Do vë bast për Nobelin e Kadaresë, deri sa Ai të jetë gjallë

Rrëfimtari i “Muzgut të Perëndive të Stepës” nuk ka emër, por ne mund ta quajmë fare mirë Ismail. Po ashtu si Ismail Kadare, ai është student në Institutin e Letërsisë Botërore “Gorki”, në fund të viteve 1950. Ai i tregon dikujt se është duke shkruar një libër “për një ushtri të vdekur të komanduar nga një gjeneral i gjallë”, një aluzion ky për romanin e vitit 1963 të Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë Vdekur”, në të cilin një oficer italian kthehet në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të zhvarrosur eshtrat e ushtarëve të tij. Ai është i obseduar gjithashtu nga legjenda shqiptare e Kostandinit dhe Doruntinës, në të cilën thuhet: Kur motra e tij Doruntina martohet dhe shkon shumë larg, Konstandini i premton nënës së tij se do të kalërojë deri atje e ta sjellë për mort a dasmë; kur ai dhe të gjithë vëllezërit e tij tashmë janë të vrarë në luftë, fantazma e tij e mban fjalën, e dorëzon motrën e tij te dera e kishës dhe i thotë motrës:” ti ec përpara, se unë kam pak punë në ajodhimë. Dhe shtyu portën e hekurt dhe u fut brenda, për të mos dalë më kurrë që andej.” Kjo legjendë do të ishte baza e romanit të ardhshëm të Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, dhe aty nga fundi i “Muzgut të Perëndive të Stepës”, rrëfimtari befas shndërrohet në një Kostandin. Përçarja mes diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe Bashkimit Sovjetik po ndodh dhe rrëfimtari e di se ditët e tij në Moskë janë të numëruara. Tashmë është si një fantazmë në atë qytet, por edhe qyteti është kthyer në një fantazmë për të. “Ishte një herë një shtet i madh, që quhej BRSS…”.

 

I humba 20 stërlina në bastet në Ladbrokes sepse Kadare nuk e fitoi çmimin Nobel. Në moshën 78 vjeçare, ai ka qenë për dekada si kandidat dhe do të ishte i pari laureat shqiptar.(Ai ka fituar çmimin inaugural Man Booker International Prize në vitin 2005.) Nobeli skicohet në episodin qendror te “Muzgu i Perëndive të stepës”, kur në tetor të vitit 1958 Boris Pasternak u shpall si fitues dhe një fushatë e gjerë kundër tij filloi në krejt Bashkimin Sovjetik. Njëra nga “virgjëreshat bjelloruse” në Institutin Gorki e quan çmimin si “një dhuratë me helm të borgjezisë ndërkombëtare.” Rrëfimtari ka parë një kopje të shtypur të “Doktor Zhivagos” dhe këshillohet ta mbajë gojë e kyçur: “- Mos ia thuaj njeriu këtë, – tha ai. – Futesh kot në ndonjë ngatërresë.” Pasternaku censurohet nga miqtë e tij dhe shkrimtarët e rinj në një takim në Institutin Gorki. “Gazetat kërkonin ndjesë që po botonin veç një grimë nga dhjetëra-mijëra letrat e telegramet e mbërritura nga të gjitha skajet e tokës sovjetike. Kishte dërgesa plot pezm nga shpues të naftës, studentë të artit dramatik, kisha ortodokse, balerinat e reja të Bolshoit, alpinistë, shkencëtarë atomistë, bletërritës, punonjës të kriporeve të detit Kaspik, ish-mistikë të penduar, shurdhmemecë etj., etj.”

“Muzgu i perëndive të stepës” është botuar në pjesë në Shqipëri, midis viteve 1962 dhe 1978, përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni më 1981, dhe vetëm tani na shfaqet në anglisht, nëpërmjet përkthimit të David Bellosit nga frëngjishtja e Jusuf Vrionit. Në parathënien e tij David Bellos na siguron për vërtetësinë e gjykimit të çështjes Pasternak dhe thotë se shumë nga studentët e Institutit Gorki jepen me emrin e tyre të real, ndërkohë që romanca e rrëfimtarit me vajzën e re moskovite Lida Sniegina, është thjesht trillim artistik. Fundi i kësaj histori dashurie mjeshtërisht gërshetohet me skandalin e Pastërnakut. “Dje radioja ka folur gjithë ditën për njëfarë shkrimtari që ka tradhtuar, dhe unë të kam kujtuar ty. L.” i shkruan ajo në letrën e ndarjes.

Rrëfimtari, dhe Kadare, ndërkohë shkojnë drejt mohimi të realizmit socialist të promovuar në Institutin Gorki, me kolkozianët heroikë dhe shmangien e realiteteve politike: “Në to shushurinin vetëm mështeknat, oh, mështekna ime, e bardhë, dhe në to ishte vazhdimisht e diel, si atëherë, javën që shkoi, në Peredjellkino.” Një paralel tjetër është afrimi i përçarjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, që fillon të ketë edhe një efekt fizik mbi rrëfimtarin: “Baraspesha e gjymtyrëve të mia ishte prishur. E ndieja se ato mund të zbërtheheshin e të bashkoheshin prapë lirisht, në ndërthurjet më të pabesueshme: midis brinjëve mund të kisha një sy, madje të dy sytë, mushkëritë mund t’i kisha në krahë, ndoshta për fluturim.”

Romanet e Kadaresë janë të mbushur me fjali tmerrësisht të bukura. “Muzgu i perëndive të stepës”, është i trishtë dhe përmendet shumë vdekja, por që shpeshherë ndërthuret me humor. Ja si ia përshkruan rrëfimtari Lida Sneginës, konviktin e Institutit Gorki:

“Ne po ngjiteshim. Që pas thurimës së hekurt, brenda së cilës lëvizte kthina e ashensorit, dukeshin vetëtimthi pamje të prera, numra dyersh, fytyra ose shpina njerëzish. Unë u përpoqa t’i shpjegoja diçka për ndërtesën dhe banorët e saj. Kati i parë: këtu ishin vendosur studentët e viteve të ulëta, ata që kishin ende pak mëkate letrare. Kati i dytë: kritikët letrarë, dramaturgët puthadorës, zbukuruesit e jetës. Kati… rrethi i tretë: skematikët, lajkatarët, sllavofilët. Rrethi i katërt: gratë, liberalët, të zhgënjyerit nga socializmi. Rrethi i pestë: shpifësit, denonciatorët. Rrethi i gjashtë: të shkombëtarizuarit, ata që kishin braktisur gjuhët e tyre dhe shkruanin në rusisht…”

Unë nuk jam i sigurtë në mund ta rendis me Danten, por kam ndërmend të ve bast 20 stërlina për Kadarenë, deri sa ai të jetë gjallë.

SHKARKO APP