të bijat, Ndreka fliste shumë mirë gjuhët sllavisht, italisht, dhe gjermanisht.Të dhëna të tjera të sakta vertetojnë se që nga viti 1930 Ndreka jetonte në rrugën Xhemal Pashë Zogu ose si thuhej në Mëhallën e Kukve të lagjes Ismail Bej Efendi (sot rruga Ibrahim Buzhiqi). I rritur në një nga lagjet më aktive të Tiranës, rreth viteve 1937 Ndreka minon me një grup shokesh urën në Shijak nga do të kalonte Mbreti Zog dhe për këtë dënohet me pushkatim në mungesë, pasi qëndronte i fshehur në Zadrimë ku kishte lindur . Në Zadrimë arrestohet dhe dërgohet në postën – kazermë të Kakarriqit, ku për fatin e mirë ishte toger me shërbim, një nga miqtë e tij, Gjon Gegë Agustini, i cili e liron nga prangat . Në të njëjtën kohë nëna e vet që punonte pranë Spitalit “Zog” në Tiranë, i lutet nënës së mbretit që tia falte jetën të birit. Nëna e mbretit Zog i parë e pyet të ëmen nëse Ndreka ka bërë ndonjë vrasje. Pasi sigurohet se nuk ka bërë një vepër të tillë, ndërhyn dhe atij iu fal jeta. Përsëri sipas të dhënave, ka punuar pranë ambasadës bullgare në Tiranë deri në vitin 1946. E shoqja Maria tregonte se Ndreka aktivizohej gjatë luftës nacional-çlirimtare për furnizimin e grupeve partizane me para, rroba e ushqime.
Njëra nga ngjarjet e spikatura të jetës së tij është fakti se ende sot e kësaj dite në Zadrimë e më gjerë tregohet se ai ka shpëtuar pa u djegur nga gjermanët, shtëpitë e lagjes ku jetonte në Tiranë. Lidhur me këtë e shoqja, Maria tregonte: lagjja jonë frekuentohej shumë nga partizanët qe vinin fshehurazi kryesisht natën. Natën e ngjarjes, vjehrra e saj ( nëna e Ndrekës) sapo ishte kthyer në shtëpi nga puna në spital dhe kishin filluar që të hanin darkë. U dëgjuan krisma armësh dhe ulërima. Ndrekës i ngeli kafshata në fyt dhe u ngrit menjëherë e doli përjashta . Kaloi pak kohë dhe ne të dy gratë të friksuara duke dëgjuar nga pas dritares menduam se pa e zgjatur , gjermanët e vranë. Nuk vonoi shumë dhe u kthye në shtëpi. Ishte bërë dyllë i verdhë. E pyetëm se çfarë kishte ndodhur . Na u përgjigj se gjermanët deshën të digjnin mëhallën për hakmarrje,
sepse njëri nga fqinjët, një i familjes Zelka kishte dëmtuar një makinë gjermane. Unë e pyeta vijon Maria, se si arrite të komunikoje në shqip me gjermanët. Unë fola me to në gjuhën e tyre në gjermanisht , na u përgjigj ai. Këtë fakt e tregonte shpesh edhe Mark Fishta, specialist topograf i mirënjohur, nip i poetit kombëtar Gjergj Fishtes, i cili ka banuar edhe ai në atë rrugë për shumë vite. Shtëpia e Ndrekës ka qenë e hapur për të gjithë të njohurit, veçanarisht për Zadrimoret që shkonin në Tiranë për nevoja të ndryshme . Ndreka i strehonte sipas nevojës edhe me ditë të tëra në shtëpinë e tij . Për Ndrekën ruhen kujtime të ndryshme si ajo e fotografive të ruajtura në shtëpinë e Tom Engjëllit në fshatin Fishtë, të bëra në shtëpinë e Ndrekës në Tiranë, me veshje festive zadrimore në dasmën e mbretit Zog. Edhe unë që po shkruaj këto radhë mbështetur kryesisht në dokumente të kohës, kam dëgjuar nga prindërit e mi konsiderata të shumta herëpashere për punën e veprimtarinë e Ndrekës. Në vitin 1945 Ndrekës i lind në Tiranë fëmija i parë Katerina. Në vitin 1946 Ndreka kthehet në Lezhë, në Krajen pasi i sëmuret e ëma me mendimin për të qëndruar për disa muaj, gjë që e kishin rekomanduar mjekët për shëndetin e saj. Ndoshta largimi “vullnetar” nga kryeqyteti përkon edhe me ashpërsimin e luftës së klasave që historikisht është përsëritur shpesh gjatë periudhës së sistemit monist.Vendoset pranë familjes se Kin Kukës .Çdo familje aty e në të gjithë zonën e nderonte dhe ishte e gatëshme për ta pritur si djalin e vet.
Një natë kur burrat nuk ishin në shtëpi në familjen e Kin Kukës, natë në të cilën mungonte edhe Ndreka, shtëpia e madhe grabitet nga bandat plaçkitëse të zonave përreth, duke marrë gjithçka, që nga rrobar e veshjes e të fjetjes e deri te paratë dhe dokumentat që gjendeshin në shtëpi. Ndrekën pasi u kthye nga Tirana, duke lënë punën në ambasadë , në Lezhë e caktojnë në detyrën e teknikut agrar dhe sekretar për reformen agrare në zonën e Zadrimës.
Ne vitin 1954 flitej se ishte Ndreka kandidat per deputet per Zadrimën. Por një natë shkurti të vitit 1954 Ndreka sëmuret dhe brenda pak orësh vdes në spitalin e Shkodres. Sipas dr. Bales vdekja ishte pasojë e një helmimi të rëndë. La gruan dhe dy vajza të vogla, Katerinen dhe Sofijen. Shkurtimisht mund të themi se dy motrat u martuan dhe krijuan familjet e tyre me dy vëllezër në familjen Zhuba në Blinisht të Lezhës. Të dy motrat janë shquar si punëtore dhe familjare të mira, të cilat janë kujdesur deri në fund për nënën e tyre. Janë shquar për shpirtin e tyre artistik, sidomos në stilimin e veshjeve popullore shumë të bukura të zonës së Zadrimës. Është për tu shënuar se mbesa e Ndrekës, Nusha Zhuba (Hida), vajza e Katrinës dhe Ndues pas studimeve të larta në Shqipëri, është lauruar dhe doktoruar në një fakultet të dytë në Universitetet italiane. Ka botuar disa libra në gjuhën shqipe, italiane dhe të përkthyera në gjuhët rumune e arabe, kryesisht për fëmijë dhe me tematika të mprehta sociale. Ka patur një kontribut të veçantë si edukatore dhe kordinatore me fëmijët shqiptarë ambasadorë të paqës, pas vitit të vështirë 1997, në misionin katolik të Blinishtit në Zadrimë, përkrah misionarit të mirënjohur don Antonio Sharra.
…Akoma sot e kësaj dite flitet rreth misterit të vdekjes shumë të shpejtë e në rrethana të paqarta të Ndrekës.
Ai djali i gjatë, i shkathët dhe i hijshëm që shpëtoi lagjen e tij në Tiranë nga djegia prej gjermanëve. Ishte vdekja e parakohshme dhe e mistershme që e mori Ndrek Pashukajn, birin e Zadrimes.Le të shërbejnë këto rrjeshta edhe si homazh për këtë njeri të mirë e të talentuar në brezin e tij.
Pergatiti: Tonin FRANI

SHKARKO APP