Do ketë rritje pagash në 2020? Korn Ferry: Po, por minimale, ndër vendet me rritjen më të dobët në botë

Çdo fundvit, Korn Ferry, një prej firmave më të mëdha në botë të kërkimit, e që ka një kapitalizim tregu prej miliarda dollarësh, publikon parashikimet e pagave për vitin e ardhshëm, për pjesën dërrmuese të shteteve të botës.

A duhet të presim rritje pagash vitin e ardhshëm sipas këtij parashikimi të Korn Ferry?

Përgjigja është po, por nuk ka vend për entuziazëm.

Në bazë të këtij parashikimi rezulton se, rritja e pagave në Shqipëri do të jetë në 2.6% vitin e ardhshëm, por duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimeve të konsumit, rritja reale e pagave projektohet në vetëm 0.7%, duke na vendosur ndër vendet me rritjen më të vogël në nivel global, në terma realë.

Në nivel global ajnë vetën dhjetë shtetet që parashikohen të kenë një rritje më të ulët të pagës reale gjatë vitit të ardhshëm se sa vendi ynë. Krahasuar me rajonin ndërkohë, në analize, veç Shqipërisë merret vetëm Serbia, për të cilën projeksionet janë njësoj, në 0.7% rritje reale të pagave vitin e ardhshëm. Rezulton se përllogaritjet e firmës janë bërë mbi një normë të projektuar të inflacionit vitin e ardhshëm në rreth 1.9%.

Nga ana tjetër, parashikimi bëhet në formën e një ankete. Krahasuar me vitin e kaluar, projeksioni duket më optimist. Një vit më parë, agjencia e kërkimit projektonte një rënie të pagave reale me 0.2% gjatë 2019-ës në vendin tonë.

Të dhënat më të fundit nga Instat ndërkohë, fatkeqësisht i japin të drejtë këtij parashikimi, duke sinjalizuar një rënie të lehtë të pagës mesatare në vend.

/ SCAN

SHKARKO APP