Do ju mbushen sytë me lot/ Ky çift spanjoll u martua në ballkon sepse dasma iu anullua prej pandemisë
Pasi një vit planifikim, gjithçka shkoi për dreq: lule të freskëta që dekoronin ambientin, karta me emrat e 190 të ftuarve dhe fustani i qepur në perfeksionin për nusen.
Alba Diaz dhe Daniel Camino s’e dinin që dasma e tyre do të binte viktimë e shtetrrethimit spanjoll si pasojë e pandemisë së Covid-19. Vendosën të shihnin anën e mirë të situatës, kështu që u përkulën në dritare dhe thanë “po, dua” në sy të të komshinjve që gjithashtu kishin dalë t’i shihnin nga dritaret e tyre.
Ceremonia e improvizuar ishte një moment i këndshëm pas tragjedive të njëpasnjëshme në Spanjë dhe gjithë botën. Vetëm në Spanjë, Covid-19 ka marrë një mijë jetë njerëzish dhe ka infektuar mbi 20 mijë.
Javën e kaluar, kur ndjenë për herë të parë rrezikun e pandemisë, Diaz dhe Camino s’ishin të sigurt a duhet të anullonin dasmën madhështore që duhej të mbahej të shtunën. “Ishim impenjuar shumë,” tha Diaz. “Harxhuam shumë para dhe kohë.”
Diaz, që punon vetë si planifikuese dasmash, kishte menduar çdo detaj. Një hapësirë gjigante në veri të Spanjës u shndërrua në ambientin e ëndrrave të saj dhe të ftuarit udhëtuan nga gjithë vendi, madje dhe nga Islanda, për të qenë të pranishëm në momentin e lumtur.
Të premten, teksa numri i të infektuarve rritej, çifti vendosi të mos e mbante dasmën. “Do të ishin shumë njerëz në një ambient të vogël,” tha Diaz.
Të dorëzuar, ata u kthyen në apartamentin e tyre në qytetin e A Coruña. Pak orë më vonë, gjithë banorët u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre dhe të dilnin vetëm për nevoja të pashmangshme.
Kur të ftuarit nisën t’i dërgonin foto, të zbukuruar dhe të veshur për dasmë, iu lindi ideja të martoheshin në dritare.
Fqinji ngjitur udhëhoqi ceremoninë, ndërsa një tjetër fqinj shërbeu si dëshmitar. Diaz veshi një fustan të bardhë që iu gjend në shtëpi, ndërsa Camino një kostum serioz. Sajuan një buqetë me lulet që kishin ngelur nga dekorimi i ambientit ku do mbahej dasma.
“Sot, në këtë ditë të veçantë, martohen dy miq,” tha fqinji i tyre, me zë që mbushi gjithë rrugën e boshatisur. Fqinjë të tjerë nxorrën kokat nga dritaret e tyre.
Në përfundim të ceremonisë së shkurtër, fqinjët nisën të duartrokisnin dhe brohorisnin. Diaz ia hodhi buqetën e luleve vajzës që jetonte në apartamentin përballë saj. “Kjo ishte dasma jonë,” tha Diaz. “Ishte unike, speciale dhe personale.”
Tani çifti duhet të improvizojë hapin e rradhës: muajn e mjaltit.
“Muajin e mjaltit do ta kalojmë në shtëpi,” tha Diaz, që kishte planifikuar të udhëtonte në Itali dhe në Portugali. Duke qeshur, shtoi: “Kush tjetër mund të thotë që kaloi 15 ditë muaj mjalti me bashkëshortin në shtëpi?”